Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulëzim Basha dha një intervistë për gazetarin Giancarlo Padovan, në të përditshmen italiane “Il fatto quotidiano”.
Basha, tha se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.
Lideri i opozitës iu referua raporteve të 3 viteve të fundit, të Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore.
Intervista e plotë e Bashës:
Zoti Basha, ju jeni kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës, që prej më shumë se një muaji e gjysëm, po nxjerr në shesh në Tiranë, mijëra njerëz kundër qeverisë Rama. Deri më tani kanë qenë 5 protesta, e fundit të shtunën e kaluar, “njëra nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë e sigurisht më e madhja në këto 6 javë” sipas jush. Pse edhe këtë herë policia përdori gazin lotsjellës?
Forcat e rendit e përdorën në mënyrë të rrezikshme dhe krejt të pajustifikueshme. Gazi lotsjellës u përdor qysh në fillim prej policisë dhe jo si alternativa e fundit e mundshme. Ekzistojnë pamje që tregojnë sesi gazi lotsjellës është përdorur në mënyrë të qëllimshme nga forcat policore për të dëmtuar protestuesit. Synimi është i qartë, nuk duan që njerëzit, veçanërisht gratë dhe familjarë me fëmijë, të marrin pjesë në protesta.
Nuk besoni se të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj?
Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik, që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar, është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pisëta.
Kush e thotë?
Në 3 vitet e fundit, sipas Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore. Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.
Çfarë kërkoni ekzaktësisht?
Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.
Gjithsesi, Edi Rama, në një intervistë për “Fatto”-n ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka një revoltë të popullit, por revoltë të një opozite e cila, “u dërgua në shtëpi, pasi shkatërroi ekonominë dhe zhyti vendin në kënetën e pandëshkueshmërisë”.
Këto janë deklarata propagandistike, tipike të liderëve autokratë, të cilët mendojnë se po flasin në emër të popullit dhe që çdo kritikë e klasifikojnë si një tentativë për t’u kthyer prapa, në të shkuarën. Në fakt, kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi. Vetëm gjatë viteve të kësaj qeverisjeje, thuajse 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në njërin nga vendet anëtare të BE-së. Para ardhjes së Ramës në pushtet, ky numër ishte më pak se 50 mijë dhe fenomeni i azilkërkimit thuajse po zhdukej.
Nëse do të votohej nesër, cilat janë gjasat që partia juaj të fitonte?
Kjo e jona nuk është një betejë për pushtet. Po luftojmë që të ketë drejtësi dhe një qeveri për qytetarët. Në këtë betejë besojmë se kemi edhe mbështetjen e shumicës dhe sondazhet e konfirmojnë këtë./TCH
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...