Raportet Kosovë-Serbi, SHBA bën thirrje për kreativitet dhe fleksibilitet

08:02 | 21 Prill 2019
Arbresh.info

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të jenë kreative dhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, shkruan arbresh.info.

Ka kohë që ndërkombëtarët insistojnë që taksa 100 %, që Kosova i ka vënë produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të hiqet.

Por, Kryeministri Haradinaj po i qëndron me këmbëngulësi refuzimit të heqjes së kësaj takse.  Për më tepër, ai po beson se të gjithë e kanë kuptuar se kjo taksë nuk hiqet dhe se askush më nuk po e kërkon heqjen e saj.

“Të gjithë e dinë se s’hiqet. Askush më s’po ma kërkon heqjen. E kanë parë dhe e kanë lënë këtë punë”, ishin fjalët e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Por, në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e pohojnë të njëjtën.

Qëndrimi i tyre karshi taksës ndaj Serbisë, mbetet i njëjtë që nga dita e parë.

“Qëndrimi i Qeverisë së SHBA-ve lidhur me taksat mbetet i pandryshuar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të jenë edhe kreative edhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj kësaj negociate – këto cilësi nevojiten tash më shumë se kurdo për të sjellë palët prapa te tavolina e negociatave”, thonë për arbresh.info në Ambasadë.

Edhe pse shumë nga ndërkombëtarët ishin kundër, që nga momenti i vënies së taksës, Haradinaj kishte deklaruar se nuk do të hiqet tarifa nëse nuk ka njohje nga shteti serb, edhe nëse do rrezikohej posti i tij si Kryeministër./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme