A po mashtrojnë fermerët për përfitim të subvencioneve – deklarohet ministria e Bujqësisë

16:15 | 24 Prill 2019
Arbresh.info

Numri total i fermerëve që kanë përfituar pagesa direkte – Subvencione gjatë vitit 2018 gjithsej është 48 290 fermerë, ndërsa numri i atyre që ju është refuzuar kërkesa për shkak të deklarimeve të pasakta është 1746.

Jo rrallëherë fermerët e Kosovës kanë tentuar të mashtrojnë në mënyrë që të përfitojnë subvencione.

Mirëpo në Ministrinë e Bujqësisë thonë se tendencat për mashtrim identifikohen gjatë verifikimit në ferma.

“Sa u përket Pagesave Direkte-Subvencioneve, ka tendenca për mashtrim nga ana e disa fermerëve të papërgjegjshëm, por këto tendenca identifikohen gjate verifikimit në ferma”, thuhet në përgjigje të kësaj ministrie për lajmi.net.

Ata të cilët deklarohen rrejshëm përpos që nuk paguhen edhe sanksionohen.

“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë para çdo pagese bën verifikimet në ferma bazuar në Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi. Fermerët që kanë deklaruar rrejshëm, përveç që nuk paguhen ata kanë edhe sanksione administrative, si psh largimi nga çdo përkrahje nga AZHB-ja për tri vite”.

Kujtojmë se afati për të aplikuar për subvencione vitet e kaluara është hapur gjatë muajit mars. Ndërsa këtë vit Ministria e Bujqësisë ende nuk ka bërë ftesë për aplikim.

Gjatë muajit prill fermerëve iu është mundësuar që t’i sigurojnë kulturat bujqësore përmes sistemit kombëtar për sigurime nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme