Nexhmi Hoxha, përfaqësues i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, ka thënë se duhet të gjendet vullneti për të kompensuar njësitë mësimore të humbura nga tri javë grevë që u mbajt në arsim në fillim të gjysmëvjetorit të dytë.
Sindikata e Arsimit dhe ministria e Arsimit janë përplasur, pasi kjo e fundit mori vendim që tri javët e humbura të kompensohen gjatë pushimit pranveror, të shtunave dhe në fundin e vitit shkollor. SBASHK-u megjithatë s’e ka dëgjuar urdhrin dhe tashmë shkollat kanë hyrë në pushim pranveror.
Në Express Intervistën në KTV, Hoxha ka thënë se nëse SBASHK-u s’po pranon të mbajë orët e humbura, të paktën duhet të gjendet një zgjidhje për të kompensuar njësitë mësimore që janë humbur.
“Humbësit kryesorë janë fëmijët dhe ne prindërit. Duke analizuar situatën që ka qenë dhe pas takimeve të njëpasnjëshme me SBASHK-un, por edhe ministrinë, kemi pa që s’po arrihet një pajtueshmëri. Ne kemi kërkuar që të zhvillohen njësitë mësimore që të mos dështojë viti. Nëse bëhet kompensimi i orëve i bie që greva s’ka pas rol. Kemi kërkuar që fëmijët tanë të mos i humbin të gjitha orët. Jemi ulur me SBASHK-un që të bisedojmë e të gjejmë modulin e përbashkët të gjejmë formë për t’i kompensuar a t’ua lëmë shkollave. Me rëndësi është të kompensohen mësimet”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhës, SBASHK-u ndihet i anashkaluar me vendimin e ministrit “sepse s’janë pyetur”.
“E kanë padit edhe në gjykatë ministrinë. Ata thonë se ne po presim vendimin e ministrit, e në takimin që kemi pas na është thënë se nëse ministri e tërheq vendimin për kompensimin, ne do të gjejmë mënyrën për të kompensuar njësitë mësimore”, ka shtuar Hoxha.
Sipas Hoxhës, SBASHK-u si sindikatë ka të drejtë. Megjithatë sipas tij, edhe prindërit kanë të drejtë të kërkojnë të drejtën e arsimimit të fëmijëve. Ai ka thënë se duke parë se muaji prill ka shumë festa zyrtare që qëllojnë nëpër ditë mësimi dhe duke parë se ka mjaftueshëm pushim, prindërit kanë kërkuar që pushimi pranveror të mos mbahet dhe të paktën të shtohen pesë ditë në qershor. Sipas tij, më së keqi e pësojnë nxënësit e klasës së parë, të nëntë dhe të 12-të.
Hoxha ka thënë se është fatkeqësi gjendja e tashme e arsimit në Kosovë. Ai ka thënë se prindërit në Prishtinë janë kundër idesë që të shtohen orët në fund të ditës së mësimit. Sipas tij, kjo është ngarkesë e madhe dhe jo efektive.
“Është për të ardhur keq situata. Është për të ardhur keq që ne si prindër kemi konstatuar se asnjë qeveri që nga paslufta nuk është marrë seriozisht me problemin e arsimit, edhe pse të gjitha kanë thënë se prioritet e kemi arsimin. Po shpresojmë si Këshill i Prindërve në Prishtinë që të gjendet një kompromis, të reflektojnë edhe qeveria edhe ministria. Ministria e Arsimit duhet të na sigurojë të drejtën e mësimit. E ka obligim. Ideja jonë ishte të mos shpallet viti i humbur. Nëse nuk mbahen tri javë ekziston rreziku i shpalljes së vitit të humbur dhe të gjithë nxënësit të kthehen në atë klasë që sapo e kanë përfunduar”, ka shtuar më tej Hoxha.
Sipas Hoxhës, edhe mësimdhënësit janë që të kompensohen orët në prill dhe në qershor, por ka thënë se janë në mes të përplasjes mes SBASHK-ut dhe ministrisë.
Ai ka komentuar edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për orët e humbura. Ka thënë se janë të zhgënjyer me sjelljet e deputetëve.
“Jemi të indinjuar dhe tejet të zhgënjyer me seancën ku u dëgjuan fyerje ndaj mësimdhënësve dhe njëri-tjetrit. Në vend që të krijohet zgjidhje e zgjeruan problemin edhe më shumë. S’po shohim zgjidhje”, ka shtuar ai, teksa ka përmendur se prindërit janë kundër po ashtu që të ketë tri javë shtesë në fund të vitit shkollor.
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...
Anisa e ashpër ndaj Gjestit dhe Leos, pasi ky i fundit ia vo...
Kosova dhe Serbia do të ulen sërish për dialog më 17 dhjetor...
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...
Zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme p...