Avokati i disa prej familjeve të shtetasve të dëbuar turq, Urim Vokshi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se shteti i Kosovës e ka obligim ligjor kthimin e gjashtë të dëbuarve turq në Kosovë.
Sipas tij, rikthimi i tyre në Kosovë do të rikthente edhe besueshmërinë në institucionet e vendit.
“Udhëzimi Administrativ parasheh që kushdo që dërgohet gabimisht, ai vendim të revokohet dhe të njëjtit duhet të kthehen në Kosovë. Në nuk mund të paragjykojmë se si do të ndodhë, por ajo që kemi ne për detyrë është të ndjekim rrugët ligjore. Shteti e ka obligim që t’i kthejë”, ka thënë ai.
Sipas Vokshit, Prokuroria e Shtetit i ka të gjitha informacionet për njerëzit e përfshirë në dëbimin e tyre dhe nuk duhet shumë punë për t’i sjellë ata para drejtësisë. Ndërkohë është shprehur optimist që presioni nga ambasadat ndërkombëtare do t’i përshpejtojë procedurat e kthimit të “gylenistëve” në Kosovë.
“Tashmë ka kaluar një vit i plotë, ka kaluar mjaft kohë, shpresojmë që presioni i ambasadave të ketë ndikimin e vet që institucionet të marrin hapat konkretë. Personat e përfshirë janë lehtë të identifikueshëm dhe nuk ka volum të madh të punëve për t’u sqaruar një gjë e tillë”, është shprehur ai.
Vokshi ka vlerësuar punën e Komisionit Parlamentar Hetimor mirëpo sipas tij është fatkeqësi që një punë e tillë nuk është përfunduar.
“Ky vit ka qenë i ngjeshur, kemi pasur një numër të vendimeve, kanë qenë 9 vendime nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të gjitha këto kanë qenë në favor të personave të dëbuar, dhe nuk ka prova që ata kanë rrezikuar sigurinë e Kosovës. Në anën tjetër ka pas një angazhim në komisionin hetimor i cili ka nxjerr një draft-raport me 30 shkelje”.
“Fatkeqësi është që një punë e tillë ka mbet pa përfunduar. Në anën tjetër nuk kemi ndonjë lëvizje konkrete prej Prokurorisë së Shtetit nga e cila pritet që personat që kanë shkel ligjin të vihen para drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Sipas Vokshit, në Turqi nuk është mbajtur asnjë seancë për të deportuarit dhe se që nga dëbimi i tyre ata gjendën në paraburgim.
“Kam shumë pak informacione për gjendjen e të dëbuarve, dimë se të njëjtit janë duke u mbajtur në paraburgim dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë. Përkundër se të njëjtit kanë avokatë, ata nuk ftohen në seancat ku u vazhdohet paraburgimi, atyre u dërgohet vetëm vendimi”, ka thënë ai.
Ai thotë se, përveç gjendjes emocionale, edhe gjendja ekonomike e familjeve të shtetasve turq të dëbuar nga Kosova, të cilët kanë lënë edhe fëmijë të vegjël në Kosovë, është vështirësuar pasi ata kanë qenë mbështetësit kryesorë financiarë për familjet e tyre.
I pyetur nëse ka ndonjë kërkesë tjetër për arrestim e dëbim të ndonjë shtetasi tjetër, Vokshi thotë se nuk beson se shteti i Kosovës do të toleronte t’i ndodhte një skandal i tillë sërish.
“Nuk besoj se shteti i Kosovës do ta përsëriste një skandal të tillë. Institucionet e Kosovës besoj se tashmë e kanë kuptuar se duhet të refuzojnë menjëherë nëse vjen sërish një kërkesë e tillë”, u shpreh ai.
Avokati Vokshi thotë se ky rast ka cenuar shumë rëndë shtetin e Kosovës, jo vetëm për personat që potencialisht do të kërkojnë azil në Kosovë, por edhe për investitorë potencialë.
“Investitori potencial e kupton se ka ndodhur një skandal i madh që potencialisht mund t’i ndodhë edhe atij”, ka thënë Vokshi.
Ai foli edhe për personin që u ngatërrua gjatë arrestimit, e që organet e rendit arrestuan dikë tjetër. Vokshi thotë se ky person tashmë është larguar nga Kosova për të gjetur strehim më të sigurt në një shtet tjetër, pa e përmendur se në cilin.
“Personi është ankuar ndaj vendimit të tillë. Anomalia është se personi i tillë konsiderohej i rrezikshëm, ndërsa një muaj më pas hynte në MPB lirshëm. Nëse ai do të ishte i rrezikshëm për sigurinë kombëtare, siç pretendohej, ai do të arrestohej menjëherë. Përkundër të gjitha këtyre, duke parë se s’ka ndonjë përgjigje konkrete nga institucionet e Kosovës, i njëjti vendosi të largohej nga Kosova për një vend më të sigurt”, deklaroi avokati i disa prej familjeve të shtetasve turq të dëbuar një vit më parë nga Kosova për në Turqi.
Avokati shpreson se përgjegjësit e kësaj vepre do të marrin dënimin e merituar.
“Besojmë se Prokuroria Speciale do të dalë me një aktakuzë dhe ata që e kanë shkelur ligjin do të përballen me aktakuzë dhe do të gjykohen në mënyrë të drejtë. Presim që edhe raporti i Komisionit (Parlamentar) të përfundojë në mënyrë të suksesshme”, theksoi avokati Urim Vokshi./koha.net/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...