Marrëveshje e Tempullit me Universitetin e Zagrebit për mobilitet të studentëve

20:05 | 21 Shtator 2015
Arbresh.info

Kolegji Tempulli ka nënshkruar së fundmi me Universitetin e Zagrebit një marrëveshje, me të cilën mbështetet plotësisht mobiliteti i studentëve kosovarë, të cilët mund të lëvizin lirshëm për të vijuar një modul apo semestër të studimeve të tyre.

Kjo marrëveshje, siç njoftoi Tempulli, përveç tjerash mundëson edhe njohjen reciproke ë diplomave në mes të dy institucioneve, në përputhje me rregulloret kombëtare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.

Qëllimi i memorandumit të nënshkruar është bashkëpunimi në projekte shkencore dhe komerciale me interes të përbashkët, aktivitetet përmes forumeve shkencore, konferencave, simpoziumeve, shkëmbimin e literaturës për studentë, publikimet , etj.

Bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave të Komunikacionit nga Universiteti i Zagrebit zë fill qysh nga viti 2002. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen si rezultat i vizitës dyditore të zhvilluar në Zagreb me datat 25-26 Shkurt 2015.

Universiteti i Zagrebit daton që nga viti 1669 dhe është Universiteti më i madh dhe më i vjetër në Evropën Juglindore, me gjithsej 29 njësi akademike.

Marrëveshja pesëvjeçare është nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Komunikacionit prof. dr. Hrvoje Gold dhe nga Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme