Leximi i gabuar i raportit të Bankës Botërore nga Qeveria e Kosovës, lidhur me nivelin e papunësisë në vend, mund të ketë qenë arsyeja që kishte shtyrë Ekzekutivin të reagonte duke i konsideruar gjetjet në këtë raport si “të pavërteta dhe të pabazuara”.
Sipas Qeverisë së Kosovës, në raportin e Bankës Botërore është thënë se në vitin 2018 tregu i punës në Kosovë është zvogëluar për 17 mijë vende të punës. Por, kjo shifër nuk ishte përmendur fare në raportin e publikuar nga Banka Botërore.
I menjëhershëm ishte edhe një sqarim i Bankës Botërore dërguar mediave ku thuhej se Raporti i Rregullt Ekonomik (RER) për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, nuk konkludon se 17,000 vende të punës janë humbur në Kosovë gjatë vitin 2018.
Sidoqoftë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara më 2 prill, thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është 29.6 për qind. Kjo përqindje, kthyer në numra, nënkupton se 490 mijë persona janë ekonomikisht aktiv, prej të cilëve rreth 145 mijë janë të papunë, kurse 345 mijë janë të punësuar.
Papunësia më e theksuar, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, thuhet se është te femrat me 33 për qind, krahasuar me meshkujt, te të cilët papunësia është në shkallën 28.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë vazhdon të jetë te grupmoshat 15-24 vjeç me 55 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, të cilat i kishte publikuar Qeveria e Kosovës në reagimin ndaj Bankës Botërore, thuhet se vitin e kaluar numri i personave që kërkojnë punë, është zvogëluar për 11 mijë.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se rreth 8 mijë është numri i humbjes së vendeve të punës gjatë vitit kaluar.
Këto vende, sipas tij, kanë mbetur të zbrazëta për shkak të moshës, pensionit të parakohshëm, por edhe largimit të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian.
Edhe Berat Rukiqi, drejtor në Odën Ekonomike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se zvogëlimi i shkallës së papunësisë nuk paraqitet për shkak të mbylljes së vendeve të punës, por braktisjes së tyre për shkak të migrimit dhe gjetjes së vendeve të punës në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Nuk është për shkak të mbylljes së punës, ose performancës së dobët të sektorit privat, por në të njëjtën kohë ka më pak njerëz aktiv në tregun e punës. Dhe kjo, para së gjithash, sipas mendimit tim, paraqitet për shkak se një numër i madh që kanë qenë të punësuar, sidomos në sektorin e shëndetësisë dhe sektorë të tjerë, kanë kërkuar një treg më atraktiv dhe kanë vazhduar të punojnë në Gjermani dhe vende tjera”, theksoi Rukiqi.
Rënie të punësimit, sipas tij, ka pasur edhe në sektorin e ndërtimtarisë dhe të prodhimit, në kohën kur këta sektorë kanë deklaruar vazhdimisht performancë më të mirë në vitin 2018.
Ndërkaq, rritje të punësimit, sipas Rukiqit, ka në sektorin e tregtisë, teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK) dhe në sektorin publik.
Ai tha se agjenda kryesore e institucioneve për vendin, duhet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës jo në sektorin publik, por në sektorin privat.
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...