Google ADS

ZRrE pranon që KEDS-i nuk i raportoi 3.5 milionët e konsumatorëve

09:04 | 22 Prill 2019
Arbresh.info

Prej 10 milionë euro sa i kishte të hyrat në vitin 2019 nga “aktivitetet e parregulluara”, KEDS-i i raportoi në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZrrE) vetëm 6.6 milionë euro. 3.5 milionë euro tjera, në emër të të hyrave nga jo-balancët e energjisë, nuk u raportuan fare nga kompania turke.

Ky konstatim që del nga raporti i ZRrE-së “Përshtatjet Vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale për KEDS”, ngrit edhe më shumë dyshime mbi vendimin e fundit të rregullatorit përmes të cilit ia “fali” KEDS-it 3.5 milionë euro të konsumatorëve.

“Vlera e këtyre të hyrave të realizuara nga OSSh në vitin 2018 është raportuar nga KEDS-i të jetë 6.6 milion euro, mirëpo ZRrE ka marr vlerën e realizuar e të hyrave nga shërbimet e përjashtuara nga draft pasqyrat financiare të dërguara në ZRrE të cilat janë 10 milion euro. Dallimi kryesor është se KEDS nuk ka paraqitur të hyrat e realizuar nga jo-balancet e energjisë”, thuhet në raportin e ZRrE-së.

Këtë çështje për Buletinin Ekonomik e kanë komentuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, derisa kanë pranuar se ka pasur mospërputhje të të dhënave.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ZRrE, Adelina Murtezaj, ka vlerësuar se në rastin konkret ka pasur mospërputhje në mes të dhënave preliminare që i dorëzon operatori dhe pasqyrave financiare.

“Sa i përket çështjes se jo-balancave dëshirojmë te sqarojmë se procesi i Azhurnimeve vjetore, përkatësisht Aplikacioni për Azhurnime vjetore fillon ne muajin dhjetor me te dhëna preliminare, kur ende nuk janë përgatitur draft pasqyrat pasqyrat financiare. Gjate vlerësimit te aplikacionit dhe përgatitjes se Raporteve Konsultative te licencuarit dërgojnë draft Pasqyrat financiare dhe çdo ndryshim në mes te Aplikacionit dhe këtyre draft pasqyrave reflektohet ne këtë Raport”, ka thënë Murtezaj.

Në rastet kur ka fshehje të informatave, Murtezaj ka thënë se rregullatori merr të gjitha masat e duhuara të përcaktuara në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, madje duke shqiptuar edhe gjoba, por edhe masa tjera administrative. Mirëpo nuk ka sqaruar nëse janë marrë masa ndaj KEDS-it, në këtë rast.

Ndryshe në mbledhjen e fundit, Bordi i ZRrE-së njëzëri vendosi që 3.5 milionë euro nga jobalancët e energjisë t’i mbesin KEDS-it, ani pse ekspertët e ZRrE-së, kishin rekomanduar që ato iu takojnë qytetarëve.

Sipas raportit të ZRRE-së, të hyrat nga aktivitetet e parregulluara, ku hyjnë edhe jobalancët e energjisë, janë të hyrat nga dhënia me qira e aseteve, të hyrat nga operatorët e ndryshëm ekonomik, shitja e aseteve, shërbimet e ndryshme ndaj konsumatorëve etj. Këto të hyra zbriten nga të hyrat e lejuara maksimale.

Të hyrat nga jo-balancët e energjisë, ZRrE në këtë raport i njeh si të hyra jo-tarifore. Bazë për trajtimin e këtyre të hyrave si të hyra jo tarifore, është se këto të hyra janë realizuar jashtë tarifave për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, nga aplikimi i të cilave duhet të realizohen të hyrat e rregulluara.

Bëhet fjalë për të hyra që realizohen nga nominimi i energjisë, përkatësisht parashikimi i sasisë së energjisë që do të konsumohet dhe energjisë që realisht është shpenzuar. Operatori, në këtë rast, KEDS, rrymën që e blen prej KEK-ut, e nominon në baza ditore. Sasia e energjisë që konsumohet mund të jetë më e vogël sesa energjia që është nominuar dhe nga kjo krijohen jo-balancët e energjisë. /Buletini Ekonomik/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme