Jashari: Rezalla qendër e rezistencës e vatër e heronjve

13:13 | 5 Prill 2019
Arbresh.info

Nën patronatin e presidentit Hashim Thaçi është mbajtur akademia përkujtimore në 20-vjetorin e masakrës së Rezallës.

I pranishëm ishte pjesëtari i familjes heroike, Bekim Jashari, njëherësh kryetari i komunës së Skenderajt, raporton arbresh.info.

Ai e ka quajtur Rezallën një vatër të heronjve e një qendër të rezistencës.

“Sot po përkujtojmë 94 banorë të Rezallës me fshatra përreth, të cilët ranë për liri dhe pavarësi. Egërsia serbe përveç që ekzekutoi në mënyrë barbare popullatën e pafajshme civile ata u munduan edhe t’ua fshehin gjurmët duke i masakruar më të dashurit tanë, duke dashur që të mbysin vullnetin tonë, ëndrrën tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Rezalla ishte qendër e rezistencës, ishte vatër e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha ai.

Në Rezallë sot 20 vjet ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë konflikti në Kosovë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme