Maqedoni: Dogana dhe Policia Financiare, pa pajisje për masën e përgjimit

15:38 | 22 Mars 2019
Arbresh.info

Drejtoria e Doganave dhe Policia Financiare akoma nuk kanë pajisjet e nevojshme për të pranuar sinjalin nga Agjencia Teknike Operative për ndjekje të telekomunikimeve.

Në Komisionin për monitorimin e ndjekjes së telekomunikimeve u shqyrtua raporti nga vizita në Drejtorinë e Doganave ku është konstatuar se ky institucion disponon me hapësirat e nevojshme, me akt sistematizimi dhe është në fazën e planifikimit të kuadrove.

“Nga ana e tyre u informuam se sigurimi i pajisjeve do të bëhet njëkohësisht me pajisjet për Policinë Financiare. Drejtoria pret pajisjet që të mundet ta shfrytëzojë masën e ndjekjes së përgjimeve. Unë pres që ky institucion ndoshta të ketë vëllim më të vogël të ndjekjes në këtë fushë megjithatë kanë kompetencë ligjore dhe mundësi që ta shfrytëzojnë”, tha Emil Dimitriev, deputet i OBRM-PDUKM-së.

Me këtë, dy institucione që janë kompetente për pranimin e masës së përgjimit, nuk kanë mundësinë e zbatimit të saj edhe pesë muaj pas fillimit me punë të Agjencisë. Deputetët shqyrtuan edhe raportin nga vizita e Komisionit në Agjencinë Teknike Operative ku ishte konstatuar ndjekja e ligjshme e 188 numrave telefonik. Të përmbajtur për raportet votuan dy deputetë të shumicës. Ata u ankuan për mos-koordinim mes anëtarëve të Komisionit gjatë vizitës në këto institucione, për çka edhe nuk kishin qenë prezent.

“Të gjithë këto monitorime janë bërë në ditë të caktuara ku nuk kemi pasur mundësi të marrim pjesë ose kemi pasur detyrime dhe ka qenë e nevojshme të jemi në seanca plenare”, u shpreh Ejup Alimi, deputet i BDI-së.

“Nuk dua të krijohet përshtypja në opinion se pozita nuk dëshiron të bëhet monitorim mbi këto institucione. Jemi të gatshëm dhe themi se duam në përbërje të plotë të marrim pjesë në këto monitorime”, tha Tanja Kovaçev, deputete e LSDM-së.

Komisioni parlamentar pret përfundimin e procedurës për angazhimin e dy ekspertëve të teknologjisë të cilët do të mundësonin monitorim më të detajuar teknik në Agjencinë Teknike Operative, të cilët po ashtu do të kenë mundësi në të ardhmen të konstatojnë përgjime të jashtëligjshme eventuale.

 

Të ngjashme