Hykmete Bajrami: AAK Qeverinë e mori përmes flakëve dhe gazit lotsjellës

20:58 | 11 Prill 2019
Arbresh.info

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka hedhur akuza ndaj Qeverisë Haradinaj duke thënë kanë rritur nivelin e korrupsionit dhe po shkaktojnë largimin e qytetarëve nga Kosova.
Hykmete Bajrami tha se ikja e qytetarëve po ndodh për shkak të kushteve jo të barabarta, derisa përmendi edhe rrugëtimin e AAK-së deri tek caku për qeverisje të vendit.

”Rënia e popullsisë është rezultat i qeverisjes. Nuk është rezultat i qeverisjes së Isa Mustafës pse njerëzit kanë ikur në vitin 2015. Sot në Kosovë nuk ka kushte të barabarta për tu punësuar deri në katër anëtarë të një familjes së një personi. Ju keni punësuar njerëz në Telekom i cili është buzë falimentimit. Ju keni punësuar edhe zyrtarë të tjerë dhe familjarë të kryeministrit në kompaninë që po falimenton”.

”Ju keni bë 80 zëvendësministra, keni shpikur koordinator, krejt me taksa të qytetarëve. Qeverinë e keni marrë përmes flakëve dhe gazit lotsjellës. Shihni grupin parlamentar të LDK-së dhe bëj krahasimet për punësimet që kemi bërë me ato të tuajat. Ne kemi qenë në institucionet kur janë themeluar institucionet. Ne nuk kemi faj që jemi partia më e madhe në Kosovë. Nepotizmi nuk ka qenë në një nivel më të madh sesa kaq”.

”Duhet të dallohet nepotizmi nga votuesit. Ne jemi partia më e madhe. Edhe në sheshin Nënë Tereza me dalë ka më shumë votues për LDK-në sesa për AAK-në”.

”[Rasim Selmanaj] .. a po na flet për sjelljet e kryeministrit tënd? Në protestat që thirrjet i ka bërë ky kryeministër [Ramush Haradinaj] kanë kallë vetura – AAK ka hedhur gaz lotsjellës. Ju jeni ata që jeni zvarritur në Kuvend dhe keni hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Ushtria nuk është meritë e juaja. Ne kemi qenë në konsultime me SHBA-të, askush s’ka mund ta formojë Ushtrinë pa e marrë dritën e gjelbër të Amerikanëve”.

Bajrami për Klan Kosova, vendimin e Qeverisë për taksën ndaj mallrave serbe, e quajti paaftësi të kryeministrit Ramush Haradinaj për ta ndaluar presidentin Hashim Thaçi të dialogojë për kufijtë, njofton Klan Kosova.

”Paaftësia e Haradinajt për ta ndaluar Thaçin për mos me fol për shkëmbim të territoreve, çoi deri tek vendimi i taksës. Ne nuk formuam ushtrinë sepse ju duke u zvarrit në Kuvend e rrëzuat Qeverinë”.

”Ne e kemi shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike. Në zhvillimet në të cilat gjendemi e vetmja zgjidhje janë zgjedhje. Sepse në të gjitha çështjet e vendimeve të mëdha kryeministri Ramush Haradinaj është rrëzuar. AAK dhe Ramush Haradinaj nuk mund ta kamuflojnë çdo gjë me taksën 100%. Kemi ikje të qytetarëve, kemi rritje të korrupsionit, kemi cenim të sigurisë, kemi humbje të vendeve të punës. Të vetmet vende të punës që janë rritur janë të familjet e juaja me zëvendësministra, këshilltarë, koordinatorë”.

”Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës coftë nga qytetarët apo mediat e shoqëria civile është kur fusim të gjithë klasën politike në një thes. Besoj që media do të kishte me bë kontribut shumë të madh për të spikatur njerëzit e pa korruptuar. Por ja që këtë shumica nuk e bëjnë. Kish me qenë mirë të bëhet dallimi”.

”Ftoj qytetarët e Kosovës që nëse zgjedhjet të mbahen të dalin në mënyrë masive për të votuar dhe të ndëshkohen ata që kanë punuar keq. Ju bëjë zgjidhje të gjithëve që të qëndrojnë në këtë vend, e të mos e lëshojnë Kosovën sepse është derdhur shumë gjak e nuk bënë që Kosova t’i nënshtrohet të korruptuarve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme