Google ADS

Kancelarja Merkel dhe presidenti francez do t’i kërkojnë Haradinajt heqjen e taksës

18:49 | 19 Prill 2019
A. B.

Angela Merkel dhe Emanuel Macron do t’i kërkojnë kryeministrit Ramush Haradinaj suspendimin e taksës, ndërsa kryeministrit Aleksander Vuçiq pushimin e fushatës kundër Kosovës, në mënyrë që të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

Kjo kërkesë atyre do t’u shkojë para se të fillojë Samiti i Berlinit, më 29 prill, në të cilin do të trajtohen çështje të Ballkanit Perëndimor.

Kancelarja e Gjermanisë dhe Presidenti i Francës, nikoqirë të këtij takimi, do ta shtyjnë përpara normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pritet të dalin me një plan konkret për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ky plan, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përjashton shkëmbimin e territoreve, por propozon status të veçantë për Veriun, bazuar në idenë e një Asociacioni me Kompetenca Ekzekutive, që faktikisht nënkupton ndarjen e brendshme të Kosovës.

Por, paraprakisht, ata do t’i zhvillojnë disa telefonata të rëndësishme.

Një burim ndërkombëtar ka pohuar për Reporteri.net se para Samitit të Berlinit, Kryeministrin Haradinaj dhe Presidentin Vucic do t’i thërrasin në telefon këshilltarët diplomatikë të Merkel dhe Macron, e më pas ata do të pranojnë telefonata edhe nga vetë Kancelarja e Gjermanisë dhe Presidenti i Francës.

“Nga Kosova do të kërkojnë suspendimin e taksës. Ndërsa, nga Serbia do të kërkojnë që ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”, ka thënë ky burim.

Qëllimi i Gjermanisë dhe Francës është rifillimi i Dialogut Kosovë-Serbi, i cili është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kryeministri Haradinaj ka refuzuar kërkesat e njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për suspendimin e taksës, duke këmbëngulur se ajo mund të hiqet vetëm pasi që Serbia ta njohë Kosovën.

Por, a është përgjigja pozitive e Haradinajt për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit dhe për ta trajtuar çështjen e Dialogut, një shenjë se ai po dorëzohet për taksën?

Të ngjashme