Google ADS

“Përmirësohet transparenca e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nevojitet përgjegjësi dhe kulturë politike”

15:35 | 26 Mars 2019
Arbresh.info

“Parlamenti në vitin 2018 ka miratuar gjithsej 246 ligje, që është rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin 2017, kur janë miratuar 33 ligje, që ka të bëjë me faktin e mosfunksionalitetit të Kuvendit në pesë muajt e parë për shkak të zgjatjes së vazhduar të seancës konsultative.

Megjithatë, numri i ligjeve në vitin 2018 është më i vogël se ai në vitin 2016, kur janë miratuar 339 ligje dhe kjo paraqet përmirësim, pasi hiperinflacioni i ligjeve nuk do të thotë çdoherë përmirësim të sistemit dhe të proceseve”.

Kjo thuhet në raportin përmbledhës nga projekti “Indeks i përgjegjësisë, transparencës dhe produktivitetit të Kuvendit për vitin 2017 dhe 2018”, që e zbatoi Asociacioni qytetar MOST.

Drejtori ekzekutiv i MOST-it, Darko Aleksov në prezantimin e sotëm të raportit tha se është vërejtur edhe trend pozitiv i rritjes së pjesëmarrjes së deputetëve në krijimin e politikave, ndërsa tërësisht ka ndryshuar edhe trendi i miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar.

Kështu, prej 70 për qind në vitin 2016, dhe 72.7 për qind në vitin 2017, vitin e kaluar numri i ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar ka qenë 28.9 për qind, që siç tha, paraqet trend pozitiv që duhet të vazhdojë edhe më tej.

Lidhur me punën e komisioneve të Kuvendit, numri i komisioneve të cilat kanë marrë 50 e më tepër pikë indekse nga 100 të mundura, është rritur prej katër në vitin 2017 në nëntë në vitin 2018, e vetëm dy prej tyre komisionet për kulturë dhe për bujqësi janë konsistente në sigurimin e transparencës në dy vite. Madje 12 komisione kanë marrë vlerësim më të lartë mesatar për transparencës vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2017, ndërsa transparenca e punës së komisioneve është rritur në vitin 2018, që është evidente edhe nga vlerësimet e përgjithshme mesatare për transparencë prej 27 në vitin 2017 në 46 në vitin 2018.

Vlerësimi i përgjithshëm mesatar për cilësinë e procesverbaleve, megjithatë është rritur për 11 pikë indeksi prej 48 në vitin 2017 në 59 në vitin 2018. Është mbajtur vetëm një debat mbikëqyrës nga ana e e Komisionit për kulturë, gjë që tregon në atë se Kuvendi duhet ta përmirësojë rolin e vet mbikëqyrës, ndërsa u konfirmua edhe nivel i rritur i përfshirjes së palëve të involvuara në vitin 2018.

Trendet tregojnë edhe në rritjen e pjesëmarrjes së deputetëve në procesin ligjdhënës. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se pa transparencë të vërtetë nuk ka as kuvend të vërtetë, as demokraci të vërtetë parlamentare, ndërsa që të arrihet niveli i lartë i transparencës, nevojiten më shumë parakushte, nga korniza konkrete normative e deri te ndjenja lartë e zhvilluar për përgjegjësi, si dhe kultura adekuate politike e të gjithëve, të cilët janë përfshirë në realizimin e funksioneve në çdo parlament./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme