Google ADS

Dortmundi e blindon Sanchon: Nuk largohet edhe nëse ofrohen 80 milionë euro për të

11:34 | 6 Prill 2019
Arbresh.info

Borussia Dortmund nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ylli i tyre kryesor Jadon Sancho për asnjë çmim.

Ka qenë drejtori sportiv i klubit verdhezi, Hans-Joachim Watzke që ka folur për të ardhmen e talentit anglez.

Sancho ka shpërthyer këtë edicion me nëntë gola dhe 18 asistime dhe këto shifra kanë bërë që vlera e tij të rritet shumë.

Por liderët aktual të Bundesligës insistojnë se Sancho nuk do të largohet këtë verë nga klubi verdhezi.

“Unë i siguroj tifozët verdhezi se Sancho do të jetë edhe vitin tjetër pjesë e Borussia Dortmundit”, ka deklaruar Watzke.

“Ne nuk do të dorëzohemi para ofertës prej 80 milionë euro, pasi do t’i refuzojmë të gjitha. Asnjë klub me asnjë ofertë nuk mund ta marrë Sanchon këtë verë nga Dortmundi”, ka thënë Watzke.

Krejt në fund drejtori sportiv i Dortmundit ka mohuar zërat se Manchester City ka përqindje në kartonin e lojtarit.

“Ka pasur shkrime se City ka një pjesë të kartonit të lojtarit, por dua të theksoj se Sancho është vetëm i Dortmundit dhe asnjë klub tjetër nuk ka përqindje në kartonin e tij”, ka përfunduar Watzke për Spox.com

Sancho ka kontratë valide me Borussia Dortmundin deri në qershor të vitit 2022.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme