Fitoi Stambollin dhe Ankaranë, çfarë nuk dini për partinë turke CHP

23:43 | 3 Prill 2019
Trina Galanxhi

Në disa qytete turke kandidatë të Partisë Republikane (CHP) arritën fitore. Po çfarë partie është kjo?

Cumhuriyet Halk Partisi (CHP) – në përkthim: Partia Popullore Republikane – u themelua në vitin 1923 nga themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal Atatürk. Ajo është partia e parë, më e vjetra dhe më e suksesshmja parti e vendit. Asnjë parti tjetër nuk ka marrë më shpesh pjesë në qeveri. Deri në vitin 1945 ajo madje ishte e vetmja parti në Turqi.

Profili i partisë bazohet në të ashtuquajturat “gjashtë shigjeta”, që përfaqësojnë edhe logon e partisë.

-Republikanizmi

-Laicizmi

-Reformizmi (Modernizimi)

-Etatizmi

-Populizmi (Sovranitet i popullit/Demokraci)

-Nacionalizmi

Këto janë deri sot aspektet qendrore të “ideologjisë kemaliste”, të cilat do t’i ruajë dhe mbrojë CHP-ja.

Zhvillim ideologjik

Në vitet gjashtëdhjetë, CHP u hap edhe për vlerat socialdemokrate. Që atëherë, këtë parti mund ta shohësh si parti simotër të partisë socialdemokrate gjermane, SPD. Ajo ka qëndrim miqësor ndaj Evropës dhe e sheh një anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian si një hap të nevojshëm për modernizim. Në tërësi, CHP ka një qëndrim pozitiv ndaj Evropës dhe Perëndimit. Themeluesi i partisë Atatürk e vazhdoi përshtatjen osmane të vonë ndaj Perëndimit dhe reformoi drejtësinë, ekonominë, ushtrinë dhe politikën sipas modelit të shteteve evropiane.

Të ngjashme