Kryeministri: Një ditë njerëzit do të ikin nga perëndimi për të ardhur në Kosovë

20:50 | 13 Prill 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndalur pasditen e sotme edhe në Kaçanik ku ka takuar strukturat e partisë së tij.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, Haradinaj deklaroi se e pranoi detyrën e të parit të qeverisë që të kryejë punë të rëndësishme për vendin dhe udhëheqë atë në procese të rëndësishme.

Duke folur për sektorë të ndryshëm, kryeministri tha se fillimisht i kishte kushtuar vëmendje sigurisë duke u kujdesur për Policinë e Kosovës, duke krijuar ushtrinë dhe duke marrë masa për të forcuar gjyqësinë.

Ai tha më pas tha se fokusi i tij ka kaluar tek ekonomia, sidomos prodhimi. Shefi i ekzekutivit kosovar tha se janë marrë disa vendime të rëndësishme për prodhuesit që më parë nuk janë lejuar të merren.

“Me ne ka udhëhequr bota, na nuk e kemi udhëhequr veten. E tani imagjinoni kushdo që është ardhur tek na, ai ka lakmuar me ardh malli i vendit të tij me u shit këtu. Ne na kanë parë si treg. Edhe na kanë trajtuar si treg. Edhe në botë hala na trajtojnë si treg. Nuk kanë qejf na të prodhojmë energji prej qymyrit tonë, por me e ble diku. Nuk kanë qejf, si e me e thënë, me ju hy në garë, na me qenë në treg. Tonë kanë qejf me ju ble mallin e të tjerëve.[…] Hera e parë që disa veprime që nuk iu është lejuar me i marrë Kosova, i kemi marrë për prodhues, edhe janë serioze nuk janë fjalë, janë punë që kanë ndodhë”, deklaroi Haradinaj, duke nënkuptuar vendimin për taksën ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake.

Duke u ndalur në raportet me vendet mike të Kosovës, Haradinaj tha se partnerëve duhet t’ju tregohet e vërteta pasi vetëm kështu raportet dhe miqësia nuk do të vihet në dyshim.

Ai pranoi se me Bashkimin Evropian janë disa sfida, të cilët po punojnë për t’i tejkaluar, ndërsa paralajmëroi se liberalizimi i vizave do të vijë së shpejti. Kryeministri gjithashtu tha se ka pasur kërkesa ndaj vende të tjera që të lëshojë viza pune për kosovarët.

Haradinaj u shpreh se është për ta bërë Kosovën shtet dhe për t’i treguar të gjithëve në rajon se mund të punojmë së bashku vetëm si shtete, pasi sipas tij, ka kaluar koha kur Kosova ka pranuar detyra nga të tjerë. Ai shtoi se nuk frikësohen as nga gjykatat.

“Unë jam për me i krye punët e këtij vendi edhe jam për me e bo Kosovën shtet, tamam shtet, dhe për t’i treguar të gjithëve në rajon se si shtet mund të punoni me ne, ka shkuar koha kur dikush na jep detyra, u shku koha që na nënshtroni sa herë që ju bie në mend, nuk mund të na ligni as me këto gjykata as me diçka tjetër çka do qoftë, këtij vendi jemi edhe duam t’i kryejmë punët e vendit”, vijoi Haradinaj.

Kryeministri ka ftuar kaçanikasit që të mos heqin dorë në punën e tyre për të ndihmuar vendin që të bëhet një Kosovë e zhvilluar. Ai shprehu besimin s enjë ditë, kosovarët do të largohen nga vendet perëndimore dhe do të kthehen në vendin e tyre për të punuar.

“Unë po du një ditë që me ik nipat e mbesat tonë që janë shku në Gjermani e Austri me ju ik atje prindërve e familjes e me u kthyer në Kosovë se e kanë gjet një vend pune. Unë nuk jam i dorëzuar, mendoj se ka me ardhur një ditë që kanë me lëshu atje dhe kanë me ardhur në Kosovë se Kosova do të bëhet një vend i zhvilluar dhe i suksesshëm”, tha Haradinaj.

Në këtë takim foli edhe kryetari i degës së AAK-së në Kaçanik, Hajrush Kurtaj, i cili lavdëroi punën e kryeministrit Haradinaj në krye të qeverisë së Kosovës.

Më pas, kreu i AAK-së, Haradinaj, iu shpërndau librezat e partisë rreth 90 anëtarëve të rinj të cilët kanë kaluar në AAK-në e Kaçanikut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme