Google ADS

A do të jetë stafi mjekësor sfidë për Spitalin e Prishtinës?

14:47 | 9 Prill 2019
Arbresh.info

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ende nuk ka një spital të vetin, ndonëse kohët e fundit janë ringjallur debatet rreth ndërtimit të tij. Pacientët, shërbimet shëndetësore i marrin nga ai primar, pra në Qendrat e Mjekësisë Familjare, nga të cilat vazhdohet për në shërbimet terciare, përkatësisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë shtatë milionë euro për ndërtimin e një spitali për kryeqytetin. Ndonëse ky projekt është i kamotshëm, asnjëherë nuk është jetësuar, shkruan REL.

Së fundmi, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës. Ky projekt parashihet të përfundojë brenda tre vjetësh.

“Ky spital e ka të ndarë tashmë buxhetin prej shtatë milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Sigurisht buxheti do të rritet varësisht nga nevoja. Sa i përket lokacionit ende nuk është ndarë, por presim nga Komuna e Prishtinës ta ofrojë lokacionin”.

“Mendoj se ka qenë padrejtësi për qytetarët e Prishtinës që të mos kenë shërbime sekondare, pra spital, dhe këto shërbime i kanë marrë në Qendrën Klinike duke pritur radhë të gjata për të marrë shërbime. Do të jetë një spital modern dhe do të plotësojë nevojat e qytetarëve që kërkojnë tash e 20 vjet”, ka thënë ministri Ismaili.

Megjithatë, profesionistë të fushës së shëndetësisë e shohin funksionalizimin e këtij spitali si të vështirë, për arsye se ka mungesë të stafit mjekësor.

Kështu thotë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, sipas të cilit, investimet në objekt spitali, ndonëse janë specifike, mund të kryhen, por investimet në resurse humane janë shumë më të vështira. Ai shprehet skeptik se do të mund të mbulohet me staf mjekësor ky spital.

“Brenga jonë është te kuadri. Ka mangësi në disa lëmi. Mendoj se nuk ka staf të përgatitur për ta mbajtur më pas këtë spital. Të investohet në objekt është ndryshe nga resurset, burimet njerëzore, e që mendoj se tash për tash nuk ka përgatitje profesionale. Duhet të mendohet se si do të funksionojë spitali, pra duhet përgatitet stafi”, thotë Syla.

Në anën tjetër, Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se Spitali i Prishtinës është shumë i nevojshëm, kjo për shkak se e liron qendrën terciare nga shërbimet shpeshherë të pa nevojshme që i marrin aty qytetarët.

“Mendoj se Spitali i Prishtinës ka qenë i domosdoshëm, pasi që me mijëra raste referohen në Klinikën Emergjente, e që janë nga Komuna e Prishtinës. Qytetarët më pas do të marrin shërbim sekondar, shërbim ky që ka munguar. Spitalet e përgjithshme përfshijnë degët që mund t’i mbulojnë ata sigurisht, derisa ajo terciar si kardiokirurgjia, neurokirurgjia, torakalja e disa shërbime tjera do të vazhdojnë pacientët t’i marrin në QKUK. Aktualisht gjitha rastet referohen në Klinikën Emergjente”, tha Lenjani.

Njëherësh, shton Lenjani, duhet bërë plan i detajuar sa i përket stafit mjekësor dhe të ndahen specializime të duhura në mënyrë që të ketë mjaftueshëm mjekë specialistë.

“Çdo projekt që iniciohet për spital të përgjithshëm, përveç që planifikohet plani ideor dhe zbatues, duhet të bëhet një plan i detajuar për staf, mjekë e infermierë, në mënyrë që specializimet të ndahen drejtë sipas nevojave që ka vendi”, tha Lenjani.

Në anën tjetër, lidhur me shqetësimeve që i shprehin profesionistët nga fusha e mjekësisë, ministri Ismaili thotë se tashmë janë paraparë të gjitha nevojat e spitalit, para se ai të nisë të ndërtohet.

“Ne kemi filluar procedurat për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, ku faza e parë nënkupton projektimin dhe fizibilitetin e më pastaj edhe ndërtimin”, tha Ismaili.

Sidoqoftë me Ligjin për kryeqytetin, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar, është propozuar edhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës. Mungesa e ndërtimit të tij ka pasur të bëjë me procedura ligjore, kanë thënë zyrtarë kompetentë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme