Kë do të zgjedhin shqiptarët në balotazhin presidencial në Maqedoninë e Veriut?

16:47 | 23 Prill 2019
Arbresh.info

Kandidatët për presidentë të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova kanë kërkuar votat e shqiptarëve për balotazhin më 5 maj.
Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova kanë kërkuar që në paraqitjen e parë pas shpalljes së rezultateve, votat e shqiptarëve, që votuan për kandidatin Blerim Reka.

Këto do të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale. Kjo duke patur parasysh dallimin e ngushtë të votave prej më pak se një për qind, përkatësisht vetëm 4 mijë e 500 vota.

Stevo Pendarovski, kandidat për president i mbështetur nga partitë e koalicionit qeveritar, ka thënë se prej votuesve shqiptarë do të varet e ardhmja e vendit, pro Europës ose politikave bllokuese, të cilat i paralajmëron oponentja e tij në garë.

“Prej votuesve të Blerim Rekës pres që të më mbështesin në raundin e dytë. Dhe i ftoj të gjithë ata në mënyrë masive që të dalin dhe të votojnë. E di që ata në numër të madh mbështesin vizionin tim për Maqedoni europiane dhe të integruar në krahasim me bllokimet, të cilat i paralajmëron Siljanovska. Nga vota e tyre varet se çfarë drejtimi do të marrë vendi ynë më 5 maj”, është shprehur Pendarovski.

Gordana Siljanovska-Davkova është shprehur e bindur se koncepti i saj dhe ai i zotit Reka kanë pasur një bosht të përbashkët, atë të sundimit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

“E di se beteja sapo ka filluar. Por, nëse ne arritëm të sigurojmë një numër të tillë të votave dhe nëse këtu shtojmë dhe votat e zotit Blerim Reka si kandidat i pavarur, i cili u mbështet nga dy parti shqiptare në opozitë, porosia është shumë e qartë. Që të dy ne folëm për sundimin e drejtësisë për shtet të së drejtës, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe kriminalitetit”, ka theksuar Siljanovska.

Për kë do të votojë opozita shqiptare?

Të dyja partitë opozitare shqiptare duket se ende nuk e kanë përcaktuar qëndrimin e tyre përballë elektoratit, për raundin e dytë të garës presidenciale. Kryetari i Aleancës për Shqiptar Zijadin Sela dhe Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të bëhen pazare me 80 mijë votat e shqiptarëve.

“Qëndrimi ynë si Alencë për shqiptarët është po i njëti ai që e tha edhe profesor Blerim Reka, ne jemi kundër “aksham pazareve”, të cilat janë bërë formë dhe mënyrë e bërjes politikë në Maqedoninë e Veriut ”, ka theksuar Sela.

“Votuesi shqiptar votoi për konceptin e Republikës, që promovoi profesor Blerim Reka, votuesi shqiptar votoi për dëshpërimin që kanë bartur partitë që janë pjesë e qeverisë dhe në asnjë moment nuk përfaqësojnë shqiptarët aty, dhe në asnjë moment nuk mbrojnë interesat e shqiptarëve, por mbrojnë kriminelët në mesin e tyre”, ka thënë Bilall Kasami, shkruan DW.

Profesori Blerim Reka, i cili u eliminua nga gara presidenciale, sinjalizon se ai mund edhe të jetë neutral ndaj Pendarovkit dhe Siljanovkës, përkatësisht që mos t’i bëjë asnjë ftesë elektoratit të tij për raundin e dytë.

“E drejta e votës është e drejtë e shenjtë dhe nuk është e imja. Ajo është e drejtë që i takon qytetarëve dhe ata vetë vendosin se për kë votojnë. Unë nuk bëj tregti me votat e qytetarëve”, është shprehur Blerim Reka.

Partitë në pushtet presin përkrahje më të madhe në votimin e raundit të dytë

Lideri i Socialdemokratëve dhe njëherësh kryeministër, Zoran Zaev ka thënë se në raundin e dytë pret që votat e Rekës të shkojnë për Stevo Pendarovskin, sepse sipas tij Pendarovski ka nevojë për votat e kandidatit presidencial Blerim Reka.

“Ne kemi nevojë për votat e Rekës, kemi nevojë për të gjithë. Ne i ftojmë ata të bashkohen me ne, në konceptin e unitetit. Le të bashkohemi të gjithë në konceptin që na sjell krah për krah me botën moderne evropiane”, tha Zaevi.

Izet Mexhiti, shefi i shtabit qendror të BDI-së për zgjedhjet presidenciale thekson se partneri i koalicionit nuk mund akuzohet për bojkotim të procesit zgjedhor.

“BDI e përkrah Pendarovskin, votat e BDI-së janë vendimtare për fitore të Pendarovskit në raundin e parë, tash është shumë e qartë se ASH dhe zoti Blerim Reka dolën si kandidatë në këto zgjedhje vetëm që të ndihmojnë Siljanovskën dhe VMRO-në në skenën politike”, ka deklaruar Mexhiti.

A do të arrihet censusi i 40% të daljes në votim?

Dalja e vetëm 41 për qind të votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale mund të jetë sinjalizim për dalje më të vogël, sesa që kërkon pragu zgjedhor kushtetues prej 40 për qind në raundin e dytë më 5 maj. Dhe në këtë mënyrë mund të dështojnë zgjedhje presidenciale, kanë tërhequr vërejtjen analistët vendorë. Analisti politik, Mersel Billalli thotë se me mosdaljen e madhe të votuesve në raundin e parë partitë politike e morën një mësim të mirë, për dështimet e premtimeve të tyre.

“Të gjitha partitë politike nga këto zgjedhje morën leksione nga votuesit. LSDM për shkak të pritshmërive të mëdha dhe mbylljes në vete. VMRO-DPMNE mbeti me hipotekën e ‘Gruevizmit’ dhe mbrojtjes së krimit të organizuar, BDI tani më e harxhuar në shumë segmente, pasi vite me radhë funksionon pa oferta konkrete zhvillimore, kurse Aleanca për Shqiptarët vazhdoi me retorikë nacional-romantike që për një shtet në prag të bisedimeve për BE është total demode”, vlerëson Mersel Bilalli.

Analisti Aleksandër Kërzhallovski thotë se përkrahja e dobët e shqiptarëve ndaj Pendarovskit ka ardhur si pasojë e bojkotit të heshtur të BDI-së. Kërzhallovski thotë se BDI-do të bëj çmos që në raundin e dytë të sigurojë vota për Pendarovskin më shumë se kishte Reka në raundin e parë.

“Tek blloku shqiptar më duket se ka pasur njëfarë bojkoti të heshtur të BDI-së. Më shumë, qëllimi i tyre ka qenë që të parandalohet votimi për Blerim Rekën, se sa të votohet Pendarovski. Mendoj se BDI tani do të mobilizohet më shumë në raundin e dytë, megjthatë edhe të tregojë se e ka mbështetjen e popullit në ato vende ku tani fitoi Reka”, thotë Kërzhallovski.

Analisti Robert Nesimi thotë se mospjesëmarrja në votim në raundin e parë zgjedhor shtyn dilemën e mosprezencës së votuesit edhe në raundin e dytë.

“Nuk duket se ka njerëz që nuk kanë votuar në rrethin e parë dhe të jenë të gatshëm të votojnë në të dytin. Nga ana tjetër ata që votuan për Blerim Rekën nuk kanë asnjë arsye të dalin në rrethin e dytë, duke pasur parasysh se kanë antipati ndaj Siljanovskës, ndërsa janë ftohur edhe nga Pendarovski. Ka gjasa që votuesit shqiptarë të dalin në numër edhe më të vogël, e pa ta cenzusi sigurisht nuk arrihet”,vlerëson analisti Robert Nesimi.

Balotazhi për raundin e dytë në zgjedhjet presidenciale do të mbahet më 5 maj.

Të ngjashme