Google ADS

Veseli i kërkon parlamenteve të Evropës njohjen e krimeve të Serbisë në Kosovë

13:37 | 19 Prill 2019
arbresh.info

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka nisur një letër zyrtare parlamenteve të vendeve evropiane që të njohin krimet e kryera nga Serbia mbi popullatën në Kosovë.

Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për medie në Qeverinë e Kosovës, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Hoxhaj ka sqaruar iniciativën ligjore sa i takon mohimit të krimit që ka bërë Serbia në Kosovë, shkruan arbresh.info.

“I takon Ministrisë së Drejtësisë të dalë me sugjerime konkrete, por qëllimi mbetet që mohimi i krimeve është krim i dyfishtë dhe është një ofendim ndaj shtetit dhe shoqërisë së Kosovës dhe në draftimin e këtij ligji do të marrim për bazë përvojat evropiane. Janë parandalu raste të tilla të mohimit të krimeve,” është shprehur Hoxhaj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se një iniciativë ligjore është e domosdoshme.

“Vazhdojmë të kërkojmë për fatin e rreth 1600 personave. Por, në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të mohohen krimet që janë kryer gjatë luftës. Mendësia në Serbi vazhdon të jetë e njejtë. Si qeveri kemi përkushtim maksimal që çdo qytetarë ta shohë të ardhmen në Kosovë. Politikat e tilla të Serbisë e rrezikojnë multietnicitetin,” është shprehur Tahiri.

Mohimi nga ana e Beogradit zyrtar, të krimeve të kryera në Kosovë ka ngjallur reagime edhe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Parlamenti i Kosovës është duke hartuar një rezolutë rreth kësaj çështjeje dhe pritet që e njëjta pas miratimit t’i përcjellët edhe Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme