“Presidenti përmes drejtësisë po synon eliminimin e Lëvizjes Vetëvendosje”

11:54 | 25 Prill 2019
arbresh.info

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në departamentin për krime të rënda kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ata pretendojnë se Presidenti përmes drejtësisë po synon eliminimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

LEXO edhe: Kosnett: Ngriteni zërin me demonstrata paqësore

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se ky kallëzim penal po bëhet kundër tyre për shkak të deklarimeve, siç tha ai, të rrejshme të presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli me pretendimet se vetë Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja janë të përfshirë në organizatën “Syri i Popullit”.

“Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve, të cilët shpifin nën betim”, deklaroi Kurti para dorëzimit të këtij kallëzimi penal, raporton arbresh.info.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se kjo është tendencë për eliminim politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ata kanë zgjedhur që përmes sistemit të drejtësisë të godasin kundërshtarët politik. Ne besojmë që këtu ka prokurorë të guximshëm, por që nuk po vijnë në shprehje. Besojmë se do të ketë prokurorë të guximshëm që do ta qojnë këtë rast përpara”, është shprehur Konjufca.

Pas dorëzimit të padisë, Kurti shprehë besimin tek drejtësia pavarësisht gjendjes në të cilën është aktualisht.

“Kërkojmë nga Prokuroria ta marrë me seriozitet. Asnjëherë nuk i humbim shpresat”, deklaron Kurti.

Sipas tij, prokuroria e ka punën e lehtë. /arbresh.info/

Të ngjashme