Dënohet “Tony Montana” shqiptar

23:37 | 20 Mars 2019
Trina Galanxhi

Mane Driza, 41 vjeç, u shpall fajtor për vrasjen e Bledar Mones, 23 vjeç, në një “sulm të tërbuar” në shtëpinë  e tyre në Londër në qershor të vitit 1999.

Driza kishte mbërritur në Britani në vitin 1998, duke pretenduar se kishte mbetur jetim gjatë luftës në Kosovë por në të vërtetë ai po largohej nga një gjakmarrje në Shqipëri. I quajtur Tony Montana, sipas karakterit të Al Pacino në filmin Scarface, Driza ishte “një gangster i frikësuar” për jetën e tij sepse kishte vrarë Elmaz Kananin dhe djalin e tij Lavdoshin në një fshat në Shqipëri në 1997.

Sapo mbërriti në Britani ai u tha autoriteteve se emri i tij ishte Sokol Drenova, se ishte vetëm 17 vjeç dhe se kishte humbur të dy prindërit e tij në konfliktin e Kosovës. Atij iu dha leje të qëndronte në Britani por ndërsa jetonte në një shtëpi në Sudbury, në veri-perëndim të Londrës, ai theri për vdekje shokun e shtëpisë sepse dyshoi se i kishte vjedhur unazën.

Driza i shkaktoi 120 plagë viktimës, e më pas u arratis drejt Italisë ku vrau dy shqiptarë dhe tentoi të ekzekutojë edhe një tjetër, në dhjetor të vitit 1999. Në vitin 2002 ai u burgos për jetë nga një gjykatë në Catania, Sicili, por u ekstradua në Britani të Madhe për t’u përballur me gjyqin për vrasjen e Mones.

Driza pretendoi për vetëmbrojtje dhe provokim dhe i tha gjykatës se besonte se Mone ishte një “vrasës me pagesë”, i cili ishte paguar nga të afërmit e viktimave të tij në Shqipëri për ta gjetur atë në Londër dhe për ta vrarë.

Detektivi George Couch, i tha gjyqtares se si ai kishte shkuar në Itali për të intervistuar Drizan në burg në vitin 2000 rreth vdekjes së Bledar Mones.

“Ai ishte i sigurt për një gjë, se Bledar Mone ishte paguar për ta vrarë, sepse Bledar Mone ka qenë në burg së bashku me personin që vrau në Shqipëri”, tha Z. Couch në gjykatë.

Por një juri në Old Bailey në qendër të Londrës e shpalli atë fajtor me një vendim unanim./Opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme