Google ADS

Jonuz Salihaj dorëhiqet nga AAK-ja, numëron arsyet prapa vendimit

19:06 | 24 Prill 2019
Arbresh.info

Jonuz Salihaj ka dhënë dorëheqje nga AAK-ja pasi ishte shkarkuar nga posti i Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Përmes një emaili ai ka konfirmuar për koha.net arsyet e kësaj dorëheqje.

Ai ka akuzuar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti se “kontrollonte procesin e punësimit në favor të partisë së tij, pa asnjë kriter”, si dhe partinë e tij, AAK-në që “ushtronte trysni për rehatimin e militantëve analfabetë apo familjarët e ndonjë deputeti, ministri apo vozitësve të tyre, shumica e të cilëve kishin diploma të kolegjeve private, me të cilat nuk lejohej punësimi në arsim”.

Më poshtë keni letrën e dorëheqjes së Salihajt:

I nderuari Kryetar,

Kryesi e Nderuar e AAK-së,

Si njeri nga themeluesit e AAK-së kaluam një rrugëtim me plotë sfida, vështirësi dhe suksese të pakontestueshme.

Gjatë kësaj periudhe gati 20 vjeçare, kam shërbyer me dinjitet dhe pa asnjë skandal që do të zbehte autoritetin e këtij subjekti politik.

Të gjithë kemi ëndërruar dhe kemi punuar që të krijohen konditat për realizimin e prioriteteve tona programore.

Qeverisja e vitit 2004 ishte mbresëlënëse por u ndërpre në mënyrë të dhunshme pas ndërhyrjes së Gjykatës së Hagës.

Me padurim të gjithë kemi pritur realizimin e projekteve të mëdha, në kushte krejtësisht tjera, pasi Kosova ka hyrë në decenien e dytë të shtetësisë së saj.

Pritshmëritë ishin dhe vazhdojnë të jenë të larta, por edhe pengesat në disa raste ishin vështirë të kalueshme.

Jam i bindur se kemi mundur të bëjmë më shumë po të kishim kurajo të lirohemi nga disa interesa të ngushta personale dhe grupore.

Unë vazhdimisht kam qenë i gatshëm të kyçem në projekte të tilla zhvillimore pa pasur kurrë frikën e dështimit.

Ju, u përcaktuat për një zgjidhje tjetër, duke i dëgjuar disa të ashtuquajtur bashkëpunëtorë, të cilët shfrytëzuan çdo moment të ju gënjejnë dhe të ju dezinformojnë për veprimtarinë time. Ata shkuan aq larg sa që nuk ma mundësuan as një takim të shumë kërkuar me Ju.

Mosreflektimi i juaj për ngjarjet e fundit-shkarkimin tim, e në veçanti për arsyetimin e Kryetarit të Degës së Prishtinës që ajo u bë për shkak të performancës sime së dobët, për mua ishte shumë befasuese, irrituese dhe e papritur.

Një tedencë të tillë denigruese nuk mund ta kapërdijë dot, prandaj jam i detyruar të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet dhe anëtarësia e AAK-së.

Koha do të tregojë kush e ka pas gabim. Kurrë nuk do të lejoj që për shkak të një pozite në pushtet të nëpërkëmbet personaliteti im.

Unë jam shumë krenar për punën dhe veprimtarinë time dhe nuk do të pendohem asnjëherë për rrugën jetësore që e kam ndjekur gjerë më tani.

Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjithë anëtarët e AAK-së me të cilët kam bashkëpunuar, shpesh në kondita jonormale për të arritur këtu ku jemi tani.

Por kur arrihet caku, ka shumë shtyrje me bërryla e shumë patriotë që bëjnë yrysh për pushtet. Unë nuk i përkasë kësaj kategorie.

Salihaj gjithashtu tregon detajet për trysninë që i është bërë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe nga AAK-ja.

Më poshtë gjeni të dhënat e detajuara se për trysninë që Salihaj thotë se i janë bërë:

Gënjeshtrat dhe dyfytyrësitë politike në arsimin e Prishtinës vrasin të ardhmen e kësaj komune.

Vlerësimet ndërkombëtare tani më e kanë qartësuar pozicionin e Sistemit Arsimor të Kosovës në ranglistën regjionale, evropiane dhe më gjerë.

Pas shpalljes së rezultateve të testit PISA, u krijua një përshtypje kinse e vetëdijesimit të klasës politike për mosndërhyrje në arsim. Pasoi edhe një rritje buxhetore e cila shënoi një fije shprese për trajtimin e arsimit si prioritet. Mirëpo kjo klasë politike e cila ka fituar pushtetin duke u bazuar në favore dhe nepotizëm, përfundimisht nuk është e gatshme që të ndryshojë mënyrën e sjelljes. Çdo gjë është e lidhur me premtime paraelektorale dhe politika të cilat krijohen nëpër kafene, dhe mandej vendimet formale merren në organet partiake, dhe në fund vulosen në institucione të cilat janë plotësisht të kapura nga pushteti.

Kur u propozova për të udhëhequr DKA-në e Prishtinës për shkak të një historiku, autoriteti dhe përvoje të krijuar, nuk mendova se do të ketë ndërhyrje të përmasave të tilla nga eksponent partiak, që partinë e konsiderojnë si trampolinë për të përfituar çdo gjë, duke shkelur të gjitha normat etike dhe ligjore.

Por posa mora detyrën u ballafaqova me shumë probleme të akumuluara nga e kaluara, shkelje ligjore, rekrutim në kundërshtim me ligjin, transferime nepotike nga komunat tjera në Prishtinë, vendime gjyqësore të formës së prerë, të pa zbatuara etj.

Sikur këto mos të mjaftonin, tani u shtua edhe një karvan i gjatë i të ashtuquajturve aktivistë të AAK-së, që paraqiteshin në emër të degës së Prishtinës, Zyrës së Kryeministrit, Ministrave, Këshilltarëve Politik, Asamblistëve etj.

Arsyetimet ishin të ndryshme por emërues i përbashkët i tyre ishte presioni për të kryer punë, me çdo kusht, pa marrë parasysh a ishte kjo e mundshme apo jo. Në krye të këtij grupi qëndronte kryesuesi i degës së AAK-së, i cili i mllefosur për arsye të mos zbatimit të urdhrave të tij, kishte premtuar publikisht para sejmenëve të vetë, se do të bëjë çdo gjë të më shkarkoj nga detyra.

Kështu nga fillimi i punës u vendosa në një senduiq në mes të interesave të Kryetarit të Komunës, i cili kontrollonte procesin e punësimit në favor të partisë së tij, pa asnjë kriter, dhe partisë sime, e cila për çdo ditë ushtronte trysni për rehatimin e militantëve analfabetë apo familjarët e ndonjë deputeti, ministri apo vozitësve të tyre, shumica e të cilëve kishin diploma të kolegjeve private, me të cilat nuk lejohej punësimi në arsim.

Në fund si duket u gjete kompromisi për shkarkim, kalimi i DKA-së nënë menaxhimin PSD-së për një arsye të vetme, nuk mund të vazhdohet tutje me një njeri parimor që nuk shndërrohet në instrument të askujt.

Po kthehem edhe një herë te arsyet bazike, pse e dëshironte këtë z. Shpend Ahmeti ?

Në takimin e parë para se ta filloja punën, në fund të dhjetorit të vitit 2017, ia kam bërë të qartë parimet e qeverisjes:

Kthimin nënë menaxhimin e DKA-së të të gjitha institucioneve të nivelit 0, çerdhet dhe kopshtet, me theks të posaçëm të atyre me bazë në komunitet, të cilat kryesisht menaxhoheshin nga asistentja e Shpendit, apo në rastin më të mirë, nga një këshilltare e tij, pa asnjë vit përvojë pune dhe me diplomë të Kolegjit AAB.

Kthimin nën menaxhimin e DKA-së, të Kuzhinës Qendrore, e cila shfrytëzonte burimet buxhetore, konkretisht mjetet e ndara për mallra dhe shërbime dhe na kushtonte më shumë se 700.000 euro në vit.

Zbatimin e Ligjit për Arsim Para universitar, për punësimin e drejtorëve, mësimdhënësve dhe personelit teknik të shkollave që nënkupton kthimin e këtyre kompetencave nën ombrellën e DKA-së, pra të mos vazhdohet që këto emërime dhe rekrutime t’i kryej një mekanizëm i krijuar për qëllime partiake- Zyra për Burime Njerëzore. Për këtë mekanizëm të shpikur vetëm për komunën e Prishtinës, e kam njoftuar edhe Ministrin e Arsimit. Kërkova takim edhe me Kryeministrin ku do të bisedoja për këto qështje por nuk morra përgjigje.

Nga ky takim me z.Shpendin mora një aprovim të heshtur por kuptova se kjo nuk i pëlqeu. Këtë e vërtetova posa u shpallë Konkursi i rregullt për drejtor në fund të vitit të kaluar mësimor. Tani më 37 shkolla mbaheshin me ushtrues detyre dhe ky përbënte prioritetin tim kryesor, pasi shkollat me ushtrues detyre të drejtorit kryesisht ruanin një status quo dhe nuk tregonin rezultate.

U shpall konkursi i rregullt për drejtor dhe të vetmen lëvizje që bëri Kryetari ishte logoja e Konkursit, në vend të Burimeve Njerëzore, e vendosi atë të DKA-së.

Erdhi procesi i formimit të Komisioneve dhe unë propozova që si ekspert i jashtëm për intervistimin e kandidatëve të jetë prof.. Halim Hyseni. Kryetari kishte vërejtje se ai nuk na dëgjon por pas arsyetimit tim e pranoj propozimin. Megjithatë kur erdhi koha për intervistimin e kandidatëve ai asnjëherë nuk lejoj që të ftohen në intervista, pasi kishte frikë se nuk e kontrollon procesin. Kështu konkursi praktikisht dështoi dhe deri në konkursin tjetër vazhdoj avazi i vjetër, vazhdimi i kontratave për ushtrim detyre.

Pas presionit tim u rishpall konkursi tjetër. Kryetari e formoi Komisionin vet . Në këtë rast më mbeti vetëm një mekanizëm për ndaljen e manipulimeve, rritja e transparencës gjatë procesit të rekrutimit të kandidatëve për drejtor. Ftova Këshillin e Prindërve të Komunës( KP) dhe mediat të jenë prezent gjatë intervistimit, në intervista morën pjesë anëtar të KP dhe Televizioni Klan. Kjo manovër e shpëtoi procesin dhe rezultoi me përzgjedhje adekuate në 80% të rasteve.

Kjo sigurisht që nuk i pëlqejë z.Shpendi Ahmetit prandaj ai priste rastin më të volitshëm që të lirohet nga një njeri i padëgjueshëm.

Kur z.Brahim Mehmetaj, drejtor i Inspeksionit dhe kryetar i vetëshpallur i degës së AAK-së në Prishtinë, organizoi puçin për shkarkimin tim në muajin nëntor të 2018, askush nuk e mori seriozisht, pasi që ky mekanizëm nuk më kishte emëruar në pozitën që e ushtroja-Drejtor i DKA-së.

Z. Haradinaj nuk kishte mundësi me iu kundërvu z. Shpend Ahmetit pasi që PSD tani më e mbante në këmbë Qeverinë e Kosovës.

Më në fund me 14.02.2019, në ora 14 z. Shpend Ahmeti më ftoi në zyrën e tij dhe ma kumtoj vendimin që nuk mund të vazhdojmë më tutje bashkëpunimin, për arsye se unë, sipas tij, nuk i përfaqësoj më interesat e AAK-së. Në këtë mënyrë ai u shndërrua në zëdhënës të z. Brahim Mehmetajt dhe të AAK-së.

Gjatë takimit ftova Kryeministrin por ai nuk u përgjigj. Kontaktova me këshilltarin e tij, Avni Arifin dhe kërkova takimin me Kryeministrin por kjo nuk mu mundësua.

E vazhdova punën edhe të premten me 15 shkurt dhe e lirova zyrën.

Nuk pat reagime as pas deklaratës së Kryetarit të Degës së AAK-së që shkarkimi im ishte, kinse për shkak të performancës së dobët.

Kërkova të më jepet vendimi për shkarkim nga detyra por z. Shpend Ahmeti e përpiloi vendimin për lirim. Nuk e kam pranuar këtë vendim, pasi që fjala lirim nuk njihet në terminologjinë juridike. Ende po e presë vendimin e famshëm dhe arsyetimin për shkaqet e shkarkimit.

Kot prita edhe reagimin e kryetarit të AAK-së.

Nuk mund të besoja që një drejtor i vlerësuar në mbledhjen e fundit të Asamblesë, si më i suksesshmi të shkarkohet, kurse drejtori i Inspeksionit, me 0% të shfrytëzimit të buxhetit për vitin 2018, të avancohet në Drejtor të Pronës. E dija që ideja për shkarkimin tim, përveç nga ana e z. Brahim Mehmetaj ishte e përkrahur edhe e mbështetur edhe nga Grupi i Gjilanit në krye me z. Ahmet Isufi dhe z. Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës, por isha i bindur që Kryetari i AAK-së do të reflektoj dhe nuk do të lejojë një gjë të këtillë.

Në ndërkohë mora një ftesë nga AAK-ja se mbledhja e Kryesisë do të mbahet me 28.03.2019.

Si njëri nga themeluesit e AAK-së iu drejtova më një letër të shkruar Kryetarit të AAK-së, ku në mes tjerash kërkova që çështja e shkarkimit tim të vendoset në rendin e ditës dhe të diskutohet lirshëm, pa pranin time e pastaj të më kumtohet me shkrim për arsyet dhe shkaqet e shkarkimit.

Edhe kësaj radhe nuk morra kurrfarë përgjigje.

Pas kësaj distance kohore, çdo gjë është e qartë, e gjithë kjo është realizuar me bekimin e Z. Ramush Haradinaj, pasi që për këtë rast nuk pati asnjë koment, çfarëdo qoftë.

Tani as z. Shpend Ahmeti nuk ka pengesa për emërim të drejtorëve, rekrutim të mësimdhënësve dhe stafit edhe për DKA-në. Janë 10 pozita vakante që nuk lejonte të shpalleshin për shkak se nuk ishte i sigurt që e kontrollon procesin e rekrutimit.

Pra në skenë janë goditjet e ulëta partiake, beteja për numra, për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht.

i përket arsimit çdo gjë është e qartë, tani më të gjithë e dinë se atë e ka marrë lumi.

Kush ka menduar që 20 vite pas lufte në Parlamentin e Kosovës do të debatohet se a do të zëvendësohen orët e humbura apo jo, dhe në fund të shkelet vendimi i Ministrit që në në njëjtën kohë paraqet edhe shkelje të Ligjit për Arsimin Para universitar, që është ligji bazë, në hierarkinë e ligjeve që rregullojnë arsimin para universitare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme