Debati i parë i kandidatëve për president, dallime për Marrëveshjen e Prespës

09:59 | 5 Prill 2019
Arbresh.info

Kandidatët për zgjedhjet presidenciale kanë zhvilluar debatin e parë në kuadër të zgjedhjeve presidenciale ku çështja e emrit dhe Marrëveshja e Prespës kanë qenë temat dominuese.

Kandidatja për presidente e përkrahur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska – Davkova theksoi se ajo tashmë e respekton marrëveshjen pasi që është pjesë e Kushtetutës, por personalisht do ti shmanget përdorimit të emrit Republika e Maqedonisë së Veriut. Ajo paralajmëroi se ka mundësi dhe opsione që të ndryshojë Marrëveshjen e Prespës. Por kandidati për president i përkrahur nga partitë në pushtet, Stevo Pendarovski theksoi se është e paqartë se në çfarë mënyre Siljanovska do të mund të ndryshojë marrëveshjen, e cila ka garanca të forta ndërkombëtare.

Ai tha se në teori mund të ndryshojë, por në planin politik kjo nuk mund të ndodhë, sepse në NATO ka parime tjera dhe nuk i interesojnë aspektet juridike të Marrëveshjes së Prespës.

Kandidati shqiptar për president Blerim Reka theksoi se kjo marrëveshje vështirë mund të ndryshojë, por ai shtoi se më shumë druan që kjo të ndodhë nëse ndryshon pushteti në anën greke.

“Marrëveshjet ndërkombëtare që i firmosin dy palë vështirë mund të ndryshojnë, por më tepër druajë se Marrëveshja e Prespës mund të pësojë ndryshime nga ana greke, nëse atje vjen në pushtet ndonjë parti ekstreme djathtiste apo nacionaliste”, theksoi Reka./INA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme