Borxhi miliardësh që po sfidon ekonominë kosovare

16:19 | 7 Prill 2019
Arbresh.info

Borxhi publik i Kosovës, i referohet detyrimeve që ka qeveria për të paguar shumën e caktuar në një të ardhme të caktuar, ndaj mbajtësve të obligacioneve të lëshuara nga qeveria apo institucione të tjera.

Për vendin tonë, borxhi publik ka filluar të emetohet që nga viti 2009 dhe rregullohet me Ligjin e Borxhit Publik, i cili thotë se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor, shkruan SyriKosova.

Edhe pse deri para pak vitesh borxhi, në raport me BPV-në, ishte më i ulëti në rajon, viteve të fundit situata është shqetësuese.

Sipas raportit të Bankës Qendrore, borxhi publik në tre mujorin e fundit të vitit 2018 ka arritur në 1.1 miliard euro, që është për 9.7 për qind më i lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Rreth 700 milionë euro, i takojnë borxhit të brendshëm, kurse më shumë se 400 milionë janë të atij ndërkombëtar, thonë nga Ministria e Financave.

Paralajmërim për rreziqet e ngritjes së borxhit publik, ka dhënë Banka Botërore, e cila ka paralajmëruar se ai deri më 2025, mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të BPV-së, nëse vazhdohet me rritje të shpenzimeve rrjedhëse të cilat tejkalojnë rritjen e të hyrave.

Raporti thotë se Ligji i Pagave, rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale, mund të çojnë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike, nëse nuk rregullohet me legjislacion dytësor.

Po ashtu, ishte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar se borxhi i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor, shkruan SyriKosova

Kjo rritje, sipas FMN-së mund të bëhet pas huas që Kosova dhe kompania amerikane “Contour Global”, pritet të marrë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka deklaruar se garancioni shtetëror që do të merret për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re” nuk do të tejkalojë limitet e caktuara të borxhit publik.

Zëdhënësi i Ministrisë se Financave, Muharrem Shahini për “SyriKosova” thotë se borxhi publik i Kosovës, nuk është në rritje.

“Për vitin 2018, kemi arritur ta stabilizojmë rritjen e tij deri sa vitet 2015, 2016 e 2017 ka pasur një rritje prej 3% të pikëve, por në vitin 2018 kemi arritur ta stabilizojmë me vetëm 1 % të pikës. Kjo tregon që këtë mandat nuk kemi rritje të shpejtuar të borxhit, por në të kundërtën kemi stabilizim”.

Sipas tij, asnjë nga skemat e ndryshme nuk parashihet që do ta rrezikoj ngritjen e borxhit.

“Jemi duke folur për inciativat që janë në fuqi e që priten për të hynë në fuqi, të cilat janë aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Vazhdimi i rritjes ekonomike në çdo vit, rritja e të hyrave nga Agjencionet tatim mbledhëse na mundësojnë që ti akomodojmë këto kërkesa brenda buxhetit ekzistues pa pasur nevojë për borxh publik për ti financuar”.

Shahini shton se, si ministri asnjëherë nuk e kanë në plan apo qëllim që të marrin kredi për t’i financuar shpenzimet rrjedhëse, por do të marrin kredi për projektet kapitale, të cilat kanë kthim sidomos në zhvillim ekonomik, duke mos i përmendur se për cilat projekte planifikohen të merren këto kredi në të ardhmen.

Paralajmërimet e BB-së, se deri në vitin 2025, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të BPV-së, nuk mund të ndodhin, sipas tij dhe nuk besojnë që qeveritë e ndërgjegjshme do ta lejojnë këtë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me iniciativa për arsye se ato të pa planifikuara mirë dhe pa studim të kostos financiare pa dyshim që shkaktojnë presion në buxhetin e vendit dhe këtu ka qenë theksi i BB-së kur ka folur për risqet.”

Ndërsa ekzistimi i mundësisë që inflacioni të ndikojë ne rritjen e borxhit, mohohet nga zëdhënësi i MF-së.

Këshilltari i kryeministrit Musa Limani, për “SyriKosova” tha se në krahasim me vendet tjera të rajonit, Kosova ka borxhin më të ulët publik, por nëse këto mjete shteti i përdor pa mbulesë, do ketë pasoja negative. Kjo sipas tij, nuk do të thotë se duhet të futemi në borxhe pa nevojë.

“Borxhi paraqet detyrim kthimi të kredive të marrura, që e ngarkojnë arkën e shtetit. Fjala popullore thotë “Fli pa darkë, zgjohu pa borxh”. Andaj, si kategori ekonomike, borxhi ka shenjën negative, si për buxhetin familjar, ashtu dhe për buxhetin shtetëror. Mirëpo, nëse këto mjete shteti i përdor për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, kanë efekte pozitive, e nëse përdoren për rritjen e pagave pa mbulesë dhe gjërave të ngjashme, atëherë borxhi ka reperkusione multiplikative negative për vendin përkatës”,

Sipas profesorit, Ligji i ri i Pagave, nuk do jetë indikator i ngritjes së borxhit publik.

“Sa i përket Ligjit për Pagat, mund të them se është bërë një punë kapitale në këtë fushë, ndonëse ka mjaft dobësi. Këto ndryshime kanë edhe koston e tyre, por me siguri nuk do të shkaktojnë krizë ekonomike dhe financiare. Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave do të gjejë burimet financiare, për t’iu përgjigjur lartësisë së kostos së paraparë me ndryshimin e pagave të të punësuarve në sektorin publik.”

Njohësi i ekonomisë Jakup Bellaqa, për “SyriKosova” tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka treguar performancë të mirë dhe nëse ndiqen rekomandimet e FMN-së nuk paraqitet ndonjë rrezik për krizë buxhetore.

“BPV, në terma real është rritur diku për 3.5 për qind, kjo ka ndodhur nga rritja e investimeve publike dhe private në rritje prej 10 për qind, remitencat 6 për qind, eksporti i shërbimeve rreth 16.3 për qind dhe duke ndikuar në rritjen e konsumit përreth 4.4 për qind me terma realë, kjo rritje ka ardhur në masë të madhe nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore, ku vjen si rrjedhojë e përformancës së sektorit privat, përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të bërit biznes dhe vëllimit të shpenzimeve publike”.

Sipas tij borxhi i përgjithshëm është diku 16.5 për qind e BPV, nga kjo shumë borxhi i brendshëm është diku rreth 59.6 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm është rreth 40.4 për qind.

Bazuar në Ligjin për borxhin publik, Kosova ka të drejtën të hyjë në borxh deri në 40 për qind të BPV, ndërsa deficiti buxhetor është rreth 2.06 për qind ku sipas rekomandimeve FMN-së, asnjë shtet anëtar nuk duhet të tejkaloj pragun 3 për qind, sepse nëse e kalon këtë prag do te shpallet krizë buxhetore ai vend.

Bellaqa, tregon se sipas parametrave ekonomik, vendi ka stabilitet makrofiskal dhe makrofinanciar, edhe me vetë faktin se edhe rritja buxhetore ka pasur ngritje rreth 12.6 për qind, me vitin paraprak e gjithë kjo rezulton se nuk parashikohet ndonjë rrezik në aspektin afatgjatë.

Se a mundet Kosova, të arrijë në situatën e shtetit të rajonit Greqisë, ku për shkak të rritjes së madhe të borxhit publik, ky shtet rrezikoi falimentimin po ashtu edhe daljen nga euro, Bellaqa e cilëson rastin e Kosovës me atë të Greqisë të kundërtën me njëra tjetrën.

“Vlen të theksojmë se situata e Kosovës në kostelacion me Greqinë, është skajshmërisht e kundërt dhe ka një dallim shumë të madh njëra me tjetrën, andaj politika fiskale duhet të reformohet vazhdimisht dhe të rriten të hyrat tatimore dhe doganore, të cilat hyjnë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, nëse rriten këto të hyra vendi do te jetë në aspektin afatgjatë Zvicra e ardhshme e Evropës”.

Ndërsa për “SyriKosova”, Mustafë Kadriaj, njohës i ekonomisë, tha se është problematike që borxhi publik, po rritet duke shpenzuar para për paga e mëditje, sesa për investime kapitale.

“Borxhi publik është një mekanizëm financiar që shteti e shfrytëzon në rast të investimeve kapitale, që në të ardhmen ai investim të jetë produktiv në arkën e shtetit duke kthyer investimin. Për fat jo të mirë në Kosovë edhe ato investime ende nuk kanë dhënë sinjal të kthimit të investimit si në mënyrë direkte dhe indirekte por më e rënda që borxhi publik po rritet duke i shpenzuar mjetet buxhetore në paga dhe meditje pra në përgjithësi për komoditet të sektorit publik”.

Sipas tij, kjo mënyrë jo e mirë shpenzimeve, ka qenë evidente pothuajse tek të gjitha qeveritë por kryeministri dhe qeveria aktuale, kanë arritur kulmin që duke i shuar zërat protestues nga sektori publik, ka orientuar buxhetin vetëm, në paga dhe mëditje që për ekonominë e tregut nuk ka sens, sepse së pari duhet të kemi të hyra, tani të mendojmë për shpenzime.

Sipas Kadriajt, qeveria shumë shpejt për të mbuluar borxhin, do të orientohet në ngritjen e taksave dhe doganës.

“Me aprovimin e kërkesave nga SBASHK-u, Kosova tani e tutje po rrezikon çdo ditë e më shumë stabilitetin financiar, sepse rritja e borxhit publik nuk ka asnjë pasuri që e garanton kthimin e borxhit, sepse pasuritë nëntokësore në vend që të kontribuojnë janë bërë ngarkesë ekstra për buxhetin e Kosovës, kështu që gjithnjë po e pëson sektori privat dhe një herë fuqia punëtore, sepse për të mbuluar borxhin, qeveria do të orientohet në ngritjen e taksave dhe tatimeve përmes Doganës dhe ATK-së.”

Ngarkesë buxhetore, Kadriaj e sheh buxhetin shtesë për Ligjin e pagave, skemat e reja sociale po ashtu mjetet shtesë për FSK-në.

“Nëse vazhdohet në rritje e borxhit publik në vazhdimësi ku dihet që tani ngarkesë buxhetore është edhe buxheti ekstra për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që nëse vazhdohet me këtë trend, Kosova mund të rrezikoj bankrotimin si shtet që për Kosovën përveç rrezikimit ekonomik, njëherit humbja e imazhit politik në nivel ndërkombëtar si para miqve dhe atyre qe e kontestojnë pavarësinë e Kosovës e sidomos fqinji verior do të kishte edhe një argument më shumë para bashkësisë ndërkombëtare.”

Sipas tij, Kosova ka modele të ndryshme të shteteve në botë të cilat me ngritjen e borxhit publik kanë rrezikuar falimentimin, ne rastin e fundit Greqia e cila ishte gati të dal nga euro.

“Vendi ynë e ka mundësinë që mos të i ndjek gabimet që ka bërë shteti fqinj Greqia por të mësoj nga to. Me këtë dua të theksoi që mos të ndikoj në strategjinë ekonomike politika ditore por politika ditore të iu përshtatet strategjisë shtetërore pa marrë parasysh se cila forcë politike qeverisë.

Kujtojmë se borxhi publik i Kosovës përbëhet nga tri komponent, borxhi i brendshëm, ndërkombëtar e garancitë shtetërore

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme