Jo të rralla janë rastet kur nxënësit e një shkolle të mesme përleshen në mes vete.
Në një përgjigje për Arbresh.info Policia e Kosovës ka bërë të ditur numrin e incidenteve në shkolla dhe në afërsi të shkollave në nivel vendi për vitin që lamë pas dhe vitin 2017.
Sipas Policisë së Kosovës bazuar në këto statistika vërehet se viti 2018 krahasuar me vitin 2017 ka shënuar kryesisht rënie të këtyre rasteve të evidentuara.
Përderisa me lëndime të lehta në vitin 2017 janë evidentuar 166 raste ky numër për vitin që lamë pas ka rënë në 112 raste.
Ndërsa sa i përket lëndimeve të rënda trupore për vitin 2017 numri i rasteve ka qenë në 24 kurse për vitin 2018 ka rënë për dy raste më pak në 22.
Më poshtë keni statistikat në formë tabelore nga Policia e Kosovës të incidenteve të evidentuara në nivel vendi në shkolla dhe në afërsi të shkollave duke filluar nga lëndimet e lehta trupore e deri tek ngacmimet seksuale për vitin 2017 dhe 2018:
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se nuk ka pasur ankesa sa i përket përleshjeve të nxënësve të shkollave të mesme, pasi sipas tyre janë instancat tjera që fillimisht merren me këto probleme.
Dhe në rast se nuk arrijnë të zgjidhin problemin në fjalë nivelet paraprake, atëherë mund të procedohet ankesa e shkallës së dytë në MAShT.
“Nuk ka pasur ankesa në MAShT për raste të tilla, ngase rastet fillimisht trajtohen në nivel shkolle dhe në nivel të drejtorive komunale të arsimit dhe sipas nevojës koordinohen me shërbimet tjera të komunës, mirëqenien sociale, policinë, etj. Në MAShT mund të procedohet ankesat e shkallës së dytë, nëse nivelet paraprake nuk i zgjidhin ato siç duhet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Sa i përket masave të ministrisë në lidhje me ndalimin e këtyre incidenteve në shkolla të mesme MAShT sanksionon dhunën me infrastrukturën ligjore.
“Fillimisht MAShT e ka sanksionuar dhunën me infrastrukturën ligjore, në harmoni me Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe me instrumentet e tjera ndërkombëtare që lidhen me të drejtat e njeriut.
“(Ligji për Edukimin Parashkollor, Nr. 2006/02-L52 (neni 38, Mbikëqyrja, pikat 38.8 dhe 38.9); Ligji i arsimit parauniversitar, Nr.2011/04-L-032; ( neni 5, pika 10; neni 17, 18, 19, 20, 22, 36); Ligji i Inspeksionit të Arsimit); Udhëzimi administrativ ” Ndalimi, ndërprerja dhe inicimi i procedurës disiplinore për personelin edukativo-arsimor” 40/2005, DATA: 28.09.2005 U.A. Nr. 6/2014: Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta)”, janë shprehur nga MAShT.
MAShT ka treguar një varg masash të marra për parandalimin e dhunës në shkolla.
“MAShT gjithashtu si hartuese e politikave arsimore është iniciuesi dhe bashkëhartuese e Rregullores nr. 20/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Shkolla, e cila përcakton përgjegjësitë e institucioneve në nivel qendror dhe lokal për adresimin e kësaj problematike. Kjo rregullore ofron qasjen ndërinstitucionale dhe multidisiplinare të parandalimit dhe referimit të dhunës, ngase vetë dhuna vjen nga shkaktarë dhe faktorë të ndryshëm: individualë, familjarë, shoqërorë, por edhe shkollorë në disa raste. Ky protokoll ndalon të gjitha format e dhunës dhe në të gjitha relacionet. Pas protokollit, hartuam Udhëzuesin për zbatim dhe manualet didaktike (Manuali didaktik për parandalimin e dhunës në arsimin parauniversitar dhe Doracaku për parandalimin e dukurive negative në shkollat e mesme të larta, Pakon didaktike për Mbrojtjen e fëmijëve në internet) se si tema e dhunës të trajtohet me efikasitet në procesin edukativo-arsimor. Më tej kemi zhvilluar modulin e incidenteve në shkolla, modul ky i integruar në sistemin e menaxhimit të informatave në arsim ( SMIA), duke synuar konsolidimin e sistemit të raportimit dhe të referimit të rasteve në mënyrë permanente dhe efikase. Të dhënat që i gjeneron sistemi na ndihmojnë në orientimin e politikave të vazhdimësi”, kanë treguar nga ministria e Arsimit.
Kjo ministri thotë se krahas pakos së materialeve ligjore dhe didaktike, janë mbajtur takime regjionale, takime me DKA, trajnime dhe pastaj sesione informative gati në të gjitha komunat dhe kjo ndodhë në vazhdimësi.
Nga kjo ministri poashtu thonë se mekanizmat ekzistojnë vetëm se duhet të rritet mbikëqyrja dhe llogaridhënia.
Sipas tyre dhuna nuk mund të trajtohet vetëm nga sektori i arsimit pa kontributin e sektorëve tjerë.
“Përgjithësisht dhuna kudoqoftë ajo nuk mund të trajtohet vetëm nga sektori i arsimit, pa kontributin e sektorëve tjerë. Sikur mos të përballeshim me traumat e luftës, problemet familjare, dhunën në familje, prezencën e narkotikëve, të lokaleve të dyshimta afër shkollave, po edhe qasjes së qytetarëve në armë, do të mund të kishim më pak probleme përreth dhe brenda shkollave”, janë shprehur nga kjo ministri.
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thonë se krahas sanksionimit, veprimet e tyre janë orientuar në forcimin e sistemit të mbrojtjes nëpërmjet sistemit të raportimit dhe referimit si dhe ngritjes së kapaciteteve në terren për zbatimin e detyrimeve sipas niveleve të përgjegjësisë. Në këtë frymë sipas ministrisë, ata do të vazhdojmë punën tutje duke pretenduar parandalimin dhe reagimin e duhur ndaj dhunës në shkolla.
Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim e Kosovës – KEC ka thënë për Arbresh.info se përleshja e nxënësve në shkolla është shqetësues dhe prish imazhin e institucioneve shkollore.
Sipas tij problem më i madh është niveli i vetëdijes si dhe mos angazhimi i të gjithëve për tu marrë me këtë problematikë.
“Çdo incident që ndodh në shkollat tona është shqetësues dhe ndikon drejtpërdrejt në imazhin e institucioneve shkollore. Për mua, problem edhe më i madh është niveli i vetëdijes dhe angazhimit të të gjithëve për t’u marrë me këtë problematikë. Rastet e fundit, ku paraqiten nxënës duke u përleshur, e në anën tjetër, janë të rrethuar nga bashkëmoshatarë që nuk ndërmarrin asgjë për të ndërprerë konfliktin, por, vetëm luajnë rolin e spektatorëve, janë shumë shqetësuese. Kjo na tregon se jemi duke prodhuar gjenerata të cilat e amnistojnë dhunën dhe e legjitimojnë atë si mjet për të zgjidhur problemet”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij shkaktarët janë të shumtë por që sipas hulumtimeve që janë zhvilluar në Kosovë, ai thotë se neglizhenca del të jetë një kontribuues i madh i shpërfaqjes së konflikteve.
“Shkaktarët që qojnë deri tek përdorimi i dhunës janë të shumtë dhe është e pamundur që të krijohet një model (shabllon) me të cilin do të trajtoheshin rastet. Secili rast i ka specifikat e veta dhe duhet të trajtohet si i tillë. Bazuar në hulumtimet që janë zhvilluar në Kosovë, neglizhenca del të jetë një kontribuues shumë i madh i shpërfaqjes së konflikteve. Poqëse secila mosmarrëveshje në mes të nxënësve të trajtohej menjëherë, në burim, aty ku ndodh, rastet e tilla do të minimizoheshin. Konsideroj që mos-trajtimi i rasteve që konsiderohen si të “vogla” po gjenerojnë probleme të mëdha, të cilat po manifestohen me përdorim të dhunës”, është shprehur ai.
Rastet të tilla Tahiri thotë se janë të trajtuar mjaftë mirë nga ligji në fuqi, por që sipas tij sfidë kryesore mbetet mobilizimi i gjithë akterëve për t’u marrë me problemin.
“Legjislacioni në fuqi e rregullon mjaft mirë trajtimin e rasteve të tilla. Sfida kryesore mbetet te mobilizimi i të gjithë akterëve për t’u marrë me problemin. Trajtimi dhe në rast nevoje referimi i rasteve të dhunës është i rregulluar me Rregulloren QRK – nr. 21/2013 për Protokollin për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar. Në këtë dokument janë paraqitur të gjitha masat dhe veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse për parandalim dhe referimin e dhunës në shkolla. Në situatën që jemi tani, kur, thuajse në baza ditore paraqiten raste të tilla, është shumë e rëndësishme që shkollat të mos i fshehin rastet por t’i trajtojnë dhe raportojnë ato në bazë të përgjegjësive që i kanë”, ka thënë Tahiri./R.Rexhepi/Arbresh.info/
Gjermania e pamëshirshme ndaj Bosnjës, ia shënon shtatë gola
Pesë persona të lënduar nga aksidenti mes tri veturave në Fe...
Sfidë e zbehtë dhe pa gola në “Air Albania”, Shqipëria dhe Ç...
Arta Nitaj bëhet nënë
Xheneta, Gjestit: Nuk më intereson edhe nëse ke pasur diçka ...
Përfshihet nga flakët vendi i depozitimit të mbetjeve në Vlo...