“Shqipëria, si Europa”, Basha: Ne e kemi bërë zgjedhjen!

10:14 | 15 Prill 2019
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përpiqet me çdo lloj mënyre të mbajë gjallë frymën e protestës mes mbështetësve të tij, e këtë e tregon edhe me reagimin e fundit në rrjetet sociale, ku përsërit prej së shtunës mbrëma të njëjtin mesazh që dha edhe gjatë protestës së fundit të dhunshme kombëtare.

“Ne e kemi bërë zgjedhjen: me njerëzit kundër një qeverie-bandë dhe kryehajdutit të saj, që pasi i ka vjedhur dhe braktisur, tani i dhunon dhe i helmon ata!”, shkruan Basha në Facebook.

Në reagimin e tij, gishtin e përgjegjësisë e drejton te kryeministri Rama.

“Ky kryeministër hajdut është kapur duke vjedhur shqiptarët dhe duke blerë votat e tyre bashkë me krimin. Kjo qeveri-bandë u vuri kryqin shtëpive të shqiptarëve, i ka vënë kryqin të ardhmes sonë europiane”, shprehet më tej kryetari i opozitës.

Sipas tij, populli tani i ka vënë kryqin kësaj bande hajdute dhe nuk do të ndalet. Basha e mbyll reagimin e tij me togfjalëshin Shqipëria, si Europa të shkruar në një “hashtag”./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme