Deri 220 kg mbeturina prodhon në vit secili banor i Kosovës, s’po kursehet as Badoci

20:27 | 7 Prill 2019
Arbresh.info

Derisa bota është duke ndërmarrë hapa urgjentë që të ndalë ndotjen nga plastika, që po shkakton dëme marramendëse në ambient, Kosova ende ka probleme elementare, siç është menaxhimi në përgjithësi i mbeturinave.

Llogaritet se rreth 300 milionë tonë plastikë prodhohet në botë çdo vit, e që një shishe plastike të shpërbëhet nga toka, i duhen mbi 400 vjet.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për mbeturinat komunale, vlerësohet se për kokë banori, mesatarisht grumbullohen 228 kg mbeturina në vit, raporton KTV.

Nëse kjo shumëzohet me numrin e popullsisë, në Kosovë prodhohen rreth 409 mijë tonë mbeturina në vit e shumë prej tyre nuk trajtohen fare.

Mbeturina të shumta në Kosovë shihen në çdo qosh, përfshirë ambiente që shfrytëzohen për pushim, siç është Liqeni i Badovcit.

Me shtimin e numrit të vizitorëve, rriten edhe mbeturinat në njërin ndër vendet më atraktive në rajonin e Prishtinës.

Liqeni i Badovcit frekuentohet edhe nga peshkatarët, të cilët janë të zhgënjyer që liqeni nuk po mirëmbahet.

Qytetarët fajësojnë njëri – tjetrin që nuk i largojnë mbeturinat dhe nuk po kujdesen për hapësirat publike.

Nga organizata “Green Art Center”, e cila ka katër vjet që punon me menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, thonë se është e rëndësishme që qytetarët të vetëdijesohen edhe për riciklimin e mbeturinave.

Green Art Center ishte pjesë e aksioneve të pastrimit vitin e kaluar në bashkëpunim me Lets Do it Kosova dhe Ministrinë e Mjedisit.

Fushata kishte zgjatur tre muaj dhe ishin larguar 803 deponi ilegale e shumë mbeturina në hapësira publike në gjithë Kosovën, por kjo nuk e kishte zgjidhur problemin që nga Qeveria u nis si ide për ta pastruar Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme