Google ADS

Veliaj: Me fqinjët drejt BE-së

13:13 | 16 Prill 2019
Arbresh.info

Tirana mblodhi sot organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të rëndësishëm të saj nga i gjithë Ballkani Perëndimor për të diskutuar mbi qasjen ndaj iniciativave kryesore të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor Ligji, Siguria dhe Migracioni, Zhvillimi Social-Ekonomik, Lidhshmëria, Agjenda Dixhitale dhe Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë.

I ftuar në Forumin e Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se suksesi i qyteteve është krijimi i hapësirave të tilla të diskutimit, ku secili mund të shprehë talentin dhe idetë e tij.

“Shumë respekt për të gjithë ata kolegë që kanë marrë angazhime të tjera dhe një mirënjohje të veçantë për shumë prej jush që i shoh këtu, nga sindikata, organizatat për mbrojtjen e grave etj.

Kjo është e bukura e qyteteve. Në një qytet të madh ti mund të jesh çfarë të duash. Unë besoj që suksesi i qyteteve është pikërisht në krijimin e kësaj hapësire, ku secili mund të jetë ai që do të jetë, të shprehë talentin e vet dhe të krijojë e të fillojë gjëra të reja”, tha Veliaj, ndërsa nënvizoi se pret që edhe në Shqipëri roli i shoqërisë civile të jetë ai i avokatisë së interesit publik.

“Mezi pres që edhe në këtë situatë paksa kritike që kemi në Shqipëri, roli i shoqërisë civile të jetë roli i avokatisë së interesit publik, përtej interesave specifikë politikë që mund të kemi në moment të caktuara”, shtoi ai.

Veliaj u shpreh se secili prej fqinjëve duhet konsideruar si një destin i përbashkët për një rrugëtim të përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Suksesi juaj është edhe suksesi im, suksesi ynë i këtij qyteti dhe këtij vendi dhe suksesi i secilës prej organizatave që përfaqëson një nga vendet e Ballkanit Perëndimor është edhe suksesi i fqinjëve tanë.

Ndaj, herën tjetër kur të mungojë kritiku, të mos kemi paragjykim se çfarë do na thotë komshiu, por ta konsiderojmë secilin prej fqinjëve një fat të përbashkët, një destin të përbashkët për një rrugëtim të përbashkët në Bashkimin Evropian”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se pavarësisht se ndonjëherë në Shqipëri ka një paragjykim për ata që kalojnë nga Shoqëria Civile në politikë, secili mundohet të japë sërish kontributin e tij.

“Do të doja shumë që të vazhdonim ta konsideronim Shoqërinë Civile si një fidanishte, edhe për të pasuruar jetën politike, edhe për të pasuruar jetën mediatike apo diplomatike.

Sot jam shumë i lumtur që një grup i djemve dhe vajzave të kohës së Shoqërisë Civile janë sot të angazhuar në pozicione të ndryshme. Unë e kuptoj ndonjëherë që në Shqipëri paragjykimi i jashtëzakonshëm i atyre që kapërcejnë nga Shoqëria Civile në politikë.

Nuk kanë kaluar nga shoqëria civile në shoqëri të armatosur, jemi prapë pjesë e të njëjtit mentalitet qytetar, ku secili prej nesh mundohet të japë kontributin e vet në atë pjesë të parcelës, të tokës, të arës, që do duhet të punojë”, deklaroi Veliaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme