Grabitja e parave, Xhaçka dislokon ushtrinë për garantimin e sigurisë

20:13 | 10 Prill 2019
Arbresh.info

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dalë në një deklaratë për mediet në lidhje me ngjarjen e një dite më parë në Aeroportin e Rinasit, ku u grabitën një shumë e konsiderueshme parash.

“Një ngjarje shumë e rëndë ajo që ndodhi dje, e sigurisht u bashkohem qytetarëve e kolegëve se një ngjarje e tillë nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Nga hetimet paraprake dihet deri më tani se mekanizmat e sigurisë, nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.

“Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë të përcaktuara nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Për këtë shkelje legjislacioni, besoj dhe shpresoj që përgjegjësitë penale do të jenë konkrete”, tha më tej Xhaçka.

Duke shprehur gjithashtu se nuk mund të lejohet cënimi i sigurisë së qytetarëve dhe as imazhi i vendit, e në kushtet e papërgjegjshmërisë së përsëritur të koncesionarit, për garantimin e sigurisë së Aeroportit të Rinasit është lëshuar një urdhër.

“Kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së Aeroportit Nënë Tereza të vendosen efektivë të Policisë sonë Ushtarake dhe të Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, deklaroi Xhaçka, duke theksuar se kjo është një praktikë e përdorur edhe nga vende të tjera të huaja./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme