Mijëra njerëz ikin nga Libia

23:09 | 8 Prill 2019
Arbresh.info

Së paku 2,800 njerëz ikën nga luftimet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, bënë të ditur Kombet e Bashkuara.

Sipas tyre, shumë civilë të tjerë mbeten të bllokuar dhe pa shërbimet e domosdoshme për jetën.

Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, nisën një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Al-Serraj e akuzoi gjeneralin Haftar për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Ministria e Shëndetit Publik e Libisë tha të hënën se së paku 25 njerëz janë vrarë dhe 80 janë plagosur – përfshirë edhe civilë, edhe ushtarë.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës.

“Fushata e njëanshme ushtarake në Tripoli rrezikon civilët dhe minon perspektivat për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Fuqitë ndërkombëtare filluan të evakuojnë personelin nga Libia, për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Gjenerali Haftar e ndihmoi Gaddafin të merrte pushtetin në vitin 1969, përpara se të armiqësohej me të dhe të shkonte në mërgim në SHBA.

Haftar u kthye në Libi në vitin 2011, pasi nisi kryengritja kundër Gaddafit dhe ai u bë komandant i rebelëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme