Poloni, opozita paralajmëron ”Polexit”

21:19 | 6 Prill 2019
Trina Galanxhi

Një koalicion i partive të opozitës polake nisi zyrtarisht sot fushatën për zgjedhjet europiane duke paralajmëruar për rrezikun e një largimi të Polonisë nga BE-ja të nxitur nga partia konservatore dhe euroskeptike në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS).

‘’Ose një Poloni e fortë, e begatë, demokratike në një Europë të fortë, ose atë që kemi sot, një parti shtet drejt largimit nga Bashkimi Europian’’, deklaroi Grzegorz Schetyna, lideri i Platformës Qytetare, më e madhja nga pesë grupimet e opozitës që përbëjnë Koalicionin Europian (KE).

Qeveria e PiS-së nxiti tensione me Bashkimin Europian me një seri reformash gjyqësore të interpretuara nga Brukseli si një kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit, Shtetin e së drejtës dhe në fund të fundit demokracinë.

Varshava i është rikthyer disa dispozitave, por opozita vijon t’i druhet mundësisë se sprova e forcës mes qeverisë konservatore dhe BE-së mund të çojë në një ”Polexit”.

Polakët janë masivisht pro-europianë, pasi anëtarësimi në Bashkimin Europian solli miliarda euro subvencione për ekonominë e këtij ish-shteti të bllokut socialist.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme