Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka të konfirmuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar fshehurazi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Romë të Italisë.
Në Interaktiv të KTV-së, Osmani ka thënë se Thaçi ka tentuar vazhdimisht që idenë për ndryshime kufijsh ta shesë kinse se është ide që përkrahet plotësisht në Kosovë. Ajo e ka quajtur këtë ide ruso-serbe me synim destabilizimin e rajonit.
E pyetur përse mendon që ka stagnuar dialogu, ajo ka thënë se kjo nuk ka ndodhur për shkak të taksës, por se dialogu ka dalë nga binarët.
“Ka dalë nga qëllimi fillestar që të relaksohen raportet dhe tani kemi ardhur në një situatë ku nga ato tema diskutojmë për përdorimin e vizoreve apo rivizimin e kufijve e që është ide jashtëzakonisht e rrezikshme e cila burimin e ka në Serbi, është ide ruso-serbe që synon destabilizimin e vendit”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, hapja e kësaj teme ka krijuar polarizim në Kosovë dhe tash ka frikë nga dialogu. Deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj se po e pengon Thaçin në idetë për kufijtë, Osmani ka thënë se kjo mund të jetë vetëm pengesë e përkohshme “Nëse ai vërtetë dëshiron ta stopojë duhet të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese dhe të marrë udhëheqjen e dialogut. Është shumë e thjeshtë për ta bllokuar rrugën për dialogimin e kufijve”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se zbehja e diskutimeve të shumta për kufijtë ka ardhur për shkak se është kuptuar që Thaçi është i vetëm në këtë ide dhe se nuk e ka as përkrahjen e qeverisë e as të Kuvendit. Megjithatë, ka thënë se duhet të mos konsiderohet si temë e vdekur.
“Presidenti siç e dini ka mbajtur një sërë takimesh të fshehta me Vuçiqin përfshirë në Itali, Romë, që janë konfirmuar përmes disa kontakteve. Edhe vetë e kishte konfirmuar, por ka ikur si informatë. Ai e quan takim prapa kamerave, por s’mundet të mbajë një president i një vendi takime të tilla të fshehta me presidentin e një vendi që e konteston shtetësinë tënde dhe të mos e informojë askënd në Kosovë se çfarë është folur aty. Është qesharake edhe ai dokumenti 7-8 faqësh që presidenti ua ka dhënë Delegacionit shtetëror kinse ai qenka raporti i tërë për më shumë se një vit e gjysmë negociata të fshehta kur dihet mirë se ai ka hapur temën e kufijve”, ka shtuar Osmani.
Ajo më tej ka thënë se përtej idesë së kufijve atakohet komplet sovraniteti i Kosovës. Sipas saj, Gjermania tashmë e ka kuptuar se kjo ide është destabilizuese, ndërsa një mesazh të tillë ka thënë se po ia përcjellin vazhdimisht edhe SHBA-së. Ajo ka shtuar se SHBA-ja ka thënë se i ka dy parakushte për dialogun, e para që në Kosovë të ketë pajtueshmëri për marrëveshjen dhe e dyta që e ruan stabilitetin në rajon. Këtu ka shtuar se kushdo që e njeh rajonin e di se ndryshimi i kufijve gjithmonë ka çuar në gjakderdhje e destabilizim.
Osmani e ka quajtur version të kompromisit mes partnerëve platformën për dialog. Sipas saj, aty me këtë rast është miratuar një dokument ku hiqet dorë nga deklarimet e Kosovës për krime nga Serbia dhe se çështja e pavarësisë trajtohet vetëm si shkëputje nga Serbia, “duke tentuar t’i kthejmë në pikën zero shumë dokumente, përfshirë deklaratën e pavarësisë”.
Ekipin negociator e ka quajtur mbështetës për Thaçin. Ka thënë se çdo veprim i këtij ekipi është i kundërligjshëm sepse, sipas saj, duhet që ligji të hyjë në fuqi që të përcaktohet mandati i këtij ekipi, e ky ligj tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Sipas Osmanit, Qeveria Haradinaj po e konsideron buxhetin e Kosovës si kuletë personale. Ajo ka thënë se Kosova në çdo aspekt po ecën prapa. Ka thënë se është koha e fundit që të rrëzohet, por ka shtuar se pa përkrahjen e njërës nga partitë në pushtet nuk mund ta bëjnë. Për PSD-në ka thënë se në një formë është pjesë e pushtetit, duke cekur deklaratat e kryetarit të saj Shpend Ahmeti se nuk do ta rrëzojnë qeverinë për taksën ndaj Serbisë.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit