Të mërkurën (sot) në Galerinë Kombëtare në Kosovë do të prezantohet ekspozita “Kujtesë Gjaku” nga Lala Meredith Vula. Në këtë ekspozitë, Vula ka dokumentuar ceremonitë e pajtimit të gjaqeve nëpër viset e Kosovës.
Ekspozita e Vulës do të paraqesë 40 fotografi që datojnë nga vitet 1990-1991, rreth Deçanit, Malishevës, Hasit e viseve të tjera të Kosovës.
Lala Merdith Vula ishte 23 vjeçare kur i ka bërë ato fotografi. Ajo ka treguar se asokohe nuk ishte e vetëdijshme se çfarë ishte pajtimi i gjaqeve, pasi që ajo sa kishte ardhë nga Londra në Kosovë për të mësuar gjuhën shqipe, që ishte gjuha e babait të saj të ndjerë.
“Ishte e rastësishme që i bëra këto fotografi, dhe unë atëbotë nuk kam qenë e vetëdijshme dhe s’e kam kuptuar çështjen e pajtimit të gjaqeve, por vetëm kam dokumentuar emocionin në fytyrat e tyre, dhe lëvizjet e tyre. Me kohë natyrisht se e kam kuptuar rëndësinë e tyre dhe mendoj që është një iniciativë e mire e GKK dhe e Drejtorit Erzenit që të rikujtojë këtë periudhë dhe këto ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës, sidomos për gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar atë kohe”, ka thënë ajo.
Ekspozita e Lala Meredith Vula trajton temën e pajtimit të gjaqeve, ku Lala në moshë shumë të re dokumentoi këto ceremoni dhe gjithashtu i përcolli këto organizime të pajtimeve të gjaqeve të cilat i drejtonte intelektuali Anton Qeta. Ajo në këtë ekspeditë të saj bëri rreth 1000 fotografi të këtyre ceremonive.
Kurse kuratorja e ekspozitës Karen Mcquaid që është njëherësh përfaqësuese e Photographers Gallery në Londër, ka treguar për konceptin e ekspozitës.
“Shihet qartë se këto ceremoni të kapura nga Lala kanë qenë të përcjella me shumë emocion, kjo e natyrshme kur e mendojmë se nuk është i lehtë procesi i faljes asnjëherë e sidomos në këtë rast – i faljes së gjakut nga familjet të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre. Koncepti i turmës është shumë me rendësi në fotografinë e Lalës, ajo dokumentoi këto turma dh e në këto fotografi të Lalës shihet qartë ballafaqimi i saj me këto ngjarje dhe këto vende. Për këtë arsye ne do t’i ekspozojmë disa nga fotografitë në format të madh, ku vizitorët do t’i kenë shumë afër këto turma, dhe të ndjejnë emocionin në fytyrat e tyre dhe të kuptojnë edhe këndvështrimin dhe perspektiven e Lalës”, ka thënë ajo.
Ekspozita e Lala Meredith Vula do të hapet sot në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare te Kosovës, në katin e parë, dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 prill 2015./Arbresh.info/
Sot shqyrtohet në komision ligji i kthyer për rishqyrtim nga...
Sonte rikthehet Liga e Kampionëve me nëntë ndeshje në progra...
Sot protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së
Shtëpia e Bardhë: Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e P...
Donald Trump: Do të rris tarifat për Kanadanë, Meksikën dhe ...
“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në tur...