Ramiz Kelmendi: Ky është kandidati më i mirë për kryetar të LDK’së

00:03 | 10 Prill 2019
Trina Galanxhi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka thënë se kryetari aktual i partisë, Isa Mustafa vazhdon të mbetet kandidati më i mirë për këtë post, edhe në zgjedhjet e brendshme që kanë filluar tashmë.

Kelmendi ka thënë se ai tërë karrierën e tij ia ka kushtuar ekonomisë, dhe se asnjëherë nuk ka luftuar për pozita politike nëpër parti.

Andaj, nuk e synon as postin e të parit të LDK’së.

“Mundesh me kandidu lirisht për kryetar të LDK’së, askush s’të pengon as s’të sanksionon. Krejt po kanë qef pozita, por a kanë projekte se si do ta udhëheqin LDK’në. Po vërehet mungesa e LDK’së në pushtet. Për shkak të situatave të çështjeve të mëdha që priten të ndodhin, mendoj se Mustafa duhet të kandidojë sërish. Ai është zgjidhja më e mirë për kryetar të LDK’së. Zgjidhja më stabile. Në parti politike nuk kam qenë shumë aktiv në politika. E kam zgjedhur rrugën e ndikimit tim në çështje ekonomike. Nuk do të kandidoj, as nuk e kam synim”, ka thënë Kelmendi në Tv Dukagjini.

Tutje, ai ka folur edhe për kandidaturën e mundshme të dy prej emrave më të përfolur deri më tani – Lutfi Hazirit e Vjosa Osmanit.

“Edhe Lutfi Haziri ka dalë jashtëzakonisht mirë në të gjitha rolet që ka pasur. Edhe Vjosa Osmani ka qenë më e votuara, por mendoj se zgjidhja më e mirë është Isa Mustafa”, shtoi Kelmendi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme