Zyra e BE-së reagon pasi Thaçi zhbllokoi KQZ-në: Funksionimi i këtij institucioni është jetik për demokracinë në Kosovë

15:50 | 29 Mars 2019
V. S.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e presidentit Hashim Thaçi për të proceduar me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Sipas kësaj zyre, që drejtohet nga Natalia Apostolova, funksionimi i KQZ-së është jetik për demokracinë në Kosovë.

“Mirëpresim vendimin e presidentit Thaçi për të caktuar anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor. Funksionimi i KQZ-së është esencial për demokracinë e Kosovës”, thuhet nga kjo zyrë, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo, emërimi i anëtarëve të KQZ-së është zvarritur nga presidenti Thaçi për një vit me radhë. Edhe përkundër reagimeve të partive politike, ai kishte zvarritur procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Vetëm pas thirrjes së Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Thaçi ishte aktivizuar, dhe të enjten ka dekretuar tetë anëtarët e rinj të KQZ-së.

Kanë mbetur pa u dekretuar edhe dy anëtarë të koalicionit PAN, në të cilin është i përfshirë edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Këta të fundit do ta dërgojnë në Kushtetuese Thaçin, pasi sipas tyre secila parti politike duhet të ketë një përfaqësues në KQZ. /GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme