A do ta shtyjë KQZ afatin e regjistrimit për partitë? Të martën është afati i fundit i vendosur nga KQZ për regjistrimin e partive në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.
Deri tani numri i subjekteve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhje është 43. Kodi Zgjedhor ka parashikuar që partitë politike të mund të regjistrohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve. Në nenin 64 të Kodit Zgjedhor specifikohet afati, ku theksohet se: “Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Të martën skadon zyrtarisht afati që i lë në dispozicion kodi zgjedhor partive politike për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga subjektet politike që duan të jenë pjesë e garës elektorale, 35 janë regjistruar në KQZ, ndërsa 8 të tjera kanë aplikuar për t’u regjistruar.
Regjistrohet Partia “Zgjidhja”
Siç bën të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e së martës pritet të regjistrohen 9 parti të reja, në mesin e të cilave është dhe Partia “Zgjidhja”. Kreu i kësaj partie, Koço Kokëdhima, ka bërë dy lëvizje politike ditët e fundit, ka shpallur Paktin Kombëtar drejtuar partive politike, Kuvendit, Presidentit për tejkalimin e krizës politike, ku detajohen reformat e nevojshme zgjedhore dhe kushtetuese si dhe ndryshimet e domosdoshme në demokratizmin e partive dhe depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve. Lëvizja e dytë surprizë, ishte shpallja e kandidimit të Kokëdhimës përballë Veliajt për kryetar të bashkisë Tiranë. Megjithëse, sfida pritet të diskutohet dhe të marrë formë përfundimtare në kongresin e “Zgjidhja”-s, në fillim të majit, Kokëdhima është shprehur se vendosja e emrit të tij për garën e bashkisë së Tiranës është një kontribut për të rrëzuar “Princin e kurorës” së Rilindjes, për t’i dhënë një grusht kastës politike në pushtet. Ndërkaq, tetë partitë e tjera që pritet të regjistrohen janë: Pajtimit Kombëtar, Social-Punëtore, Partia Ligj dhe Drejtësi, Fryma e Re Demokratike, Aleanca Kuq e Zi si dhe Partia Lista e Barabartë.
PS dhe aleatëtPS dhe 18 parti të tjera aleate të socialistëve kanë dorëzuar dokumentet në institucionin qendror të zgjedhjeve. Por edhe në kampin e djathtë, 5 parti janë regjistruar për garën e 30 qershorit. Dikur aleatë të Bashës, Bashkimi Demokrat Shqiptar me kryetar Ylber Valterin, Partia Ora e Shqipërisë e drejtuar nga Zef Shtjefni, Bashkimi Liberal Demokrat e drejtuar nga Arian Starova, Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë e Arian Galdinit, si dhe Partia Kombëtare Konservatore e drejtuar nga Kujtim Gjuzi janë regjistruar për zgjedhjet vendore. Ndërkohë, 9 parti të reja nga radhët e opozitës do t’i bashkohen garës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
PD ka afat deri në 2 maj
Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat tjetër kohor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, që mund të jetë edhe mundësia e fundit për partitë që nuk kanë mundur të paraqiten në kohë pranë KQZ-së. Neni 65 i Kodit Zgjedhor flet për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, ku thuhet se: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”. Kësisoj, sipas kësaj pike, afati i fundit për t’u regjistruar është dita e parë e muajit maj, që edhe kjo përkon në kalendarin e festave zyrtare. Praktikisht, duke ndjekur edhe praktikën e shtyrjes së afatit me partitë politike, edhe koalicionet zgjedhore do të kenë afat të fundit datën 2 maj për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Pra, ky është shans që mund të kapet nga PD në momentin e fundit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialistet për Integrim kanë deklaruar se nuk marrin pjesë në zgjedhje pa u realizuan kushtet, mes të cilëve, edhe krijimi i një qeverie tranzitore, e cila do të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Por, kjo kërkesë e opozitës nuk është pranuar nga maxhoranca deri tani. Po ditën e martë, KQZ bën të ditur se do të japë mandatin e deputetit edhe për tre kandidatë nga listat e PD-së. Formularin e vetëdeklarimit e kanë dorëzuar kandidati Artur Rroshi nga lista shumemërore e Partisë Demokratike në Tiranë, kandidati Nikolin Staka nga lista shumemërore e Partisë Demokratike Shkodër dhe kandidati Zef Shtjefni nga lista shumemërore e Partisë Demokratike.
PD konsulton programin elektoral me CDU-në
Partia Demokratike po punon për një program 100 ditor, nesër në qeveri, të cilin po e konsulton me ekspertë të CDU-së gjermane, të cilët do të vijnë në 26 prill në Tiranë. Të hënën, kryetari i PD-së, Lulzim Basha mbledh Kolegjin e Kryetarëve për protestat e radhës. Në një kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati zyrtar për regjistrimin në KQZ, si subjekte politike garuese për zgjedhjet e 30 qershorit, Partia Demokratike ka shpallur vendimin për t’i bojkotuar ato, ndërsa kusht themelor mbetet largimi i Ramës. Për këtë qëllim, ditët në vijim duke nisur nga e hëna, Lulzim Basha do të jetë në takime intensive më strukturat drejtuese, ku do të përcaktohet qartë axhenda që opozita do të ndjekë. Në fillim të javës, Basha do të mbledhë Kolegjin e Kryetarëve, për të përcaktuar axhendën e protestave, që pritet të shtrihen edhe në rrethe, ndërsa data 11 maj mbetet si më e mundshmja për protestën e katërt kombëtare. Por krahas aksionit të protestave, Lulzim Basha, ka aktivizuar edhe grupet e punës brenda selisë blu, të cilat po hartojnë një program elektoral fokusuar në 100 ditët e para të Partisë Demokratike në qeveri, nëqoftëse arrihet objektivi për largimin e Ramës dhe qytetarët do ti besojnë pushtetin. Programi shtrihet në disa fusha kryesore, ekonomia, rendi, siguria, shëndetësia dhe arsimi, ndërsa ekspertët demokratë po asistohen nga ekspertë gjerman të CDU-së. Për këtë qëllim, më 26 prill pritet që një delegacion i CDU-së gjermane të mbërrijë në Tiranë, nga ku bashkë me Lulzim Bashën do prezantojnë për publikun platformën e opozitës/Shekulli.
Komuna kërkon intensifikimin e punimeve në vazhdimin e Rrugë...
FSHF-ja do ta nderojë 14-vjeçarin që u nda nga jeta në Shqip...
Çfarë parashikon doktrina e re bërthamore e Rusisë?
Edi dyshon: Kur vjen motra me të thanë për babë nuk është mi...
Lirohet pa akuza gruaja iraniane që u zhvesh në shenjë prote...
Sam Altman i OpenAI pjesë e qeverisë së San Franciskos