Salam Al-Marayati, bashkëthemelues i Këshillit Mysliman për Çështje Publike, me seli në Los Angeles, i ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për rolin e Islamit në shoqëritë perëndimore.
Ai ka thënë se në SHBA ka aq shumë çështje që duket sikur Amerika është në luftë me Islamin, derisa ka shprehur bindjen se në realitet është e kundërta.
Ka marrë për këtë edhe rastin e intervenimit në Kosovë, 20 vjet më parë.
“Në rastin e Kosovës, Amerika ka ndërhyrë dhe i ka ndihmuar myslimanët, dhe kisha dashur që këtë narrativ ta shoh si mbizotërues, e jo atë që tani po promovohet se Islami dhe Amerika janë në mosmarrëveshje mes njëri tjetrit”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.
I pyetur se si do të duhej të ishin raportet në mes institucioneve religjioze dhe atyre shtetërore në një shtet sekular, ai ka thënë se “modeli amerikan ku qeveria është neutrale sa i përket religjionit është modeli më i mirë i sekularizimit”.
“Me fjalë të tjera nuk është aty që të luajë rolin e policit ndaj religjionit, nuk është aty që të pengojë religjionin dhe përfundimisht nuk është aty të promovojë religjionin. Është aty që t’u lejojë njerëzve të shprehin idetë e tyre lirshëm dhe që njerëzit vetë të vendosin se si do ta shprehin religjionin e tyre në atë që ata besojnë, për secilin religjion, dhe besoj që ky është një standard i Islamit, sepse Islami na thotë ‘le të mos ketë detyrime në çështje të besimit’”, ka thënë ai. “Islami nuk thotë se ne duhet të kemi shtet fetar, Islami thotë se nëse e keni pushtetin, atëherë duhet të udhëhiqni me të drejtë, duhet të qeverisni me paanësi, të mbroni dinjitetin njerëzor të secilës qenie njerëzore”, ka shtuar më tej.
Standard të dyfishtë i ka quajtur rastet kur “një mysliman bën diçka të keqe goditet, burgoset dhe ata janë fajtorë derisa nuk provohet pafajësia e tyre, kurse të gjithë të tjerët janë të pafajshëm derisa nuk provohet fajësia e tyre”.
Në këtë bisedë, ai ka folur edhe për atë se si mendon se duhet të trajtohen të kthyerit nga Siria në Kosovë.
Ka treguar se sa është e vështirë të jesh mysliman në Amerikën e Trumpit, derisa ka kundërshtuar politikën amerikane për konfliktin izraeliti-palestinez. Është përgjigjur edhe për atë se a është Erdogani shpëtimtari i myslimanëve.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën e Salam Al-Marayatit për Interaktiv:
Mirë se vini në KTV z. Maryati.
Ju faleminderit, ju faleminderit për ftesën
Ju faleminderit për ardhjen. Fillimisht a mund të na thoni se çka është organizata të cilën e keni bashkëthemeluar, me çka merret organizata juaj?
Këshilli Mysliman për Çështjet Publike e ka selinë në Los Anxhelos të Kalifornisë, kemi edhe zyrën në Uashington dhe zyra jonë atje merre me qeverinë e SHBA-së lidhur me çështje të Islamit dhe myslimanëve, gjithashtu merremi edhe me media në kuptimin se nxjerrim rrëfime më të sakta dhe autentike për myslimanët, andaj përfshijmë politika dhe opinionet publike për të mirën e Amerikës sepse ka aq shumë çështje në Amerikë që duket sikur Amerika është në luftë me Islamin e që është e kundërta e realitetit, që do të thotë se Amerika e ka njohur Islamin dhe myslimanët kanë përfituar nga Amerika. Në rastin e Kosovës, Amerika ka ndërhyrë dhe i ka ndihmuar myslimanët, dhe kisha dashur që këtë narrativ ta shoh si mbizotërues, e jo atë që tani po promovohet se Islami dhe Amerika janë në mosmarrëveshje mes njëri tjetrit.
Cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?
Këtu jam si mysafir për të shpjeguar si duket jeta islamike në Amerikë dhe si jetohet në një shoqëri sekulare. Mendoj se të gjithë po merremi me çështjet e rolit të sekularizmit, rolin e religjionit dhe si mund të bashkekzistojnë këto të dyja. Mendoj se nuk është problem që njerëzit të bashkëjetojnë por kur fillojmë të flasim për kushte ne u themi atyre përkufizime artificiale që krijon barriera. Po themi që religjioni ka të bëjë me vlera e jo me fise, sekularizmi ka të bëjë me gjithëpërfshirje dhe të qenit neutral në religjion dhe jo të jetë përjashtues dhe kundër religjionit. Prandaj duhet të jemi në gjendje të flasim për këtë çështje që të kemi mundësinë e krijimit të një modeli për shekullin XXI, që myslimanët dhe Islami të mbesin të gjallë dhe të jenë pjesë efektive e shoqërive tona.
Nga takimet që i keni pasur deri më tani, çfarë mësuat nga njerëzit në bashkëbisedim me ta?
Mendoj që ka etje për ndryshim por ekziston edhe frika nga ndryshimi. Nga ajo që po shohim del se ka aq shumë çështje për diskutim të cilat asnjëherë[FP1] nuk janë diskutuar dhe ne duhet ta marrim këtë diskurs. Tashmë po e kuptoj se nevoja për këtë diskurs është më e madhe se asnjëherë më parë, të flitet për rolin e grave, si i sheh Islami të tjerët, roli i demokracisë, kushtetutshmërisë. Të gjitha këto çështje për të cilat ne kemi punuar, kemi shkruar artikuj për to, kemi mbajtur ligjërata për to dhe mendoj se sot këto janë të nevojshme në secilin komunitet dhe shoqëri myslimane
Sa shumë dini për Islamin dhe myslimanët këtu në Kosovë?
Për mua është hera e parë që jam këtu por kam qenë i përfshirë në Bosnjë, i interesuar për popullin e Bosnjës dhe të Kosovës atëbotë në vitet e 90-a, kam qenë aktiv me administratën e Klintonit për të ndihmuar çlirimin dhe lirinë e vendeve tona këtu. Bashkëshortja ime është mjeke dhe ajo gjithashtu ka qenë këtu në vitet e 90-a për të ndihmuar gratë të cilat kanë qenë viktima të dhunimit sistematik, dhe si t’ia dilnin në krye me traumat e shkaktuara nga dhunimi, pra ajo ka qenë më herët, kurse për mua kjo është vizita ime e parë këtu.
Si do të duhej të ishin raportet në mes institucioneve religjioze dhe atyre shtetërore në një shtet sekular?
Mendoj se modeli amerikan ku qeveria është neutrale sa i përket religjionit është modeli më i mirë i sekularizimit, me fjalë të tjera nuk është aty që të luajë rolin e policit ndaj religjionit, nuk është aty që të pengojë religjionin dhe përfundimisht nuk është aty të promovojë religjionin. Është aty që t’u lejojë njerëzve të shprehin idetë e tyre lirshëm dhe që njerëzit vetë të vendosin se si do ta shprehin religjionin e tyre në atë që ata besojnë, për secilin religjion, dhe besoj që ky është një standard i Islamit, sepse Islami na thotë “le të mos ketë detyrime në çështje të besimit”. Islami nuk thotë se ne duhet të kemi shtet fetar, Islami thotë se nëse e keni pushtetin, atëherë duhet të udhëhiqni me të drejtë, duhet të qeverisni me paanësi, të mbroni dinjitetin njerëzor të secilës qenie njerëzore. Këto janë parimet e qeverisjes që ne i gjejmë në fenë tonë, por nuk duhet të kemi atë që sot po shihet si shtet fetar ose teokraci. Teokracia në të vërtetë është kundër Islamit. Nëse ka diçka në Islam, ajo është demokracia, sepse në Islam nuk mund të kemi diçka tjetër përveç vullnetit të popullit.
Kosova është në mes të Evropës, është vend me shumicë myslimane, por këtu ne i ndajmë vlerat perëndimore me synimin që të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian dhe Aleancës së NATO-s. Si mund të funksionojë kjo, le ta marrim për shembull modelin e Turqisë. Sa i është dashur asaj që të bëhet pjesë e BE-së, e gjithashtu edhe Bosnja po përpiqet qe sa vjet, si mendoni se mund të funksionojë kjo, këto vende me shumicë myslimane të jenë pjesë e qytetarisë së BE-së?
Saktësisht duke e bërë këtë. Ne në SHBA jemi 1% e popullatës myslimane, e kemi dhe Kosovën dhe Bosnjën si pjesë e Evropës me diku përafërsisht 3% të popullsisë së Evropës. Por ne mund të jemi ai shembulli i Islamit në perëndim, andaj feja jonë Islami mund të bëhet pjesë e kulturës perëndimore, jo si diçka që është e huaj, jo si diçka që vjen nga atje tutje, por si diçka që vjen nga brenda. Besoj se nëse e bëjmë këtë, e zhvillojmë këtë manifestimin e Islamit si fe perëndimore, si pjesë e shoqërisë perëndimore, si pjesë integruese e shoqërisë perëndimore, mendoj se shumë kufizime dhe frika lidhur me myslimanët do të largohet dhe atë duke parë shembullin që është zgjidhje për ta dhe në fakt mund të jetë çliruese për shoqëritë perëndimore.
Tani problemi që e kemi pasur viteve të fundit ka qenë se shumë njerëz i ishin bashkuar ISIS-it në luftërat në Siri dhe Irak, që kishin shkuar nga Kosova atje, dhe disa prej tyre janë kthyer mbrapa javën e kaluar. Kush e ka përgjegjësinë, institucionet fetare apo qeveritare që këta njerëz t’i kthehen jetës normale këtu?
Shteti dhe institucionet fetare duhet të punojnë në partneritet, ka rol për institucionet fetare lidhur me teologjinë, çështjet sociale, në kuptim të rehabilitimit të njerëzve të cilët kishin vendosur tu bashkohen këtyre lëvizjeve ekstremiste dhe të bëjnë gjëra që janë kundër religjionit tonë. Roli i qeverisë është të sigurojë që ketë mundësi të barabarta dhe barazi para ligjit dhe siguri për të gjithë popullin. Që të dyja, edhe institucionet fetare edhe qeveria duhet t’i shtrojnë këto çështje në tavolinë dhe të përfitojnë nga partneriteti me njëri-tjetrin, por ky partneritet duhet të ketë një vijë ndarëse të fortë në kuptim të ndarjes së punëve, ku qeveria nuk duhet të ndërhyjë në punët e fesë dhe institucionet fetare nuk duhet të jenë zgjatime të forcave të rendit ose dorë e qeverisë. Realiteti është se sa i përket ISIS-it të njëjta probleme po shpërfaqen edhe në Lindjen e Mesme. Fatkeqësisht për momentin Lindja e Mesme është duke u shpërbërë para syve tanë dhe sa më shumë që ka shpërbërje aq më shumë do të kemi këso grupe ekstremiste, dhe këto grupe ekstremiste janë banda, shumë prej tyre e bartin flamurin e Islamit si burim të legjitimitetit të tyre, megjithëse ne e dimë se kjo nuk qëndron në Islam. Nuk është Islam nëse shkon dhe hedh në erë xhami, të cilën gjë po e bën ISIS-i, nuk është Islam të vriten myslimanë siç po bën ISIS-i, nuk është islamike t’u hiqen kokat njerëzve siç po bën ISIS-i, prandaj ne duhet të ngrihemi kundër kësaj dhe të themi se kjo është një anatemë, një kundërshti që ne e gjejmë si të pakëndshme, të neveritshme dhe jo vetëm si myslimanë, por edhe si qenie njerëzore. Zoti na dha të drejtën dhe lirinë të zgjedhim, e krijoi njerizimin të lirë dhe është obligim i Islamit që të gjithë ne ta mbrojmë atë liri, dhe ISIS-i është gjithçka tjetër përveç lirisë.
Tashmë disa imamë janë gjykuar nga gjykata, pasi që Prokuroria po i akuzon për nxitjen e njerëzve për të shkuar dhe luftuar në Siri dhe Irak, përmes fjalimeve të tyre gjatë faljes së xhumasë, por shumica prej tyre në fund janë liruar nga akuzat, e ka pasur një debat të gjerë për atë se çka mund të thotë një imam gjatë lutjeve, në lidhje me atë se çka po ndodhte në Siri dhe Irak?
E vërteta është se të gjithë flasin për realitetin jetësor. Nuk ka asgjë në Bibël që është e shkëputur nga politika, nuk ka asgjë në Kur’an që e shkëput nga ndihma për të shtypurit. Prandaj ne, si udhëheqës myslimanë, duhet ta gjejmë rrugë konstruktive që njerëzit t’u ndihmojnë njerëzve të shtypur nëpër botë, qoftë ajo Siria, Burma apo Palestina, Kashmiri, Çeçenia. Njerëzit duan të ndihmojnë, njerëzit duan të bëjnë diçka dhe është obligimi i yni moral, është obligim edhe i qeverisë, sepse nëse nuk e bëjmë këtë do të ketë më shumë pasiguri anekënd botës. Prandaj, duhet të gjemë rrugë konstruktive si t’u ndihmojë atyre. Sigurisht që njerëzit që nxisin dhunë, kjo është kundërligjore dhe ne duhet të merremi me pasojat nga ata njerëz që nxisin dhunë. Por, për fat të keq në perëndim gjejmë standarde të dyfishta, kishim Zelandën e Re, kishim Pitsburgun ku ishte sulmuar sinagoga nga nacionalistët e bardhë, Çarlstonin ku nacionalistët e bardhë kishin sulmuar Kishën e zezakëve, kishim Oak Creek ku nacionalistët e bardhë kishin sulmuar një tempull të Sikëve, dhe ka atje njerëz që kanë nxitur dhunë. Ka njerëz sot në Parlamentin Evropian që janë pjesëtarë të lëvizjeve të nacionalistëve të bardhë. Standard i dyfishtë është kur një mysliman e bën diçka të keqe i godasim, i mbyllim brenda , i burgosim dhe ata janë fajtorë derisa nuk provohet pafajësia e tyre, kurse të gjithë të tjerët janë të pafajshëm derisa nuk provohet fajësia e tyre.
Ata aty për aty quhen terroristë?
Po menjëherë quhen terroristë. Pra ekziston një problem në politikat perëndimore ku Islami dhe myslimanët veçohen si ata që kanë probleme ekstremiste. E vetmja mënyrë për ta ndaluar këtë është përfshirja dhe evokimi, kjo është ajo që ne e bëjmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne përfshihemi dhe kemi përgjegjësi të avokojmë për atë që është e drejtë se kjo është më e mira për Amerikën dhe më e mirë për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
A është më e vështirë të jesh mysliman në Amerikë tashmë me presidentin e ri?
Edhe po edhe jo. Është më se e dukshme sepse na ka qortuar si myslimanë, ua ka ndalur myslimanëve të hyjnë në vend, njerëzit mendojnë se nuk na lejohet të falemi. Na lejohet të falemi dhe ne falemi, por ka një frikë dhe shumë të rinj po e braktisin Islamin, sepse po mendojnë që është një barrë e rëndë për ta, prandaj në këtë kuptim është më vështirë, por në të njëjtën kohë ka edhe mundësi, në Kur’an thuhet, me çdo fatkeqësi vjen edhe lehtësimi, nuk thotë pas fatkeqësisë por thotë me fatkeqësinë. Pra, brenda kësaj ne i gjemë përgjigjet, ne duhet të kalojmë nëpër vështirësi, nuk mund t’u vijmë rrotull, as sipër, as përfund, duhet të kalojmë përmes saj, që ta gjejmë përgjigjen. Duhet të punojmë shumë fort, duhet të sakrifikojmë për të arritur të drejtat tona me qëllim që të tregojmë se Islami dhe myslimanët mund të përfitojnë nga shoqëria perëndimore, kurse shoqëria perëndimore nuk mund të gjejë zgjidhje dhe paqe në Lindjen e Mesme pa ndihmën dhe këshillat e myslimanëve të Perëndimit. Problemi ka qenë se kur presidenti im thotë ‘dua të shkoj dhe të gjej udhëheqësit e Islamit’, shkon në Arabinë Saudite, nuk vjen në Arizona, Kaliforni apo edhe në vetë oborrin e tij në Uashington DC, ku ka qindra e mijëra myslimanë, prandaj ne jemi të padukshëm në këtë çështje. Duhet të imponohemi, të dalim në skenë, të dëgjohemi kur themi ‘ja ku jemi ne myslimanët e Amerikës dhe kemi diçka për të thënë’, jo vetëm që kemi të drejtë ta themi, por ju duhet të na dëgjoni nëse doni të gjeni zgjidhje për këto probleme. Lindja e Mesme nuk mund të zgjidhet pa kontributin dhe pjesëmarrjen e myslimanëve në Evropë dhe në SHBA.
Pra, Arabia nuk është ai shembulli më i mirë që duhet të merret?
Është më i keqi. Nuk ekziston diçka e tillë si monarkia që bashkëpunon me grupe religjioze për të krijuar një aleancë jo të shenjtë. Ku është kjo në Islam? Ku është kjo në Kur’an? Askund. Nuk ka diçka të tillë si teokracia që e gjemë në Iran e që është në Kur’an. Fatkeqësisht, sa më shumë që politika e Lindja e Mesme futet në religjion, aq më tepër largohet religjioni, duket sikur ka një religjion krejt tjetër. Nga na erdhi e tërë kjo dhe njerëzit supozojnë se ne jemi këta në Amerikë, e ne u themi jo ne nuk jemi këta, e atëherë duhet t’ua shpjegojmë se kush jemi më të vërtetë. Ne jemi mësues, ne jemi mjekë, juristë, jemi njerëz.
Njerëz të zakonshëm?
Po, njerëz të zakonshëm, por më e rëndësishmja, ne jemi bërë të paqes. Kjo është mundësia jonë të tregojmë se si Islam dhe si myslimanë, mund të ndihmojmë në arritjen e paqes në mes Perëndimit dhe vendeve me shumicë myslimane.
Sigurisht që për myslimanët në Amerikë jeta ka qenë më e vështirë pas 11 shatorit, për shumë vjet, për mënyrën se si janë portretizuar, posaçërisht në media?
Fatkeqësisht, 11 shtatori ka qenë i shkruar në mure. Kullat binjake janë sulmuar herët në vitet e 90-a, sulmet në Afrikën Lindore, ka pasur sulme gjatë tërë kohës, ka qenë ngritja e Al-kaidës që nga koha e luftimeve në Afganistan, pastaj ka dalë ISIS-i. Për fat të keq, ekstremizmi i dhunshëm, në njëfarë mënyre, ka qenë një rezistencë në Lindjen e Mesme. Ajo që po themi është, le t’u ndihmojmë njerëzve ta arrijnë paqen, pa u lëshuar në dhunë. Perëndimi mund të ndihmojë nëse krijojnë forume për një ndryshim të tillë , kur qeveritë perëndimore të jenë të sinqerta në kërkimin e ndryshimit. Por duhet të heqin dorë nga varësia e tyre për kontrollimin e naftës së Lindjes së Mesme dhe vartësinë e tyre në mbështetjen edhe sponsorizimin e diktatorëve në Lindjen e Mesme. Ky është mesazhi ynë tek njerëzit. Vetëm përmes kësaj përfshirje të njerëzve përfundimisht mund të ndërrojnë qeveritë. Mos prisni që qeveritë të ndërrojnë vetvetiu. Duhet të ekzistojë një ndërveprim nga njerëzit në bazë , kur kjo lëvizje në e dhashtë Zoti të ngritet lart dhe të sjellë ndryshimin brenda qeverisë.
Sapo kemi parë një sulm terrorist në Sri Lankë ku më shumë se 300 veta janë vrarë, dhe ISIS-i ka marrë përgjegjësinë. Presidenti Trump pat thënë se ata tashmë kanë mbaruar, Kalifati nuk ekziston më. A besoni ju se ka mbaruar?
Presidenti Bush pati thënë: “Misioni u përmbush”, menjëherë pasi që e pati filluar luftën në Irak, dhe ne e kuptuam që, a e dini cila është gjëja më e keqe, është se kur ka një gënjeshtër se Iraku ishte përgjegjës për 11 shtatorin dhe qeveria nuk bën asgjë që ta qartësojë këtë gënjeshtër, tani ende kemi njerëz që besojnë se Iraku ka qenë i përfshirë në 11 shtatorin. Nuk ka pasur nevojë të shkohet në Irak, nëse është dashur të merremi me Sadam Hyseinin ka pasur mundësi t’i dilet në krye me Sadam Hyseinin pa pasur nevojë të shkohet atje dhe të shkatërrohet një shtet i tërë si mjet për largimin e Sadamit. Ne duhet të merremi me këto gjysmë të vërteta dhe të merremi me politikanë dhe presidentë që po e shfrytëzojnë frikën dhe histerinë e popullit që kur të shkojnë në zgjedhje të fitojnë dhe në fund të fundit kjo është e tërë çështja. Por, ISIS- i është realitet dhe fatkeqësisht pasi të shkatërrohet edhe ISIS-i do të mbijë diçka tjetër sepse kushtet në ato vende nuk kanë ndryshuar. Nëse ka luftë dhe ka diktaturë dhe nuk ka qeverisje qendrore të fortë dhe nuk ka një ndjenë të fortë të shoqërisë dhe materialit që funksionon për ndryshim, atëherë një ISIS të ardhshëm apo ndonjë version të ISIS-it do të na vijë dhe do duhet të merremi edhe me të, por duhet të merremi me shkaktarin rrënjësor të terrorizmit. Padrejtësitë, korrupsioni, diktatura, ekstremizmi fetar , duhet të merremi me të gjitha me qëllim që të trajtojmë këtë problem para se të dalë një version tjetër i ISIS-it.
Po flasim pak për vendimin e presidentit Trump për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së në Jerusalem?
Prapë standard i dyfishtë ku Amerika dëshiron të jetë ndërmjetës i ndershëm për paqen në Lindjen e Mesme , por janë të njëanshëm dhe të dyja nuk shkojnë. Nëse doni të jeni i njëanshëm ndaloni së thëni se po doni të jeni të drejtë dhe se po doni të gjeni një zgjidhje të drejtë. Në këtë moment palestinezët po shtyhen drejt detit, në këtë moment okupimi është një realitet. E ka bërë Jerusalemin për izraelitët e jo për palestinezët. I lejoi Izraelit aneksimin e Rrafshnaltës së Golanit , ia dha Netanjahut dritën e gjelbër, e pastaj po doni të thoni se myslimanët janë të vetmit me probleme ekstremizmi. E tërë çështja e okupimit të territorit palestinez dhe zgjerimi i vendbanimeve hebreje në tokat palestineze bazohet në ideologjinë ekstremiste të izraelitëve. Pra ka ekstremizëm tek hebrenjtë, ka ekstremizëm tek të krishterët dhe ka ekstremizëm në mes myslimanëve. Nuk është problemi i vetëm një religjioni, është problemi i të gjithë neve dhe duhet së ndaluari që të etiketohemi si ekstremistë, se ne jemi këta kundër atyre dhe të merret ekstremizmi si një fe kundër tjetrës.
Padyshim që presidenti nuk e përkrah zgjidhjen si dy shtete , Presidenti Trump nuk e përkrah zgjidhjen si dy shtete?
Jo nuk e pranon, e as Netanjahu nuk e pranon një gjë të tillë. Netanjahu gjatë gjithë kohës ka qenë kundër marrëveshjes së Oslos për zgjidhjen me modelin e dy shteteve. Me kohë do të përballemi me probleme edhe më të mëdha, probleme për SHBA por edhe për rajonin dhe kam frikë se fatkeqësisht gjëra edhe më të këqija do të ndodhin, më shumë luftë, më shumë vuajtje, dhe tërë faji do t’ vihet Islamit.
Si e shihni rolin e Turqisë, veçanërisht në këtë rajon ku ajo ka ndikim të madh, në Kosovë dhe Bosnjë, po sjellin shuma të mëdha parash , po investojnë shumë, the Erdogani në perëndim nganjëherë po shihet edhe si diktator?
Përfundimisht kur sheh arrestimin e gazetarëve dhe manipulime të shumta nga ajo qeveri atëherë fillojmë të pyesim se sa demokratike janë këto institucione në Turqi. Turqia mund të bëhet ajo çfarë do të bëhet dhe Erdogani mund të bëhet ai që dëshiron të bëhet, por nuk mund t’i lejojmë vetes të kemi një shpëtimtar për të gjithë, nuk do të ketë një lider të tillë.
Por Erdogani po mendon që është i tillë, si shpëtimtar i myslimanëve kudo qe janë ata.
Duhet ta ndalojmë atë, ta ndalojë të thotë atë dhe t’i themi jo. Ne zgjidhjet tona do t’i gjejmë në Kosovë , do t’i gjemë zgjidhjet tona në Amerikë, do t’i gjejmë zgjidhjet kudo në botë, ti nuk je shpëtimtari ynë, mund të kujdesesh për interesin e vendit tënd , mund të kujdesesh për partinë tuaj politike dhe aty ndalu, mos u merr me çështje globale, ku secili person shumë lehtë mund të pretendojë se është shpëtimtari i të gjithë myslimanëve. Nuk ekziston diçka e tillë. Shumë herë i kemi rënë atij shtegu ku dikush ka pretenduar se është shpëtimtari që nga Gamal Abdl Naseri, pastaj Sadami dhe kushdo tjetër, por diçka e tillë nuk ekziston. Ne jemi shpëtimtarë të vetvetes. Duhet të fillojmë së menduari për zgjidhjet tona. Më parë do pranoja të jem i varfër dhe i lirë sesa të marr paratë e tyre dhe të jem i pasur, por i kontrolluar nga policia e tyre për mendjen. Kur unë e humb lirinë e të shprehurit për atë që besoj se është e drejtë atëherë sa ia vlen që të punojmë për Islamin, sepse tani po punojmë për agjendën politike të dikujt tjetër. Kur punoj për Islamin kjo nënkupton se duhet të punoj për popullin tim, së pari të shoh çka është në interes të popullit tim, e tek pastaj mund të fillojmë të flasim kokë më kokë, flasim si të barabartë dhe krijojmë ndërvarshmëri, por mos ejani të më thoni se duhet të varemi nga ju për të fituar pavarësinë tonë , jo, sepse fitimi i pavarësisë nga qeveritë e huaja vetëm shpien tek mjerimi edhe më i madh.
Tani të flasim pak për mediat, sepse ju thatë se merreni me media, gjithashtu i kemi parë disa intervista tuaja dhënë për Fox News, media e krahut të djathtë, që edhe tani në të shumtën e kohës i paraqet myslimanët si keqbërës.
Mendoj se ky është një problem që ne e hasim si myslimanë në media, jemi ose keqbërës ose viktima por jo fitimtarë. Duhet të ndërtojmë një paradigmë ku ne e kemi arritur atë fitore për veten tonë, por edhe për bashkëkombësit tanë amerikanë dhe të gjithë njerëzimin. Kjo është ajo pamja që ne po përpiqemi ta krijojmë, myslimanët janë mjekë që shpëtojnë jetë, janë mësues që mësojnë popullin, myslimanët janë inxhinierë që ndihmojnë në ndërtimin e qytetërimeve, myslimanët janë juristë që u ndihmojnë njerëzve të mbrojnë të drejtat e tyre. Kjo është pamja e vërtetë që ne po duam të krijojmë ne media dhe kjo nuk po i pëlqen FOX-News-it. Vështirë.
A u jepet mundësia të flisni me ta, të përpiqeni t’ua tregoni vlerat e myslimanëve të Amerikës?
Po e bëjmë këtë. Ka njerëz që shkojnë në Fox News por edhe në mediat tjera, por në masë të madhe ne ende mbetemi të pavërejtur në kuptimin e opinionit publik amerikan. Me fjalë tjera ata vijnë te ne vetëm në raste të krizave, dhe na thonë a mund të dënoni rastin , që ne edhe bëjmë . Është me rëndësi të tregojmë se ne jemi kundër këtyre akteve mizore si në Sri Lankë , që janë të tmerrshme dhe shkatërruese ose kudo tjetër si këto. Ne duhet të tregojmë se i përkasim rrymës kryesore të shoqërisë dhe mendoj se mund të gjejmë vendin ku mund të lëshojmë rrënjët tona dhe të krijojmë një gjendje më të mirë për komunitetin tonë.
Në fakt tashmë janë dy anëtarë të Kongresit që janë zgjedhur e që janë myslimanë dhe janë femra, madje njëra e bart edhe shaminë në kokë. Bukur mahnitëse, apo jo?
Në fakt po ashtu është. Mendoj se kjo është mahnitëse për Amerikën ku një grua e mban shaminë dhe që ka qenë refugjate nga Somalia, ka ardhur në Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe ka gjetur rrugën që të bëhet anëtare e Kongresit amerikan. Ka pasur shumë reagime lidhur me këtë , për dhe kundër saj , por kjo është mënyra njerëzore , jo vetëm mënyra amerikane. Gjithmonë do të ketë kësi lloj reagimi. Ajo ka bërë disa gabime në përgjithësi, por…
Komentet e saj për Izraelin.
Për hebrenjtë dhe komunitetin hebre, dhe për gjëra të caktuara për 11 shtatorin , ku mendoj se ka mundur të jetë paksa më e saktë. Të gjithë ne gabojmë. Presidenti Trump ka shkuar te komuniteti hebre dhe u ka thënë: “ Nuk më duhen të hollat tuaja, sepse ju i keni në kontroll politikanët” , kjo është antisemitizëm dhe ai është president i SHBA-së e nuk ndodhë asgjë. Këtu e kam fjalën për standard të dyfishtë sepse kur një mysliman bën një gafë të tillë politike atë person e poshtërojnë publikisht, kur dikush tjetër thotë atëherë: lëreni fare se ai është pjesë e institucionit. Ne duhet të gjemë mënyrën si të përballemi me politikat e establishmentit.
A shihni ndonjë politikan tjetër mysliman që synon të marrë pozita të larta?
Ka shumë myslimanë që punojnë në nivelin e shteteve por edhe në nivel lokal, dhe këtë e shoh si të rëndësishme, ndoshta edhe më të rëndësishme se sa të jenë anëtarë të Kongresit. Ka të bëjë se si ne mund të ofrojmë aktivitetin tonë në sigurinë, prosperitetin, arsimimin, mirëqenien, kujdesin shëndetësor bashkëqytetarëve tanë, t’u themi se këto gjëra i bëjnë myslimanët. Përveç diskutimeve të qeverisë federale lidhur me sigurinë nacionale dhe politikën e jashtme, këtu ne e shohim edhe ndryshimin më të madh. Tashmë i kemi rreth 100 myslimanë si të zgjedhur në pozita në nivelin lokal anembanë vendit. Për mua kjo është e mrekullueshme.
Shumica prej tyre Demokratë, apo jo?
Diku 90 %, por mund të gjeni edhe disa Republikanë , kurrë nuk i dihet ndoshta më vonë mund të gjeni më shumë. Çështja është se ne duhet të jemi në paqe me anën tjetër, nuk po dua të dukemi se ne gjithherë jemi në luftë ose që nuk e pëlqejmë njëri tjetrin, Kurani thotë se e mira dhe e keqja nuk janë të barabarta, prandaj shporreni të keqen me anë të së mirës , dhe me atë qe ke urrejtje bëje si të jetë miku yt më i afërt . Pra, Kurani po thotë mos punoni në konvertime fetare por punoni në konvertim të shpirtit, krijoni miq, Zoti na ndjeftë por kemi aq shumë armiq, tashmë është koha të bëjmë më shumë miq në shoqërinë tonë.
Me këtë po e përfundojmë, kaq na premtonte koha , ju falënderojmë shumë z. Maryati që ju patëm këtu me ne.
Faleminderit për bisedën./koha.net/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...