Edhe gazetarët do të protestojnë në Shqipëri

14:48 | 14 Prill 2019
L G

Një tjetër protestë zhvillohet sot, por këtë radhë nga gazetarët. Protesta është njoftuar dy ditë para, pas disa episodeve të ndodhura së fundi, ku janë cenuar gazetarët.

Njoftimi i gazetarëve

GAZETARËT NË PROTESTË

Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.

Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën .Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.

Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.

Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cenojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.

Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.

Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucioneve përgjegjëse për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e Diel ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë.

Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë falje për aktin e kryer.

Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.

Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!

Ne protestojmë për çdo akt që cenon lirinë e medias dhe gazetarit!

Lajmësi është i shenjtë!/lapsi.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme