Google ADS

Maqedonia Veriore, bashkëpunimi rajonal në fushën e shëndetësisë

15:22 | 31 Mars 2019
Arbresh.info

Nisma për lëvizjen e lirë të mjekëve në shtetet e rajonit pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe përgatisë vendin për integrim në Bashkimit Evropian. Sipas mjekëve në këtë mënyrë do të shmangej edhe problemi me mungesën e specialistëve për kryerjen e ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale. Për momentin, nëse mjekët duan të udhëtojnë në vendet e rajonit për të kryer operime, ju duhen licenca të posaçme si dhe nostrifikim të diplomave.

P.sh unë në Maqedoni bëj një intervenim që nuk e bën dikush tjetër por kam dëgjuar se edhe në shtete përreth nuk e bëjnë dhe mirë është që atyre mjekëve të ju jepet leje të munden ta ushtrojnë këtë profesion në ato shtetet adekuate, ashtu siç ndodh në Bashkësinë Evropiane ku mjekët lëvizin shumë lirë në shtete të ndryshme të BE-së – deklaroi Bekim Tateshi, Oftalmolog Shoqata e Mjekëve Shqiptarë.

Mjekët nënvizojnë gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të përvojave me kolegët e tyre nga rajoni e më gjerë sidomos gjatë zbatimit të metodave të reja. Ministri i Shëndetësisë thotë se Maqedonia është e gatshme që në bashkëpunim me Odën e Mjekëve dhe Fakultetet e Mjekësisë të fillojë të punojnë në ndryshimet e nevojshme përfshirë ato ligjore.

Mund të them se të gjitha vendet e mbështetën këtë iniciativë. Duhet që në nivel operativ t’i përpunojmë detajet në aspektin se si t’i lehtësojmë procedurat administrative, sepse e dini se ky profesion është i rregulluar rreptësishtë, kërkon licenca të posaçme, marrjen e nostrifikimeve dhe kjo është ajo që ne si ministri nga gjithë vendet përreth të punojmë me qëllim që ta lehtësojmë procedurën, me qëllim që mjekët e rinj dhe infermierët që qëndrojnë në vendet e tyre por që të munden për shkak të shkëmbimit të përvojave, ekspertizave apo për tu punuar punë plotësuese të udhëtojnë në vendet tjera të rajonit – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Çështjen e shkëmbimit të përvojave në fushën e mjekësisë brenda 6 shteteve të rajonit e udhëheq sekretarja e përgjithshme ë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu. Jozyrtarisht iniciativa përballet edhe me problemin që Greqia dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, gjë e cila pamundëson shkëmbimin e përvojave të mjekëve ndërmjet atyre shteteve./AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme