Tash e tre javë, nxënësit e gjimnazit shoqëror-gjuhësor “Ahmet Gashi”, të Prishtinës, kanë mbetur pa mësimdhënësen e matematikës.
Që nga 25 shkurti i këtij viti, shtatë paralele të gjimnazit shoqëror-gjuhësor “Ahmet Gashi”, të Prishtinës, përkatësisht gjashtë paralele të klasave të 11-ta dhe një e klasës së 12, kanë mbetur pa mbajtur asnjë orë mësimi në lëndën e matematikës, raporton lajmi.net.
Kjo për faktin se profesoresha e kësaj lënde, më 26 shkurt ka kryer një operacion të rëndë mirëpo, akoma nuk është gjetur një zëvendësim nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës për këtë lëndë.
Siç merr vesh lajmi.net, që nga 2 marsi kur edhe është liruar nga spitali profesoresha në fjalë, ajo është në pushim mjekësor një muaj me mundësi vazhdimi, kjo për shkak të operacionit të vështirë që ka pasur.
Drejtori i gjimnazit shoqëror-gjuhësor “Ahmet Gashi”, Ilmi Reçica, ka thënë për lajmi.net, se fillimisht ka provuar që me mësimdhënësit e tjerë të bëjnë mbulimin e orëve në mënyrë që nxënësit të mos humbasin mësim, por që sipas tij, kjo ka qenë e pamundur për shkak të angazhimit të profesorëve të tjerë.
“Profesoresha është bërë operacion dhe ajo ndoshta nuk mundet me ardh me dhanë mësim edhe një muaj sepse nuk e dimë sa mundet me i sugjerua mjeku për shkak se e ka pasur një operacion shumë të rëndë. Kërkesën e kemi bërë menjëherë. Kam bërë përpjekje që orët me ia nda profesorëve në mënyrë që nxënësit që mos humbin mësim, por profesorët po janë të zënë sepse tash është koha e periodës dhe nuk po kanë mundësi dhe nga komuna nuk po na sjellin zëvendësim. Kështu që për momentin kjo është situata”, ka treguar Reçica për lajmi.net.
Ai ka thënë se deri më tani në Komunën e Prishtinës i kanë bërë dy kërkesa për ta gjetur një zëvendësim mirëpo, akoma nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje dhe nxënësit janë duke humbur mësim.
Reçica ka thënë se më 13 dhe më 18 mars, kanë dërguar kërkesë për gjetjen e një zëvendësimi.
“Edhe pas kërkesës sonë nga Komuna nuk na kanë kthyer kurrfarë përgjigje në lidhje me gjetjen e një zëvendësimi. Tash DKA-ja nuk e di sa e ka rolin kryesor, por tash më shumë merret Zyra për Burime Njerëzore, kështu që nuk kemi kurrfarë zëvendësimi ndërkaq orët dhe nxënësit po humbin pavarësisht se i kemi njoftuar me kohë për zëvendësim”, ka treguar Reçica për lajmi.net.
Në anën tjetër, Ardiana Ismaili, zyrtare e lartë e arsimit në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar për lajmi.net, se drejtori i kësaj shkolle ka bërë kërkesë vetëm më 18 mars të këtij viti për gjetjen e zëvendësimit.
Sipas Ismailit, kjo është periudhë shumë e shkurtër kohore për gjetjen e një zëvendësimi.
“Ju njoftoj se drejtori i shkollës “Ahmet Gashi”, ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit, më datë 18 mars 2019, për mungesën e mësimdhënëses së matematikës, e cila ka shkuar në pushim mjekësor, por për këtë periudhë kohore Drejtoria e Arsimit e ka të pamundur të angazhoj mësimdhënës”, ka treguar fillimisht Ismaili për lajmi.net.
Ajo ka thënë se situatat e tilla paraqesin vështirësi shumë serioze në procesin arsimor, pasi që sipas Ismailit është e pamundur që të angazhohet një mësimdhënës i ri për mësimdhënësit që gjenden në pushim mjekësor.
“Situatat e tilla po paraqesin vështirësi serioze për procesin edukativo-arsimor, mbasi për periudhën sa mësimdhënësit gjenden në pushim mjekësor është e pamundur të angazhohet një mësimdhënës i ri, për shkak të proceduarave që nuk po lejohet angazhimi i mësimdhënësve pa procedura të konkursit nga Ministria e Administratës Publike”, ka deklaruar Ismaili.
Tutje Ismaili ka thënë se këto situata të jashtëzakonshme po paraqesin probleme dhe vështirësi për procesin arsimor në nivel vendi edhe se këto shqetësime janë adresuar në këto institucione.
Sipas saj, për periudhën kohore sa një mësimdhënës është në pushim mjekësor i takon drejtorit të shkollës që me stafin e brendshëm t’i mbulojnë orët e humbura.
“Këto rrethana të jashtëzakonshme po paraqiten probleme dhe vështirësi për procesin arsimor në nivel vendi edhe pse këto shqetësime janë adresuar në këto institucione, por nuk kemi hasur në mirëkuptimi deri më tani edhe kur dihet se në arsim ka specifika të ndryshme që duhet mbështetur. Për këtë periudhë kohore, drejtori i shkollës duhet të mbulojë këto orë me staf të brendshëm të shkollës dhe çdo drejtues i shkollës ka njohuri për këto proceduara”, ka deklaruar Ismaili për lajmi.net.
Ndryshe, sot janë bërë 19 ditë mësimi prej kur mësimdhënësja e matematikës është operuar dhe nxënësit e këtij gjimnazi nuk e kanë mbajtur asnjë orë mësimi të kësaj lënde. /Lajmi.net/
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...