Google ADS

Pensionet e veteranëve do të përballen me Apelin

13:22 | 4 Prill 2019
V. S.

Ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve.

Më 14 mars prokurori special, Enver Krasniqi paraqiti kërkesën që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.

“Si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, tha Krasniqi.

Mirëpo, kjo kërkesë u refuzua të hënën nga Gjykata Themelore duke thënë se vendimi vlen deri në përfundim të procedurës penale.

Prokurori special, Sylë Hoxha ka thënë se për këtë rast do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Ne do ta vlerësojmë atë dhe më pas do të bëjmë ankesë në Apel, parimisht për të gjitha rastet që na refuzohen dhe nuk na aprovohen në bëjmë ankesë”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.

Për tre muajt e parë të këtij viti veteranët i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 20 milionë euro.

Organizata e Veteranëve të UÇK-së paralajmëroi se do të mbajnë protesta nëse vendoset për pezullim të pensioneve. Ndërsa dhjetë të akuzuarit e rastit ‘Veteranët e rrejshëm’ në seancën e fundit u deklaruan të pafajshëm duke thënë se aktakuza është e pabazuar.

Refuzimi i Gjykatës Themelore u kritikua edhe nga njohësit e çështjeve juridike të cilët thanë se vazhdimi i shpërndarjes së pensioneve për personat që dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme  statusin e veteranit është veprim i cili është dashur të ndalohet nga gjykata.

 

Kjo ngase nëse arrihet të vërtetohet kryerja e veprës penale nga personat e akuzuar, do të ishte shumë problematike konfiskimi i pasurisë së fituar në këtë mënyrë dhe pasojat buxhetore për Kosovën do të ishin shumë të larta. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme