Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) hyri në fuqi më 1 prill 2016. Të hënën bëhen tre vjet që kur MSA ka vulosur orientimin strategjik të Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe ka krijuar kornizën formale dhe kontraktuale për të arritur këtë qëllim.
Lidhur me këtë marrëveshje, Demush Shasha, nga instituti EPIK, ka deklaruar për portalin arbresh.info, se MSA, në aspektin politik ka vendosur bashkëpunim që Kosova duhet të përafrojë dhe zbatojë legjislacionin e BE-së, ndërsa nga aspekti ekonomik, kjo marrëveshje paraprin kalendarin kohor brenda së cilit do të bëhet liberalizimi i plotë i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
“Ne aspektin politik, MSA ka vendosur kornizën ligjore të bashkëpunimit brenda së cilës Kosova duhet të përafrojë dhe zbatoj legjislacionin e BE-së, dhe rrjedhimisht të avancoj në rrugën e saj integruese. Ndërsa në aspektin ekonomik, MSA-ja ka paraparë kalendarin kohor brenda së cilit do të bëhet liberalizimi i plotë i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, ka thënë për portalin Arbresh, Demush Shasha, nga instituti EPIK.
Demush Shasha, ka theksuar se BE-ja dhe Kosova nuk do nënshkruajnë më asnjë marrëveshje deri në Traktatin e Anëtarësimit.
“Rëndësia e MSA-së pasqyrohet më së miri në faktin që BE-ja dhe Kosova nuk do nënshkruajnë më asnjë marrëveshje deri në Traktatin e Anëtarësimit. MSA në 600 faqe, X tituj, 7 shtojca dhe 5 protokolle, rregullon pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve. MSA është themel i procesit të integrimit evropian. Nga ana ekonomike, MSA ka ofruar bizneseve të Kosovës qasje ne një treg prej me shumë se 500 milion konsumatorë”, ka deklaruar Demush Shasha nga instituti EPIK.
Sipas, Demush Shashës, zbatimi i MSA-së, e sheh ende sfidë në adresimin e reformave strukturore të procesit të integrimit Evropian, siç është sundimi i ligjit, përmirësimi i sistemit arsimor dhe rritja e konkurrueshmerisë.
“Sa i përket zbatimit të MSA-së, shohim ende sfida në adresimin e reformave strukturore të procesit të integrimit Evropian, siç është sundimi i ligjit, përmirësimi i sistemit arsimor dhe rritja e konkurrueshmerisë. Mungesën e zbatimit të reformave e tregojnë më së miri shkalla e ulët e implementimit të Agjendës Evropiane të Reformave (ERA) dhe Programit për Zbatimin e MSA-së. Që nga lansimi i ERA-së në vitin 2016, institucionet kanë arritur të zbatojnë në tërësi vetëm 5 nga 22 prioritete të ERA-së, ndërsa në vitin 2018 nuk u zbatua 1/3 e Programit për Zbatimin e MSA-së”, ka deklaruar Shasha për portalin arbresh.
Njomza Mjeku, nga “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”, për portalin arbresh.info, ka deklaruar se MSA, është marrëveshja më e rëndësishme e Qeverisë së Kosovës në rrugën drejtë integrimit evropian.
“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është marrëveshja më e rëndësishme e Qeverisë së Kosovës për rrugën tonë drejtë Integrimit Evropian. Si dokument strategjik shumë i rëndësishëm që është, MSA-ja sjellë benefite për Kosovën duke mundësuar reforma që janë vetëm pozitive për vendin tonë dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Njomza Mjeku nga GLSP. Mjeku theksoi se institucionet e Kosovës, për vitin 2017 kanë realizuar 908 aktivitete, ndërsa për vitin 2018 kanë realizuar 642 aktivitete sa i përket kësaj marrëveshje.
“Institucionet e Kosovës kanë realizuar 241 aktivitete, ku janë plotësuar 34.84% e kësaj marrëveshje në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, ndërkaq në gjashtë mujorin e dytë , po të këtij viti kanë realizuar 667 aktivitet, ku janë plotësuar 39% e kësaj marrëveshje. Ndërsa në vitin 2018 në gjashtë mujorin parë janë realizuar 111 aktivitete, ku janë plotësuar 29.73% prej tyre, apo në tërësi ka pasur 531 objektiva, ku janë plotësuar 63.83% prej tyre”, ka thënë për portalin Arbresh.info, Njomza Mjeku.
Kjo marrëveshje është nënshkruar edhe nga Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit./arbresh.info/
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...