Google ADS

Facebook fshin 212 llogari të rreme nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

17:57 | 27 Mars 2019
Arbresh.info

Kompania Facebook ka mbyllur rreth 2 mijë e 632 llogari të rrejshme nga platformat e Facebook-ut dhe Instagram-it. Përmes një njoftimi zyrtar, kjo kompani ka njoftuar se ka fshirë llogari nga Rusia, Irani, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për shkak të “sjelljes së koordinuar joautentike”.

Aty thuhet se 1907 faqe, grupe dhe llogari kanë qenë të lidhura me Rusinë, përderisa 513 me Iranin, derisa rreth 212 faqe të mbyllura janë me origjinë nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut.

Në njoftimin e Facebook-ut thuhet se personat që menaxhuan këto faqe, kanë mashtruar duke thënë se përfaqësojnë komunitetet politike në vendet si Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këto faqe, sipas Facebook-ut, janë shpërndarë lajme me përmbajtje jo-vendore, lajme për shëndetin dhe për persona të famshëm. Po ashtu, thuhet se janë shpërndarë linqe të ndryshme apo shkrime me përmbajtje nacionalizmi, me përmbajtje fetare, kryesisht fenë islame dhe përmbajtje për figurat të caktuara politike.

“Edhe pse ata tentuan të prezantojnë rrejshëm veten e tyre, ne kemi gjetur se këto faqe, grupe dhe llogari, kanë qenë të lidhura me një grup të njerëzve që veprojnë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ne jemi vazhdimisht duke punuar në zbulimin dhe ndalimin e këtij lloji të aktivitetit, sepse nuk duam që shërbimet tona të përdoren për të manipuluar njerëzit,” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Facebook.

Ekspertë të çështjeve kibernetike në Kosovë thonë se është shumë shqetësuese dukuria e faqeve dhe lajmeve të rreme.

Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike, tha për Radion Evropa e Lirë se sjelljet jo-origjinale dhe përmbajtjet e rreme, janë shumë të rrezikshme në kontekstin e manipulimin të opinionit publik.

Sipas tij, kur opinioni publik sheh përmbajtje të tilla, mund të ketë manipulim të masave dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për një shoqëri. Elshani tha se secili individ, secili përdorues që sheh një përmbajtje të rreme dhe joorigjinale në Facebook, duhet ta raportojë atë.

“Dua të theksoj gjithashtu se nevojitet një sensibilizim i opinionit publik. Kjo temë është jashtëzakonisht e ndjeshme për shkak se bëhet manipulimi i masës. Manipulimi i opinionit publik, mund të jetë tejet i rrezikshëm për demokracinë e një vendi, për rendin kushtetues”, tha Elshani.

Përveç numrit të madh të faqeve të rreme, shqetësuese sipas tij, është edhe numri i madh i ndjekësve të këtyre faqeve, pasi që Facebook ka njoftuar se këto faqe kanë pasur rreth 685 mijë ndjekës.

Sipas Elshanit, për të mos lejuar që kjo dukuri të përhapet në Kosovë, duhet të ketë aktivitete shumë më të fuqishme dhe më agresive dhe një bashkëpunim më i madh me Facebook-un.

“Autoritetet kosovare duhet të ndërmarrin masa agresive lidhur me këto përmbajtje të rreme në Kosovë dhe në rajon, dhe këtu kam parasysh për shembull, ne në Kosovë e kemi njësitet brenda Policisë të cilat aktivisht punojnë në këtë fushë, gjithashtu kanë edhe bashkëpunim me Facebook-un si kompani, dua të them që nevojitet një bashkëpunim më i madh, një koordinim më i madh në mes të autoriteteve për sigurinë kibernetike në Kosovë edhe forcimit të ligjit me kompaninë Facebook dhe me kompanitë e tjera, sepse kjo dukuri nuk ndodh vetëm në Facebook”, tha Elshani.

Në një hulumtim të televizionit australian ABC News, thuhet se “një rrjet i faqeve në Facebook, ka mashtruar audiencën në Australi, të cilët i ka shqetësuar me çështje të nxehta, që përfshijnë islamin dhe refugjatët”. Sipas këtij hulumtimi, personat që kanë menaxhuar këto faqe, janë nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut.

Në këtë hulumtim, thuhet se këto faqe të kontrolluara nga Ballkani, kanë postuar lajme të rreme për të ushqyer jo-tolerancën dhe fyerjet racore, dhe duke përdorur përmbajtje të vjedhur nga mediumet e tjera, kanë përfituar nga rrjeti i reklamave të Facebook.

Faqja më e vjetër dhe më e popullarizuar është “Australians against Sharia”(Australianët kundër Sheriatit), pastaj “Aussie infidels” (Australianët të pafe), “Stop the Mosque in Melbourne” (Ndal xhamive në Melburn) dhe “Stop all Mosque in Narre Warren” (Ndal për të gjitha xhamitë në Nare Varen – vendbanim në Melburn). Facebook i ka larguar të gjitha këto faqe.

Në Policinë e Kosovës, kanë thënë se nuk mund të komentojnë veprimet për fshirjen e shumë faqeve nga Kosova, pasi Facebook, është kompani private dhe në momentin që vëren përmbajtje të papërshtatshme mund të mbyllë dhe të fshijë faqet dhe llogaritë e caktuara.

Facebook edhe në fillim të muajit të kaluar kishte njoftuar për fshirjen e pothuajse 800 faqeve, grupeve dhe llogarive të koordinuara, joautentike të drejtuara nga Irani, që ishin pjesë e një fushate manipulimi që vepronte në më shumë se 20 vende të botës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme