Kosova e Serbia duhet caktuar parime të reja negociuese në takimin e Berlinit vlerësojnë analistët, shkruan arbresh.info. Takimi i 29 prillit në Berlin, është iniciativë e kancelarës gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, në të cilin përpos krerëve të lartë nga Kosova dhe Serbia, pjesëmarrës do të jenë edhe shefat e shteteve të Ballkanit Perëndimorë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Komisionit të BE-së.
Në qendër të këtij takimi do të jenë sfidat e veçanta të rajonit, e sidomos në lidhje me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
Taulant Kryeziu, nga instituti EPIK vlerëson se në këtë takim duhet bërë presion vendeve të QUINT-it, për të caktuar parime të reja negociuese.
“Ky moment që është rezultuar si moment i taksës duhet të shfrytëzohet në institucionet e Kosovës, duke i bërë presion edhe vendeve të “Quint-it”, për të caktuar parimet e reja negociuese, që nënkupton se kemi qartësi të plotë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, prej këtyre e dimë se qëndrimi gjerman ka qenë i prerë që territori i Republikës së Kosovës të mos jetë temë diskutimi i këtyre negociatave, dhe vetëm presioni që Gjermania ka përdorur gjithmonë ndaj Serbisë në qoftë se dëshirojnë të jetë pjesë e BE-së, që ta njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, është shprehur analisti Kryeziu.
Mirëpo, analisti Kryezi, u shpreh se duhet krijuar një moment për ta ndërtuar konsensusin e nevojshëm politik dhe kushtetues brenda vendit në mënyrë që të përfundoj raporti i armiqësisë shekullore në mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Mendoj se duhet shfrytëzuar ky moment në mënyrë që vendet e “Quintit”, posaçërisht departamentet e fuqishme të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtojnë disa parime të reja negociuese ku përjashtojnë mundësinë që territori i Republikës së Kosovës të jetë objekt diskutimi, ku në kuadër të negociatave të krijoj një moment për ta ndërtuar konsensusin e nevojshëm politik dhe kushtetuese brenda vendit në mënyrë që të përfundoj raporti i ‘armiqësisë shekullore në mes shqiptarëve dhe serbëve’, me një marrëveshje e cila nuk ka bazë territoriale, pra një marrëveshje që nuk prek asnjë centimetër tokë të Republikës së Kosovës”, deklaroi analisti Kryeziu, për portalin Arbresh.info.
Analisit Leon Duhanaj, për portalin Arbresh.info, u shpreh se ky takim është njëra ndër agjendat kryesore të komunitetit ndërkombëtarë deri në zgjidhjen e problemeve apo normalizimit të marrëdhënieve Kosovë -Serbi.
“Ky takim, e betonon edhe njëherë se njëra ndër agjendat kryesore të komunitetit ndërkombëtarë është zgjidhja e problemeve, apo normalizimi i marrëdhënieve Kosovë -Serbi. Opinioni i gjerë tani me është njoftuar rreth tezave të cilat janë debatuar rreth kësaj zgjidhje dhe po ashtu edhe qëndrimet e artereve të ndryshëm ndërkombëtarë rreth tyre”, është shprehur Duhanaj.
Duke e pasur parasysh qëndrimet në nuanca të ndryshme mes Gjermanisë dhe Francës, rreth zgjidhjes së problemit Kosovë Serbi, Duhanaj vlerëson se mund të ndodhë që të kemi ndonjë propozim konkret i cili mund të bazohet në baza kompromisi.
“Këndej, sa i përket kësaj çështjeje, pala kosovare, duhet të jetë e parapërgatitur, e matur dhe e bashkuar në mënyrë që të arrijë me të mirën. Vetë prezenca e shefave të shteteve përreth lë të kuptohet se këtu do të përballën me një propozim konkret, për të cilin do të kërkojnë edhe mendimin e fqinjëve. Në kuadër të kësaj, do t’u ofrohet perspektivë e çartë integruese të gjitha shteteve. Në ketë segment, mund të dalin edhe hapa konkret me hapjen e kapitujve anëtarësues për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriu, si dhe oferta konkrete për Serbinë dhe Kosovën, me ç’rast Kosova si hapë të parë do ta fitonte liberalizimin e vizave”, u shpreh analisti Duhanaj.
Analisti Duhanaj, shtoi se palët gjithashtu duhet të dakordohen dhe t’i zbatojnë kërkesat e Kosovës.
“Të gjitha këto oferta do t’i kenë kushtet e parashtruara, për të cilat, palët duhet të dakordohen, por dhe t’i zbatojnë në praktikë. Ky takim, kjo konferencë, tregon se bota është në lëvizje dhe se edhe ne si shqiptarë, duhet të jemi koshient kësaj dhe të shkojmë të përgatitur qoftë si Kosovë, qoftë si komb dhe t’i ofrojmë idetë tona për zgjidhje, por edhe të jemi unik rreth kërkesave tona dhe të jemi pro aktiv. Kohë për të reaguar me debate koti rreth punëve të kryera nuk ka, prandaj kërkohet syçelësi dhe përgjegjësi kombëtare”, deklaroi Duhanaj.
Analisti, Faik Krasniqi, u shpreh kundër këtij takimi për arsye se udhëheqja e BE-së, nuk do të ketë vazhdim të dialogut Kosovë- Serbi.
“Me ketë udhëheqje të BE-se nuk do të ketë vazhdim të dialogut Kosove-Serbi. Kjo për faktin e njëanshmërisë nga dyshja Mogherini- Hahn, gjatë tërë kohës kemi parë mbështetje të madhe dhënë Serbisë. Maja Kocijancic shpesh të habiste me pozicionin që ka. Është zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Politikes së Jashtme të BE-së, apo zëdhënëse e Serbisë”, është shprehur Krasniqi për arbresh.info.
Ai vlerëson se ky takim nuk do të ndikojë në ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.
“Dialogu do të vazhdojë pas zgjedhjeve në BE, ku do të kemi udhëheqje të re të BE-së dhe pa Mogherini-Hahn dhe Juncker, por njerëz produktiv që do i shtyjnë proceset përpara. Edhe sa për liberalizimin e vizave jam më se i bindur që pas këtyre zgjedhjeve do të marrë edhe qytetarët e Kosovës pas dy dekadave izolim do të rilëvimin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, respektivisht në Zonën Schengen”, thotë Krasniqi./E.Ballazhi/arbresh.info/
Shefi i EULEX-it: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, autorët d...
Policia del me reagim zyrtar për sulmin e kanalit të “Iber L...
Rohde: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, Gjermania e gatshme ...
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...