Google ADS

Zaev: Marrëveshja e Prespës, përfitime ekonomike për Maqedoninë e Veriut

11:42 | 2 Prill 2019
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut do të ketë “përfitime të jashtëzakonshme ekonomike” nga marrëveshja e ndryshimit të emrit me Greqinë. Këtë bindje të tij, kryeministri Zoran Zaev e përcolli për AFP-në në vigjiljen e vizitës së homologut grek, Alexis Tsipras, në Shkup.

Përveç disa ministrave të kabinetit, Tsipras ka marrë me vete në këtë ndalesë edhe dhjetëra biznesmenë.

“Kompani të mëdha, me të ardhura miliarda euroshe, po vijnë në vendin tonë. ‘Motor Oil’ e Greqisë, një kompani nafte, si dhe konglomerati industrial ‘Mytilineos’. Firmat greke kanë premtuar të investojnë më shumë se 500 milionë euro në sektorin energjetik të Maqedonisë së Veriut, e parashikohen edhe investime të tjera në bujqësi. Vendi ynë do të ketë përfitime gjigante nga kjo marrëveshje, që besoj se do të shihen qartë në çdo sektor të ekonomisë”, tha Zaev.

Marrëveshja e Prespës kundërshtohet nga forcat nacionaliste në të dyja vendet, ku opozita po përpiqet ta shfrytëzojë një situatë të tillë për të fituar kapital elektoral.

Megjithatë, edhe ministri i Jashtëm grek, Giorgos Katroungalos thekson avantazhet ekonomike që ajo mund të sjellë, madje ai mendon se i gjithë Ballkani mund të jetë një hapësirë e unifikuar ekonomike.

Kryediplomati grek e konsideron pjesë të strategjitë së vendit të tij, promovimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhënieve të mira ekonomike e tregtare./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme