Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka qëndruar sot për vizitë në Komunën e Deçanit. Gjatë kësaj vizite ministri ka inspektuar punimet në sallën e sporteve.
Po ashtu gjatë kësaj vizite, mes MKRS-së dhe Komunës u nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi për financimin e projekteve: “Stadiumi i qytetit – Deçan”, “Ndërtimi i Qendrës Rinore në Deçan”, “Ndërtimi i fushës sportive në Irzniq – Komuna e Deçanit” dhe “Ndërtimi i fushës sportive në Shaptej – Komuna e Deçanit”.
Për ndërtimin e stadiumit të qytetit Ministria ndan 200 mijë euro, projekt i cili do të realizohet gjatë viteve 2019-2020. Për ndërtimin e qendrës rinore ndan 150 mijë euro, për ndërtimin e fushës sportive Irzniq ndan 100 mijë euro, ndërsa për ndërtimin e fushës sportive Shaptej ndan 50 mijë euro, projekte të cilat do të zbatohen gjatë vitit 2019.
Ministri Gashi tha se ashtu si në çdo komunë tjetër, edhe në Deçan po bëhen investime kapitale për përkrahjen e të rinjve dhe sportistëve të kësaj komune. Ai po ashtu tha se bashkë u nënshkruan disa marrëveshje të bashkëfinancimit për disa projekte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën sportive, ndërtimin e stadiumit të qytetit dhe të qendrës rinore.
“Vizita ime ka të bëjë me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të financimit për disa projekte sportive por edhe për të parë punimet në palestrën sportive, një objekt që ka zgjat për më shumë se 10 vite. Jemi të përkushtuar që këtë vit të përfundojnë të gjitha palestrat në Republikën e Kosovës”, u shpreh ministri Gashi.
Ministri po ashtu njoftoi se do të bëhen investime edhe në dy terrene sportive, një në fshatin Irzniq dhe një në fshatin Shaptej dhe e cilësoi si shumë të rëndësishme faktin se pjesë e këtyre marrëveshjeve është edhe finalizimi i projektit të palestrës.
“Falënderoj edhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Safete Hadërgjinaj, për kontributin e dhënë për ndarjen e këtyre mjeteve të cilat kapin shifrën e rreth 650 mijë eurove” tha në fund ministri.
Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur për nënshkrimin e këtyre memorandumeve. Ai falënderoi ministrin për vizitën e tij dhe për përkrahjen financiare që po u jep të rinjve dhe sportistëve të vendit duke thënë se realizimi i projekteve për të cilat u nënshkruan memorandume është shumë e
rëndësishme sepse këto objekte do të jenë një ndihmesë shumë e madhe e punës dhe aktiviteteve të të rinjve dhe sportistëve e Deçanit.
“Pata kënaqësinë që ta kem ministrin Gashi në zyrën time, është një fillim i mbarë këtë vit sepse me ndihmën e Ministrisë dhe të deputetes Safete Hadërgjinaj kemi arrit që edhe Deçani të ketë një buxhet për përmbylljen e disa nevojave të veta. Ne sot kemi arrit të nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi mes Komunës dhe Ministrisë e
të cilat projekte kanë me pas një impakt shumë të madh në zhvillimin kulturor për Deçanin”, tha kryetari Ramosaj.
Për objektin e qendrës rinore, kryetari tha se do të jetë qendra më interesante në Republikën e Kosovës dhe theksoi se shpreson në zotimin e ministrit se projekti për palestrën të jetë e përfunduar në shtator të këtij viti.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...