Google ADS

Libi, forcat e Haftarit përballen me rezistencë të fuqishme në Tripoli

19:06 | 10 Prill 2019
Arbresh.info

Forcat nga Libia lindore të udhëhequra nga komandanti Khalifa Haftar të mërkurën tentuan që të avancojnë në Tripoli krahas rezistencës nga forcat e qeverisë së mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB).

Sipas korrespondentit të Anadolu Agency (AA), forcat e udhëhequra nga Haftar kanë bërë avancime të caktuara kundër trupave të Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare (GNA) në zonën Ain Zara në jug të Tripolit.

Raportohet se luftimet e së mërkurës kanë qenë më të ashprat që kur forcat e komandantit Haftar nisën sulmin për marrjen e kontrollit mbi qytetin e Tripolit të enjten.

Forcat e komandantit Haftar gjithashtu kanë stacionuar trupa në Sabratah dhe Sorman rreth 70 kilometra në perëndim të Tripolit, në përgatitje e sipër për të sulmuar distriktin Zawiya në perëndim të Tripolit.

Në ndërkohë, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tripolit, raportohet se forcat e Haftarit kanë nën kontroll zonën në afërsi të Qasr Ben Ghashir.

Televizioni lokal Ahrar raportoi se avionët e GNA kanë goditur dy kampe të forcave të Haftarit në qytetin Garyan në jug të Tripolit.

Javën e kaluar, komandanti Haftar që udhëheq qeverinë rivale me bazë në lindje të Libisë, njoftoi se nisi një sulmi ambicioz për marrjen e kontrollit mbi qytetin e Tripolit ku është selia e GNA-së.

Megjithatë, deri të hënën dukej se sulmi i Haftarit ka stagnuar, ndërsa forcat e GNA-së rimorën dy baza ushtarake në afërsi të Tripolit që për një kohë të shkurtër u pushtuan nga forcat e Haftarit.

Dy palët gjithashtu kanë vazhduar të shkëmbejnë zjarr mbi tre aeroportet strategjike të pozicionuara në periferi të kryeqytetit.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.

Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme