Burime nga Shqiptarja.com mësojnë se ditën e sotme, Rea Xhillari ka paditur në gjykatë gazetarin Zheji dhe 7 portale të tjera, pas artikujve të publikuar prej tyre, ku shkruhej se vajza e Linda Rames ishte në një lidhje bashkëjetese me Ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Më poshtë, Shqiptarja.com ju sjell te plote arsyetimin e Rea Xhillarit dorëzuar në Gjykatë.
Arsyetimi i plotë i Rea Xhillarit:
Jam detyruar të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të sajuar e të orkestruar ndaj meje, nga portale e individë për të cilët mësova se në gjuhën ligjore quhen “të paditurit solidarë”. Ky sulm i mirëfilltë denigrues mbi bazën e një shpifjeje, e ka fillesën në mesin e muajit Janar 2019, kur jam vënë në shënjestër prej të paditurve solidarë. Ata apo më saktë fillimisht Artur Zheji pastaj të tjerët, kanë sajuar dhe përhapur lajmin e rremë, të shoqëruar me komente të turpshme, mbi një lidhje intime apo bashkëshortore timen me Z. Gent Caka, Zv. Minister për Evropën dhe Punët e Jashtme – person të cilin as e njoh personalisht dhe as e kam takuar kurrë ndonjëherë, qoftë edhe rastësisht.
Nuk i njoh as i kuptoj motivet që kanë shtyrë Artur Zhejin, një person në moshë goxha madhore, aq sa mund të ishte prindi im, të më sulmojë kaq ligësisht e paturpësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Unë nuk merrem me politikë, nuk punoj dhe as kam punuar kurrë për shtetin. Respektoj cdo ligj dhe cdo detyrim si qytetare e vendit tim. Nuk kam përfituar kurrë prej shtetit asnjë privilegj apo favor të çfarëdo lloji.
I vetmi fill lidhës mes meje dhe botës së shpifjeve, mediokritetit dhe imoralitetit intelektual ku noton ky soj të paditurish solidarë, është fakti se jam vajza e Linda Ramës, e cila nga ana e saj, vetëm për shkak se është gruaja e Edi Ramës, është vënë në shënjestër, goditur, përbaltur nga i njëjti soj, me të njëjtat mjete denigruese të botës së tyre të ulët.
Në fakt, as nëna ime nuk ka përfituar kurrë ndonjë favor nga të qënit gruaja e kryeministrit. Jeta e saj vazhdon e njëjtë, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose jo, materiale apo financiare me shtetin. Profili i saj është një model shëmbullor i një jete pa privilegje, me një përditshmëri të pandryshuar dhe të lidhur ngushtë me punën e saj, të cilën e kryen me profesionalizëm e pasion prej 30 vitesh, pavarësisht se i shoqi është prej afër 6 vjetësh Kryeministër i Shqipërisë.
Shpifjet kanë arritur deri tek im atë, Thanas Xhillari, profesor i mirënjohur i algjebrës përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili gjithashtu respekton çdo ligj dhe çdo detyrim si çdo qytetar i këtij vendi. Për interesat politike të atyre që kërkojnë t’i hedhin hije të shkuarës së nënës sime për të shtuar përbaltjen ndaj të shoqit, edhe im atë u përfshi prej të paditurve solidarë, përmes disa pseudoakuzave, në një tjetër maskaradë mediatike. Ai u ballafaqua edhe me një proces të gjatë hetimi nga prokuroria, ku e tërë balta e hedhur mbi të u tret në lumin e fakteve kokëforta që dolën nga hetimi i provimeve të algjebrës, të disa pseudostudentëve që s’kishin marrë dot provimin. Ashtu si nëna ime, babai im ështëgjithashtu një model shëmbullor i mungesës së kompromiseve që mund të dëmtojnë profesionin e tij të cilin e kryen me pasion e përpikmëri prej 40 vitesh.
Këto modele të cilat janë edhe udhërrefyesi im në rrugëtimin e jetës, siduket janë të papërfytyrueshme , të pabesueshme dhe të papranueshme për sojin e të paditurve solidarë. E vërteta për ta nuk ka asnjë rëndësi, ndërsa interesat e tyre mesa duket justifikojnë çdo mjet sado të ulët.
Por e vërteta mund të vonojë, po nuk harron asnjëherë, megjithëse kur ajo del mbi llumin e të paditurve solidarë këta të fundit refuzojnë ta ndajnë atë me publikun.
“ Fenomeni i nepotizmit godet ashpër qeverinë Rama 2 në Ministrinë e jashtme tëShqipërisë. Në rrjetet sociale, dhe disa portale kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë se vajza e gruas së Kryeministrit Rama, Linda Ramës, Rea dhe Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme-Genti Cakaj, janë në “bashkëjetesë” si i thonë në Shqipëri këtij lloj trendi ..[omissis] Madje, ka edhe dyshime se Ilir Meta-mund të kishte marr informacion nga shërbimet sekrete të sigurisë kombetare të Shqipërisë për këtë lidhje “dashurie” mes Genti Cakaj dhe Rea Xhillarit”…
Kjo është një copëz e nxjerrë nga moria e paragrafëve trillues, të shkruar gjatë këtyre ditëve me një gjuhë të lemeritshme në çdo drejtim, të cilët kam qenë e detyruar t’i lexoj dhe koleksionoj për gjyqin me këtë soj të paftuarish në jetën time.
Unë kam lindur në vitin e ndryshimit të sistemeve dhe nuk e kam njohur përveçse nga tregimet e gjyshërve, prindërve, mësuesve apo dhe nga leximet e rastit, barbarinë e regjimit komunist deri në fisin dhe farën e kundërshtarit politik. Nuk dua të bëj krahasime që çalojnë me një kohë kur edhe lidhjet e dashurisë, bëheshin shkak për pushkatime, internime apo denigrime publike vajzash. Nuk e di nëse në atë kohë sajoheshin për qëllime politike, deri edhe lidhje të paqëna mes njerëzish krejt të panjohur për njëri-tjetrin. Por ajo që di me siguri është se shtrirja e kthetrave të dhunës verbale dhe presionit psikologjik të këtij soji , brez pas brezi, deri tek fëmijët e kujt konsiderohet kundërshtar politik, është shprehje e të njëjtës ligësi kriminale që karakterizon çdo sistem padrejtësie.
Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, personi është privat dhe jo pronë e shoqërisë. Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, gjëja e parë që mëson është se liria jote mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sajimi i një lidhjeje të paqënë mes dy te rinjsh për të luftuar politikisht me prindin e njërit prej tyre, është një perversitet i pashoq që s’ka asnjë lidhje me këtë sistem.
Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti, përvecse duke i’u drejtuar drejtësisë.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...