Sot iu dha lamtumira e fundit sugarit të familjes Ajvazi nga fshati Sojevë i Ferizajt. 13 vjeçari Adriatik Ajvazi, nxënës i klasës së shtatë, dyshohet se i dha fund jetës duke u varur në litar -në plemen e shtëpisë.
Familjarët dhe kujdestarja e klasës thanë se i mituri nuk ka shprehur asnjë shenjë depresioni as dje e as në të kaluarën. Madje rreth dy orë para momentit tragjik ai kishte luajtur me biçikletë bashkë me bashkëmoshatarët e tij në mëhallë.
Prokuroria thotë se nuk ka asnjë dyshim se dikush ka mundur ta shtyjë 13 vjeçarin ta bëjë këtë veprim.
Rruga pranë shtëpisë ku Adriatiku luante çdo ditë ishte mbushur me njerëz. Të gjithë kishin ardhur për ta ngushëlluar familjen Ajvazi për humbjen e hershme të djalit të tyre. Me lot në sy, shokët e ngushtë të Adriatikut e mbanin në duar një kurorë me lule të bardha. Rreshti i gjatë i nxënësve të shkollës “Ramadan Rexhepi” i prirë nga kujdestarja e klasës së Adriatikut shkonin për në varrezat e fshatit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit nxënësit/shokut të tyre që një ditë më parë mbajtën orët mësimore me të. E, pas orarit të shkollës luajtën bashkë.
Askush nga familja e ngushtë e djalit të mitur nuk ishte të gatshëm për të folur për media, por në të pame qëndronin familjarë më të largët të cilët i thanë Gazetës se Adriatiku ishte djalë shembullor, nuk kishte probleme dhe asnjëherë nuk ka shfaqur shenja depresioni. Madje sipas tyre as prindërit nuk i dinë motivet që 13 vjeçarin e çuan drejt vdekjes.
“Djalë shumë i urtë. Ka shku në shkollë në klasën e shtatë, 13 vjet i ka pas. Nuk ka pas asnjë problem…deri para një ore ose dy para vdekjes ka lujt me shokët e vetë”, tha ky familjar.
Se Adriatiku ishte nxënës i shkëlqyeshëm e konformoi edhe kujdestarja e klasës së tij, Mirjeta-Kashtanjeva –Gashi.
“Ka qenë shumë i mirë i edukuar shumë mirë, ka qenë dje në shkollë si çdo herë i hareshëm, shumë i sjellshëm. Nuk është vërejtë absolut kurgjo që ka pas ndonjë shqetësim as dje as herave të tjera. S’ka mungu në shkollë, ka qenë nxënës i rregullt”, tha mësimdhënësja e historisë, kujdestare e klasës së shtatë në shkollën “Ramadan Rexhepi” në Sojevë.
Për të foli edhe shoku i klasës së Adriatikut, tha se si çdo ditë tjetër edhe dje rreth orës 16:00 kanë luajtur bashkë.
“Kena lujt dje në ora katër, kena lujt me biçikletë, s’ka thanë send.. djalë shumë i sjellshëm”, tha ai.
Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, Rasim Maloku tha se nuk kanë ndonjë sinjal se të miturin mund ta ketë nxitur dikush për të kryer vetëvrasje.
“Të dhënat e para tregojnë se nuk ka dyshim se i mituri ka pas shtytje prej dikujt për ta bërë këtë veprim. E kanë pa duke luajtur pak momente para se me bo vetëvrasjen, ka hy në një depo si pleme dhe e kanë gjetur të varur”, tha Maloku.
“Ska asnjë dyshim që ka naj motiv që e ka shty najkush drejt këtij veprimi. Trupin e pajetë jau kemi liru familjarëve për ceremoni mortore”, përfundoi Maloku.
Konfirmimi i policisë për vdekjen e të miturit:
“Rreth orës 18:00, policia është informuar për një rast tragjik në Sojevë të Ferizajt. Ekipi mjekësor ka konstatur se një i mitur ndodhet pa shenja jete . Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe sipas informacioneve të para bëhet e ditur se personi i gjinisë mashkullore, 13 vjeçar, ka kryer vetëvrasje.
Pesë vetëvrasje në Kosovë brenda këtij viti
Me rastin e mbrëmshëm numri i personave që ia morën jetën vetës këtë vit ka shkuar në pesë. Këtë e ka bërë të ditur policia. Ndërsa, brenda dy muajve janë kryer edhe 13 tentim vetëvrasje.
“Janar 2019; një (1) rast vetëvrasje dhe 8 tentim vetëvrasje,
Shkurt 2019; tre (3) raste vetëvrasje dhe 5 tentim vetëvrasje”, tha policia.
Ndërsa, gjatë tërë vitit 2018 në Kosovë ndodhën 38 vetëvrasje dhe 163 tentim vetëvrasje./Gazeta Express./
Rrahmani jep një mesazh të fortë në konferencë për media pas...
Skandal pas skandali në Rumani/ Tentohet të sulmohet Edon Zh...
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend