Venezuela përballet me ndërprerje të re të energjisë elektrike

22:59 | 26 Mars 2019
Arbresh.info

Një ndërprerje e re e energjisë elektrike në Venezuelë ka detyruar vendin të mbyllë shkollat ​​dhe sektorin publik dhe atë privat për 24 orë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënpresidenti Jorge Rodriguez njoftoi se të gjitha aktivitetet e punës dhe arsimit do të ndalohen për t’u marrë me problemin që ka përfshirë pjesën më të madhe të kryeqytetit Karakas dhe 15 provinca të tjera.

Rodriguez tha se qeveria po punon për të zgjidhur problemin sa më parë që të jetë e mundur.

Energjia elektrike në vend u ndërpre të hënën në orën 1 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërkohë që Rodriguez tha se ndërprerja është shkaktuar nga një sabotim i ri.

Presidenti i përkohshëm i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido, tha se ndërprerja është shkaktuar nga një zjarr në linjën e tensionit të lartë dhe akuzoi qeverinë se nuk është në gjendje të sigurojë “madje as energjinë elektrike”.

Më 7 mars, Venezuela u zhyt në errësirë ​​me ndërprerje të energjisë që përfshiu 21 nga 23 shtetet e saj.

Presidenti Nicolas Maduro dhe qeveria e tij e kanë cilësuar ndërprerjen si një “sabotim” në kohën e krizës politike në vend.

Venezuela është bërë skenë e protestave që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u rritën kur kreu i opozitës Guaido shpalli veten si president i përkohshëm më 23 janar, hap që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Ndërkaq, Turqia, Rusia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë shprehur mbështetjen e tyre për Maduron.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme